BE hap degë në Shqipëri – Bankat e investimeve një zhvillim pozitiv në tregun financiar shqiptar
Intervistë me Artan Gjergji, ekspert i tregjeve financiare
Banka Europiane e Investimeve (BEI), një organ i Bashkimit Europian dhe një nga investitorët dhe kreditorët më të mëdhenj globalisht, do të hapë degë në Shqipëri. BEI jep hua me norma të favorshme ose investon në projekte që plotësojnë kriteret e saj me fokus në sektorin e transportit, atë të frnizimit me ujë dhe energjisë.
1. Vizion+, gazetarja M.I: Si e shikoni këtë zhvillim për tregun vendas?
Artan Gjergji: Padyshim që ky është një vendim pozitiv i cili vjen si pasojë e planit për rritjen dhe zgjerimin që ka Bashkimi Europian, i miratuar në vitin 2024 me një vlerë rreth 6 miliardë EUR për të mbështetur procesin e harmonizimit dhe aksesimit në BE të vedeve të Ballkanit Perëndimor. Kështu që besoj se kjo është një lëvizje që Banka Europiane e Investimeve (BEI) do të shërbejë si krahu bankar i procesit të lëvrimit të këtyre fondeve, dhe normalisht edhe si mekanizmi (syri) mbikëqyrës për të kontrolluar zbatueshmërinë e këtyre projekteve madhore që do të financohen.
2. Vizion+, gazetarja M.I: Si vlerësoni ndikimin e këtij zhvillimi në ekonominë e vendit?
Artan Gjergji: Prezenca e institucioneve financiare ndërkombëtare të tilla, me një status të vecantë, me një seriozitet të jashtëzakonshëm, me një besueshmëri në tregjet financiare krijon një klimë mjaftë të mirë besimi në sytë e investitorëve të huaj. Për rrjedhojë, për vende në zhvillim sic është Shqipëria, që janë vende në rritje, që kanë nevojë dhe një oreks të shtuar për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, mendoj që do ketë një ndikim mjaft pozitiv.
3. Vizion+, gazetarja M.I: Sipas njohësve të fushës, zhvillimet e fundit dhe iniciativa e Qeverisë për të hapur Bankën Shqiptare të Zhvillimit tregon se tregu në Shqipëri ka një potencial të ri për të shfrytëzuar. Ju si mendoni ?
Artan Gjergji: Për më shumë se tre dekada Shqipëria është dominuar nga bankat tregtare. Bankingu tregtar ka elementët e tij pozitiv sepse lehtëson pagesat, faciliton kredidhënien, financon biznesin nëpërmjet huadhënies. Ndërkohë që bankingu zhvillimor (development banking) ka një element tjetër pozitiv që ndan riskun. Pra banka hyn si bashkëaksionere në projekte të ndryshme duke ndarë riskun me korporatat nëpër investimet e mëdha. Kështu që është një formë tjetër e financimit, e cila deri më sot nuk është përdorur. Pra padyshim që ky është një zhvillim pozitiv i jashtëzakonshëm. Duhet përshëndetur marrja e kësaj iniciative nga Shteti Shqiptar, pasi inkurajon edhe operatorët e tjerë në treg apo operatorë të tjerë që të hyjnë në tregun e investimeve dhe financimeve me kapital. Megjithatë, do të sugjeroja që prezenca e shtetit shqiptar në strukturën aksionere të kësaj banke zhvillimore duhet të jetë e përkohshme, pasi eksperienca ka treguar që prezenca e shtetit mund të devijojë në mënyrë neptoike destinacionin e fondeve duke reduktuar eficiencën dhe mos arritur qëllimin për të cilën është krijuar. Me konsolidimin e aktivitetit të bankës, Shteti duhet të reduktojë prezencën e pse jo të bëjë një dalje graduale nga struktura aksionere duke i lënë vendin bankave private me qëllim rritjen e eficiencës dhe përfitueshmërisë.
Linku i Intervistes: https://www.youtube.com/watch?v=ODW3I3sdVAc
Comments
Post a Comment