Ç’duhet të bëjme me kursimet në periudhë inflacioni të lartë?

POLITIKO

10 TETOR 2022, 17:52

EkonoBlog/ Eksperti Artan Gjergji: Ç’duhet të bëjme me

Nga Artan Gjergji*

Kjo pyetje mundon shumë njerëz kohët e fundit. Shpesh herë miq e familjarë telefonojnë e pyesin se c’duhet të bëjnë me kursimet e tyre të cilat “flenë” nëpër depozita bankare me norma interesi dhe përfitime qesharake ndërkohë që jeta e tyre është shtrenjtuar pafundësisht në cdo hallkë të jetës. Në fakt pyetjet e tyre, edhe pse të artikuluara thjeshtë, janë me shume vend, por pergjigja e një teknicieni ndaj tyre nuk është aq e thjeshtë.

Pyetja me të cilën përballem më së shumti kohët e fundit është se c’duhet të bëjnë me kursimet e tyre në kushtet kur niveli i inflacionit ka kapërcyer tashmë nivelin e 8%. Shumë prej tyre madje janë aq radikalë sa thonë që do i tërheqin fare e t’i mbjanë në shtëpi, por kjo absolutisht është një zgjidhje jo racionale sepse ky veprim përfshin jo vetëm rrezikun financiar (norma e kthimit të munguar), por edhe rreziqe të tjera fizike si vjedhja, zjarri, apo tërmeti, fenomene këto të prekura tashmë edhe nga qytetarët shqiptarë.

Po cilat mund të jenë disa zgjidhje të rekomanduara thjeshtë? Personalisht mendoj (dhe s’jam i vetmi) që cdo produkt financiar në treg ka shumë vlera dhe si i tillë, duhet përdorur në mënyre sa më masive nga popullata. Sa më shumë njerëzit të fillojnë t’i përdorin produktet financiare, aq më shumë do të fillojnë të mësojnë e të kenë informacion në lidhje me ndikimin e tyre financiar, e aq më shumë do arrijnë të menaxhojnë burimet e tyre financiare në mënyre më efektive.

Nëse përgjigjen e pyetjes së më sipërme e shohim në spektrin afatshkurtër, cdo investim norma e kthimit të të cilit është më poshtë se norma e inflacionit (8%), përbën një ekspozim (investim) me humbje. Aktualisht asnjë instrument financiar nuk ka një norme kthimi kaq të lartë (pervec obligacioneve të thesarit 15 vjecare, por aty i bie që investitori “bllokon” kursimet në fonde shumë afatgjatë). Me fjalë të tjera, as depozitat bankare, as fondet e pensionit, as fondet e investimit, as pasuritë e patundshme e asnje instrument apo aset tjetër nuk na sjell këtë normë kthimi.

Parë në këtë kendveshtrim, i bie që paratë të gjitha duhen hedhur vetëm në biznes, në mënyrë që të na japin mundësinë të kemi normë kthimi më të lartë, por edhe ketu vlen rregulli “kthimi i lartë, rreziku i lartë” (pra as këtu nuk ka garanci në kthim). Kështu që, zgjedhjet dhe prioritetet janë të individit. E megjithatë, duhet thënë që investimi në instrumentet aktuale, me të vërtetë nuk na siguron norma më të larta se inflacioni, por nëse e zgjedhim (për shkak të mungesës së alternativave) na redukton humbjen. Pra p.sh. në bazë vjetore humbasim nga inflacioni 8%, por fitojmë nga një instrument financiar 5%, kështu që i bie që reduktojme humbjen, e në vetevete edhe ky nuk është një veprim i keq.

Një tjetër element alternativ për të përfituar sa më shumë nga situata inflacioniste mund të jetë vendimi që me parate e pa-angazhuara (kursime) që kemi në zotërim, të mbyllim kreditë që kemi në sistem. Qytetarët duhet të kuptojnë se bankat apo institucionet e kredidhënies janë të mbrojtur nga pikëpamja kontraktuale kundrejt rritjes së normave të interesit. Kjo dmth që këto institucione e kanë parashikuar nëpër kontrata të drejtën e tyre për të ndryshuar normat e interesit në përputhje me kushtet e reja të luhatshmërisë së tregut. Për rrjedhojë kostot e kredive që qytetarët kanë individualisht apo si biznese, të shtrenjtohen në vijimësi për shkak të rritjes së normave të interesit. Kjo është arsyeja që nëse keni kursime në këto kohë (nuk ka rëndësia vlera, apo sasia), të cilat nuk i mbroni dot nga inflacioni apo nuk i investoni dot në norma të kënaqshme kthimi, atëherë paguani një pjesë të principalit tuaj të kredisë dhe reduktoni në mënyrë të ndjeshme kostot e tuaja të kredisë duke lehtësuar dukshëm detyrimet tuaja. 

Parë në këndvështrimin afatgjatë të përfitimeve personale, duhet thënë që i vetmi instrument që rekomandohet pavarësisht cdo lloj krize apo situate financiare, është përfshirja në një skemë pensionesh alternative (private) si një investim afatgjatë për veten tuaj, pasi ju mundëson një pension shtesë nga ai shtetëror në të ardhmen. Këto skema janë shumë të ngjashme me një depozitë bankare, pasi parat që kontrbuon cdo individ, shkojnë vetëm në llogarinë e tij personale, dhe përvec principalit të investuar nga vetë individi, shtohen edhe fitimet që vijnë nga investimet që bën fondi me këto para. Bazuar në legjislacionin shqiptar, vlera minimale ligjore për të blerë kuotat e një fondi privat pensionesh është 1.000 lekë të reja në një muaj, një vlerë kjo simbolike aq sa një individ i harxhon në mënyrë modeste për shpenzime kafeje në vetëm 2-3 ditë. Përvec kësaj, investimi në një fond pensioni ju ndihmon të shmangni tatimin mbi të ardhurat, duke e shumëfishuar përftimin e individëve që bëhen pjesë e skemave të pensionit privat. Sipas legjislacionit aktual në fuqi, cdo vlerë e përafërt deri në 16.500 lekë në muaj apo 200.000 lekë në vit, përjashtohet nga detyrimi për pagimin e tatimit mbi të ardhura duke i kursyer cdo qytetari maksimimu një vlerë prej 30.000 lekë në vit. Gjithashtu, investimi në këto fonde i sjell qytetarit shumë përfitime të tjera, duke filluar nga përfitimi i normave më të larta të kthimit krahasuar me instrumentet aktuale në treg, investimi me vlera të vogla, përfitimi nga një administrim profesional i fondeve e kështu me radhë. Sido që të jetë inflacioni apo cdo lloj situate, përfshirja në një skeme pensionesh është një investim me shtrirje kohore afatgjatë, dhe si e tillë i jep mundësinë fondeve që të amortizojnë cdo llojluhatjeje, duke u sjellë mjaft përfitime qytetarëve që kanë investuar me kursimet e tyre.

*Shkruar për Politiko.al

Burimi: https://politiko.al/opinews/ekonoblog-eksperti-artan-gjergji-duhet-te-bejme-me-kursimet-ne-periudhe--i468608?utm_source=Njoftim&utm_campaign=Njoftim&utm_medium=26347403a&fbclid=IwAR3HJJgcKVX5FQ9f1GzShMvs1z9wYlwuk6Dh-VkePpFeCSgRXZxRZNjyNKo


Comments