Parashikimet në “POLITIKO” për ekonominë në 2024

Për vitin 2024, ekonomia e Shqipërisë do të karakterizohet nga disa problematika dhe sfida. Vala e emigracionit, korrupsioni në administratën publike, si dhe të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore, janë një sfidë që pritet të shoqërojë ekonominë e vendit tonë për vitin e ardhshëm. 

Ekspertët e ekonomisë, Selami Xhepa dhe Artan Gjergji, kanë treguar për Politiko.al problematikat me të cilat pritet të përballet vendi ynë, si edhe shanset e Shqipërisë për të pasur një ekonomi të përmirësuar, krahasuar me atë të vitit aktual.


 

Selami Xhepa

Si pritet të jetë ekonomia për vitin 2024?

Mendoj se premisat e zhvillimeve makroekonomike gjatë vitit 2023 krijojnë mundësi për një rikthim të plote te stabilitetit të çmimeve, duke e rikthyer inflacionin në nivelet e veta normale (2- 3%). Edhe rritja ekonomike e projektuar afër 4% në terma realë, gjykoj se është e  pranueshme ne kontekstin edhe të një ekonomie globale që po kalon përmes një procesi të vështirë dhe të kushtueshëm riekulibrimi. Te ardhurat dhe shpenzime buxhetore qe u miratuan në një seancë të pazakontë parlamentare, flasin gjithashtu për qëndrueshmëri dhe përmirësim fiskal dhe pozicionit të borxhit publik.

Por, problemet dhe sfidat reale në nivelin "mikroekonomik" vazhdojnë të mbeten serioze dhe të paadresuara. Kritike gjykoj se vazhdojnë të mbeten çështjet e korrupsionit në administratën publike dhe ineficiencat e politikave dhe institucioneve publike. Kjo cenon seriozisht klimën e biznesit në vend dhe në veçanti investimet e huaja, si instrumenti kyç i modernizimit të ekonomisë. Tashmë listës së faktorëve pengues për sipërmarrjen private i shtohen dhe kufizimet serioze në tregun e punë, qoftë për punë të kualifikuar por dhe të pakualifikuar për shkak të emigracionit të shtuar ndër vite.

Një problem serioz i natyrës së ekonomisë politike mendoj se qëndron në modelin e shpërndarjes së të ardhurës kombëtare. Sistemet e reja të taksimit progresiv po çojnë vazhdimisht në një tkurrje të të ardhurave të grupeve sociale të shtresës së mesme dhe thelluar hendekun social. Nuk kemi një shqyrtim serioz të problemeve afatgjata ekonomike dhe shoqërore që mund të krijohen në dekadat e ardhshme dhe as intension të politikave publike për të ndërmarrë reforma korrektuese. Shkurt, edhe në 2024 do të kemi përmirësime të lavdërueshme në planin makroekonomik, por ndryshimet strukturore që ndikojnë pozivitisht në nivel individual do të jenë të pandjeshme.

 

Artan Gjergji

Si pritet të jetë ekonomia për vitin 2024?

Sa i përket parashikimeve, problemeve dhe sfidave që pritet të ketë ekonomia shqiptare për vitin 2024, gjykoj se një përmbledhje e përgjithshme do të ishte si vijon:

Konsolidimi Fiskal – përbën problemin kryesor që ka ekonomia shqiptare në mënyrë që të vijojë rritjen në mënyrë të shëndetshme e të qëndrueshme. Për të arritur një konsolidim fiskal sa më efikas, Qeveria Shqiptare duhet të marrë seriozisht në konsideratë: reduktimin i shpenzimeve buxhetore të tepërta; të cilat nuk sjellin vlerë të shtuar në ekonomi; rritjen e të ardhurave fiskale duke rritur efikasitetin e punës së administratës tatimore si dhe luftuar evazionin fiskal; kontrollin më efikas të kontratave koncesionare dhe PPP-ve, në lidhje me zbatueshmërinë e projekteve si dhe impaktin që kanë pasur në ekonominë e vendit; menaxhimin i borxhit publik dhe deficitit buxhetor afatshkurtër duke shfrytëzuar suficitin e përkohshëm që erdhi nga bumi i turizmit në vitin 2023,

Zgjidhja strukturore e reformës së Skemës së Pensioneve – është një ndër plagët më të mëdha financiare që ka sot për sot ekonomia e vendit. Rritja e jetëgjatësisë së popullsisë si dhe valët emigratore, kanë përkeqësuar bilancin e skemës shtetërore të pensioneve që administrohet nga ISSH, duke detyruar buxhetin e shtetit të financojë çdo vit pjesën deficitare. Kjo situatë po kthehet në një makth pafund i cili ka filluar tashmë të japë efekte të dukshme negative në ekonominë e vendit. Për këtë qëllim duhet që Qeveria Shqiptare dhe në fakt e gjithë klasa politike të marrin sa më shpejt hapat e duhur për realizimin e: Reformave për implementimin e kolonave të dyta të pensionit, një vendim që ka kosto afatshkurtër dhe afatmesme të rëndë për buxhetin por që i jep një zgjidhje përfundimtare problemi pas një periudhe prej 3 dekadash; Reformave për nxitjen e zhvillimit të skemave vullnetare si një mjet alternativ për të lehtësuar sado pak barrën e skemës shtetërore të pensioneve e cila është kthyer në një gropë të zezë për thithjen e fondeve nga buxheti.

Dinamikat e Tregut të Punës – është një ndër sfidat më të reja me të cilat po përballet ekonomia shqiptare sidomos në dy vitet e fundit. Në këtë drejtim duhen identifikuar reforma afatgjata që të mundësojnë: Ngadalësimin e plakjes së popullsisë dhe valëve emigratore; Nxitjen e punëmarrjes cilësore (me kritere) me origjinë nga vendet në zhvillim; Edukimin profesional të shtresave të ndryshme të shoqërisë për të përmbushur nevojat që ka ekonomia e vendit për profesionistë të mesëm e të lartë të fushave të ndryshme.


Burimi: POLITIKO ne linkun https://politiko.al/kryesore/xhepa-dhe-gjergji-bejne-parashikimet-ne-politiko-si-pritet-te-jete-ekon-i499016

 

.

Comments