Qeveria i shpall “luftë” parasë cash, ekspertët: Është e pamundur, kërkon shumë investime në siguri

Interviste: Artan Gjergji, Ekspert i Tregjeve Financiare

Gazetar: Rajmonda Lajthia, Vizion+

 

Vitet e fundit qeveria ka orientuar shërbimet publike online, por pagesat dhe transaksionet në ekonomi dominojnë me para fizike, cash. Të dhënat tregojnë se më shumë se 70% e transaksioneve në vend kryhen me para në dorë. Për rrjedhojë, në një vend me informalitet dhe korrupsion të lartë, cash-i konsiderohet mbret. 

Por a është gati ekonomia jonë të reduktojë përdorimin e parasë fizike dhe të orientohet drejt pagesave elektronike? Kryeministri tha se ky objektiv do të jetë viti 2030.

“Qasja e qeverisë në këtë drejtim nuk vjen për shkak të nxitjes së tregut financiar, është më shumë orientim nga procesi i integrimit në BE. E shoh si instrument për të reduktuar presionin e pastrimit të parave. Besoj se hyn në kriteret e forta që kërkon BE për të luftuar fenomenin e përhapur të pastrimit të parave” – tha Artan Gjergji, ekspert i tregut financiar.



Për shumë ekspertë, një objektiv i tillë nuk ka mundësi për t’u realizuar. Ky proces kërkon investime në teknologji dhe mbi të gjitha njohuri financiare për popullatën.

“Ajo që do na e vështirësojë punën është çështja e edukimit financiar. Pagesat në vetvete janë zakon që prekin disa faktorë. Varet nga kultura, zona gjeografike, aksesi në financë. Që ti të shtysh një shoqëri drejt pagesave jo cash, do shumë punë. Ne jemi rrethuar nga shtete që këtë fazë e kanë kaluar pak nga pak, gradualisht. Edukimi është thelbësor në çdo transformim” – tha Bora Ferri, eksperte e tregut financiar.

 

Por ky proces ka avantazhe dhe disavantazhe në treg?

“Procesi i digjitalizimit të shërbimeve financiare ka edhe disavantazhe. Siguria, hakerimi kjo është një ndër sfidat e këtij mijëvjeçari. Në këtë drejtim, siguria dhe mbrojtja e të dhënave është kryesore. Pa të, infrastruktura nuk ka kuptim. Nuk ka asnjë vend në botë që ka përdorim zero të cash-it, sado të zhvilluara të jenë vendet. Unë mendoj se nuk do ta zhdukim asnjëherë, por reduktimi i tij redukton abuzimet në maksimum” – sqaroi Gjergji. 

Siguria është më e madhe, kostoja si për konsumatorin ashtu edhe për bizneset do të jetë më e ulët. 2030 është pak herët si afat. Duhet të kishim nisur pak më herët përgatitjet. Përdorimi i parasë fizike është i kushtueshëm për të gjithë aktorët e tregut që angazhohen në këtë proces. Automatikisht preket xhepi i çdo aktori që është palë e këtij transaksioni – tha Ferri.

Reduktimi i parasë fizike i vjen në ndihmë institucioneve financiare dhe bankare, të cilat janë të përqendruara kryesisht në qytete, ndërsa zonat rurale janë jashtë vëmendjes. Paralelisht, rreth 700 mijë pensionistë ende nuk kanë një llogari bankare.

 

/vizionplus.tv

 

Linku i lajmit: 

https://www.vizionplus.tv/qeveria-i-shpall-lufte-parase-cash-ekspertet-eshte-e-pamundur-kerkon-shume-investime-ne-siguri/?fbclid=IwY2xjawL9bxZleHRuA2FlbQIxMQBicmlkETEzdHpPSXRLOHhkcWVsTGdtAR65vXuvsXsW0cljN4FwuMMDhN58AtQRxlhsO6NHPOQuMZ1ti4QFL4wOQFjIaA_aem_ismrOnq_N1IWmS87EZpvgg

Comments