CFARË PO NDODH ME TATIMIN E BIZNESIT TË VOGËL?

Këto ditë shumë prej bizneseve të vogla janë cuditur kur financierët i kanë njoftuar se duhet të kryejnë Parapagimin e Këstit të Tatim Fitimit. Të surprizuar pa masë, sepse kurrë nuk kanë paguar deri më sot për shkak të xhiros së ulët (nën 14 milion lekë të reja), por akoma më shumë të llahtarisur nga fjala “parapagim” i nje fitimi që nuk është ende real, janë irrituar dhe janë përpjekur të komunikojnë e të interesohen për të mësuar se c’po ndodh.



CFARE PO NDODH ?

Në fakt kjo është një procedurë krejt normale për biznesin e madh, por aspak normale për biznesin e vogël, i cili deri më sot ka paguar vetëm detyrimet tatimore në nivel të pushtetit vendor, si dhe detyrimet për sigurimet shoqërore e shëndetësore, apo tatim mbi qiranë për ambjentet e përdorura. Ndryshimet e para disa muajve që ndodhën në legjislacionin “Për Tatitmin mbi të Ardhurat”, kanë sjellë një sërë ndryshimesh radikale në procedureën e përllogaritjes së detyrimeve ashtu edhe në procedurën administrative të vjeljes së detyrimeve tatimore.

E thënë thjesht këto ditë sistemi tatimor u ka gjeneruar bizneseve të vogla Këstin e Parapagimit të Tatim Fitimit. Që dmth, se institucionet tatimore kanë marrë për bazë xhiron e deklaruar nga vetë biznesi në vitin paraardhës 2023 (si person fizik, ose biznes i vogël), dhe perllogarisin tatimin që supozohet të paguash në vitin 2024 duke  e ndarë në katër këste. Në Marsin e vitit që vjen, pasi financierët e bizneseve të vogla të përgatitin Bilancin e vitit 2024, do të bëhet krahasimi sa është parapaguar dhe sa duhet realisht të paguhet nga biznesi. Nese biznesi do të ketë parapaguar më pak (sepse xhiro në vitin 2023 ka qenë ndoshta më e vogël se xhiro në vitin 2024), ateherë biznesi do të paguajë shtese diferencen. Nëse bizneset kanë paguar më shumë, Drejtoria e Tatimeve nuk ua kthen diferencën e detyrimit në llogaritë e tyre, por ua njeh si detyrim të saj ndaj bizneseve, duke reduktuar detyrimet tatimore ne te ardhmen. Me fjalë të tjera i mbetet borxh bizneseve deri në periudhën e vitit të ardhshëm tatimor.

 

A ËSHTË KJO DICKA NORMALE

Nga pikëpamja e administrimit të procesit tatimor, është një element krejtësisht normal. Organet tatimore janë agjenti kryesor i Arkës së Shtetit (buxhetit) dhe për rrjedhojë, duke qenë se shpenzimet buxhetore janë të përditshme e të përmuajshme, edhe të ardhurat duhet të gjenerohen në cdo kohë, në mënyrë që Buxheti i Shtetit të jetë i aftë të realizojë këto shpenzime në cdo kohë. Kështu mundësohet një funksionim sa më normal i organeve shtetërore dhe u shërbehet në mënyrë më cilësore qyetarëve nëpërmjet shpërndarjes efikase të financave publike.

Që në fillim të herës duhet thënë që sistemet tatimore në përgjithësi tentojnë të jenë përfshirës, cka dmth se në llogjikë, cdo e ardhur e gjeneruar nga biznesi dhe individët duhet përfshirë në detyrimet tatimore. Pavarësisht këtij elementi, shpesh herë dhe në të shumtën e rasteve bëhen përjashtime, zbritje, apo falje detyrimesh tatimore për grupime të caktuara. Arsyet për këtë vepim janë nga më të ndryshmet, duke filluar që nga aspekti social i mbrojtjes dhe mbështetjes së grupeve në nevojë, tek nxitja e hapjes së vendeve të punës, nxitja e sektorëve të caktuar të ekonomisë etj.

Në rastin aktual të biznesit të vogël, ai konsiderohet si shtylla kurrizore ku mbështetet ekonomia e vendit pasi prodhon më shumë se 60% e PPB-së së vendit ndërsa është kontribues në më shumë se 98% të punësimit në vend. Dhe kjo tabllo është pak a shumë e ngjashme në cdo ekonomi në zhvillim si ajo e Shqipërisë. Pikërisht për këtë arsye Qeveritë në përgjithësi synojnë ta mbështesin fuqimisht biznesin e vogël sepse ul në maksimum problemet sociale dhe krijon punëzënie.

Instrumentat tatimorë që zgjedhin Qeveritë për të nxitur zhvillimin e biznesit të vogël janë të shumtë, por dy janë kryesorët:

a. Pragu i Xhiros së Aktivitetit – sic ndoshte në Shqipëri deri në 31 Dhjetor 2023, bizneset me një xhiro deri në 14 milionë lekë të reja përjashtoheshin nga tatim fitimi (paguanin vetëm taksat bashkiake)

b. Norma Tatimore me Fasha më të Ulëta – sipas së cilës asnjë biznes nuk përjashtohet nga skema e detyrimeve tatimore. Thjesht biznesi i vogël ka një normë më të ulët (psh në Itainë fqinje cdo biznes i vogël në 5 vitet e para të aktivitetit të tij paguan 5% tatim fitimi, kur bizneset e mëdha paguajnë nga 35% e sipër.).

Pikërisht pas 1 Janarit 2023, Shqipëria ka kaluar nga modeli A tek modeli B, por pa “mbajtur me hatër” biznesin e vogël me një normë tatimore më preferenciale.

 

CFARË NUK SHKON?

Pikëkrisht ky ndryshim radikal i sjelljes së administrimit tatimor ka shkaktuar një problematikë të dukshme mes tatimpaguesve për disa arsye:

▪ Nuk krijon mbështetje aspak për biznesin e vogël. Nga modeli me fasha xhiroje, u kalua në ekstremin tjetër të tatimit njëlloj si biznesi i madh,

▪ Nuk është plotësuar kuadri rregullativ mbështetës, për të sheshuar paqartësitë dhe reduktuar abuzimin e administratës tatimore,

▪ Nuk iu dha koha e duhur biznesit që të kalohej në mënyrë të përshkallëzuar nga njëri model në modelin tjetër,

▪ Parapagimi i Këstit të Tatim Fitimit për vitin e parë 2024 merr për bazë një xhiro të viti 2023 e cila është përllogaritur krejtësisht mbi një tjetër model e filozofi të të bërit biznes, e për rrjedhojë mbi një qasje tatimore krejtësisht tjetër (psh shumë biznese kanë deklaruar vetëm të ardhurat dhe nuk kanë deklaruar shpenziemet e vitit 2023, meqë gjithesesi nuk paguanin tatim fitimi, e kjo uka rritur në mënyrë fiktive xhiron, tek e cila bazohet detyrimi për vitin 2024 etj.),

▪ Nuk u realizua edukimi i publikut aq i nevojshëm në reforma të tilla radikale

 

A KANË ZGJIDHJE BIZNESET NË KËTË REALITET TË RI?

Për fat të keq nuk ka shumë për të bërë. Edhe nëse biznesi do tentojë të ankimojë procedurat tatimore në fuqi, duhet të jetë shumë mirë i organizuar si zë i unifikuar nëpër shoqata biznesi. Në të kundërt, në shumicën e rasteve do të jenë raste humbëse përballë procedurave tatimore. Komuniteti i biznesit duhej të kishte qenë shumë më i organizuar gjatë fazës kur draft-ligji qarkullonte për mendim, por kjo nuk ka ndodhur. Për këtë arsye, është mirë që ky fenomen të bëhet një mësim i vyer për reformat e ardhshme fiskale që mund të aplikohen nga Qeveria.

Një tjetër gjë që duhet të bëjnë bizneset është punësimi apo kontraktimi në distancë (outsource) i financiarëve të mirefilltë profesionistë që njohin mjaftueshëm legjislacionin e ri, dhe të përpiqen që të deklarojnë në mënyrë sa më rigoroze e korrekte të ardhura-shpenzimet e vitin 2024, në mënyrë që të mos penalizohet për vitet që vijnë.

  

Shënim: Ky shkrim ka krejtësisht karakter shpjegues dhe edukativ për palët e interesuara mbi fenomenin në nivel të përgjithshëm. Shkrimi nuk analizon aspak metodologjinë e përllogaritjes së detyrimeve tatimore të biznesit.

 


Comments