CURTAILMENTS - A po vjen koha të mendojmë seriozisht për këtë fenomen në sektorin energjitik në Shqipëri?
FTESË PËR DEBAT
nga Artan Gjergji
Ekspert i Tregjeve Financiare
Në kushte të përgjithshme, ky term përdoret për ndërprerjet e detyrueshme të energjisë së rinoveshme që prodhuesit duhet të bëjnë, sepse sistemi i transmetimit dhe shpërndarjes së një vendi të caktuar nuk është i aftë të absorbojë këtë ngarkese.
Padyshim që ky fenomen, krijon shumë probleme sidomos në anën e biznesit të operatorëve prodhues, të cilët nuk arrijnë dot të realizojnë me sukses planet e tyre të kthimit nga kapitali i investuar dhe për rrjedhojë të rrezikojë seriozisht stabilitetin e tyre financiar.
Në anën tjetër, mbingarkesa (qoftë dhe e përkohshme) që shkakton në sistemin e transmetimit e shpërndarjes mbiprodhimi i energjisë, krijon probleme serioze dhe deri diku të pariparueshme për infrastrukturën elektroenergjitike të një vendi deri në terr të plotë në momente të caktuara (total black-out). Fenomene të tilla kanë ndodhur edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor (përfshirë Shqipërinë) në vitin 2025 apo vende të tjera të BE-së si Spanja, Portugalia, Greqia, Franca etj, vende ku dominon prodhimi i energjisë së rinovueshme.
Nëse analizohet fenomeni para
se të arrihet deri në këtë pikë, fillimisht rezulton se tregu kalon disa faza:
1. Fazën e Mbiprodhimit
(oferta e lartë), - e
cila sjell nje rënie drastike të cmimeve në fashat përkatëse kur ka mbiprodhim.
P.sh. në Shqiperi muajt e fundit pas hyrjes në prodhim të disa impianteve
fotovoltaike, kemi pasur mbiprodhim dhe ulje drastike të cmimeve të enerjgisë në
Bursën ALPEX nga mesatarisht në 80 Euro/MWh deri në 1 Euro/MWh (ose edhe pak më
poshtë) në fashat orare nga ora 8.00 e mëngjesit deri në 16.00 pasdite. Pra Shqipëria sapo ka hyrë në këtë fazë dhe
vera e vitit 2026, pritet ta bëjë ede me evidente këtë fenomen. Një pjesë e mirë
e prodhuesve të impianteve fotovoltaike, janë përpjekur të marrin masa duke u
investuar në projekte të Sistemeve të Baterive (BESS), por deri më sot Shqipëria
nuk ka pasur një kuadër ligjor në fuqi që të adresojë produktin e baterive për
gjeneruesit e energjisë. Megjithatë, në vendimin e tij të fndit Bordi i ERE, ka
miratuar shtesat në licensë të operatorëve ekzistues, në mënyrë që investimet e
tyre në bateri të jenë në përputhje me ligjin. Ndërkohë që është në proces të
konsultimit publik ligji i ri për Sektorin e Energjisë Elektrike i cili pritet
ta adresojë edhe këtë elment të rëndësishëm.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve
pozitive, duhet thënë që instalimi i Sistemeve të Baterive vetëm sa e amortizon
pak fenomenin e mbiprodhimit sepse u jep mundësinë operatorëve të kursejnë për
një periudhë të shkurtër 1-2 orë sasi të konsiderueshme duke e zgjatur ofertën
e tyre deri në orën 18.00 apo 19.00, por jo më tepër. Fenomeni mbetet aty dhe
duhet seriozisht të mendohet për t’u adresuar.
2. Faza e Cmimeve Negative në Bursa – kjo është një fazë e mëvonshme kur mbiprodhimi bëhet një fenomen i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm duke testuar seriozisht sigurinë e sistemit e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike. Në përgjithësi, pavarësisht se autoritetet përkatëse (kryesisht Operatorët e Sistemit të Transmetimit) përpiqen të rrisin kapacitetet e tyre, ritmi i zgjerimit të kapaciteteve prodhuese të energjive të rinovueshme (nga uji, dielli dhe era) është shumë herë më i madh, i nxitur edhe nga politikat makro-shtetërore, sa gjithmonë në fasha kohore të caktuara, mbiprodhimi është i pashmangshëm.
Në këto kushte, mekanizmat e
balancimit të kërkesës dhe ofertës për energji, shoqëruar edhe me bllokimet e
sistemeve të transmetimit dhe shpërndarjes (congestions), kanë sjellë probleme
dhe shkëputje në sistem duke shkaktuar kosto të pariparueshme për garantimin e
vazhdimësisë së infrastrukturave. Kjo është arsyeja pse autoritetet filluan të
aplikojnë tarifa të konsiderueshme në formën e kostove për gjeneruesit që mbiprodhojnë
dhe “krijojnë trafik” në sistemet e kufizuara aktuale të transmetimit e shpërndarjes.
Në temrinologjinë teknike këto quhen “Cmime Negative”, cka do të thotë që
prodhuesit, jo vetëm që nuk e shesin energjinë e tyre dhe të marrin të ardhura
(Cmime Pozitive), por krejt e kundërta. Paguajnë penalitete ndaj infrastrukturave
OST dhe OSSH për shkak të problemeve që shkakton mbiprodhimi (ngaqë paguajnë
quhen Cmime Negative). Me fjalë të tjera, në kushte të tilla prodhuesit e energjisë
nga burime të rinovueshme humbasin dy herë:
a. humbje nga fitimi i
munguar sepse prodhojnë
me kosto e nuk arketojnë asgje,
b. humbje nga penalitetet që u paguajnë infrastrukturave (cmimet
negative)
Cmimet negative janë fenomen që vihet re shpesh në vendet që kanë pasur një investim të furishëm në drejtim të rritjes së kapaciteteve të prodhimit të energjisë nga burime e rinovueshme. Ato filluan të identifikoheshin për herë të parë në vitin 2008 ne Gjermani, por me vonë u shtrinë në thuajse të gjithë vendet e Bashkimit Europian si Gjermani, Belgjikë, Francë, Britani e Madhe, Spanjë Greqi. Ato kulmuan në kohën e pandemisë Covid-19, pasi mbiprodhimi u shoqërua edhe me rënie drastike të konsumit për shkak të lock-down të popullatave. Me kalimin e viteve, pavarësisht rritjes së kapaciteteve transmetuese nga autoritetet, ritmi i rritjes së kapaciteteve prodhuese nga burimet e rinovueshme ka qenë më i lartë, duke e rritur ndjeshëm numrin e rastëve të aplikimit të Cmimeve Negative. Ky rekord u thye ne vitin 2024, e më tej u thye persëri në vitin 2025. Pra Europa nuk po arrin dot të përballojë këto efekte anësore të asaj që quhet si fenomeni i “Kanibalizimit të Burimeve të Rinovueshme”, i cili në vetvete kritikon licensimin pa planifikim e pa menduar efektet anesore të projekteve që rrisnin prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme duke u nxitur kryesisht nga nevoja gjeostrategjike, por pa menduar efektet anesore dhe llogjikën ekonomike apo parametrat teknikë.
Faza e cmimeve negative që
Shqipëria ende s’e ka përjetuar, përkeqëson akoma më shumë suksesin e operatorëve
të biznesit privat, të cilët i kanë kryer investimet dhe bllokuar kapitalin
duke u bazuar në cmime dhe kushte krejt të tjera tregu. E nëse, biznesi privat
duhej të ishte treguar më i kujdesshëm duke vendosur për planet e investimit,
duhej që padyshim edhe rregullatorët apo strukturat shtetërore politikëbërëse të
analizonin më mirë procesin e zgjerimit të kapaciteteve pa menduar për efektet
anësore, dhe pa marrë në konsideratë përvojën e hidhur të vendeve të BE-së.
3. Faza e Shkurtieve të
Prodhimit (Curtailements) – sipas këtij instrumenti që ka filluar të përdoret herët në Gjermani,
Britaninë e Madhe e Irlandë, për të kaluar më pas në Danimarke, Itali dhe Spanjë,
shteti fillimisht kufizon me detyrim prodhimin e gjeneruesve nga burimet e
rinovueshme me pretekstin e mbrotjes së sigurisë së rrjeteve transmetuese e shpërndarëse.
Por me kalimin e viteve, dhe reagimin e operatorëve privatë të prodhimit, të
cilët u lobuan për shkak të kostove shumë të mëdha që shkarkoheshin vetëm në
kapitalin privat, vendet e ndryshme filuan modifikimin e skemave të kufizimit të
prodhimit (curtailements) duke i shoqëruar ato me skema të kompensimit
financiar të kostove apo të sasive, duke u përpjekur të paktën që të shmangnin
falimentimin e impianteve të mëdha të investuara ndër vite.
4. Faza e Ndërprerjeve
Drastike të Sistemeve (Black-Outs) – edhe pse nuk është një fenomen që ndodh rëndom, mbingarkesa nga
mbiprodhimi, shoqëruar edhe më rritjen e kërkesës (sidomos periudha e verës që
sjell përdorim masiv të sistemve të kondicionimit), është shoqëruar jo në pak
raste nga shëmbje të sistemeve dhe infrasrukturave të transmetimit dhe shpërndarjes,
të cilat edhe pse të shkurtra në kohë (nga disa minuta në disa orë), përsëri
kanë treguar se sa të ndjeshme janë sistemet aktuale nga rrisqe të tilla tashmë
prezente e jo hipotetike. Fenomene te tilla filluan që në vitin 2011 në Kroaci,
e më vonë në Poloni, për të kaluar në vitin 2024 në Europën Jug-Lindore (përfshirë
Shqipërinë) apo me gadishullin Iberik (Spanjë-Portugali), Greqi a Maqedoni.
Ku është Shqipëria sot?
Shqipëria sapo ka filluar të shijojë frutet e rritjes së kapaciteteve të ardhura nga burimet e rinovueshme. Edhe pse tregohet si shembulli më i mirë në rajon për prodhimin nga burime të rinovueshme (sukses kryesisht që vjen nga trashëgimia e hidrocentraleve të një tjetër epoke, apo edhe nga licensat e pafundme që u dhanë për hidrocentrale të vegjël), përsëri Shqipëria për shumë vite ka qenë e ekspozuar (me risk) vetëm në një burim të rinovueshëm (uji).
Kjo ka qenë arsyeja pse në 5 vitet e fundit ka pasur një përqendrim të fuqive dhe strategjive drejt rritjes së prodhimeve nga burime të tjera si dielli (dominues) dhe era. Tashmë jemi në fazën e futjes në procesin e prodhimit të këtyre impianteve, edhe pse ende më pak se 20% e kapaciteteve të licensuara kanë filluar procesin e prodhimit.
Me vetëm pak kapacitete prodhuese solare shtesë dhe vetem në një kohë të shkurtër (1 vit), ne kemi hyrë fuqishëm në fazën e parë të mbiprodhimit dhe uljes drastike të cmimeve, cka tregon se me shtimin e kapaciteteve prodhuese funksionale situata do të avancojë shumë shpejt drejt fazave të tjera të rrezikshme të përjetuara më parë nga vendet e BE-së.
A jemi ne të përgatitur për këtë realitet të ri? Une mendoj se jo.
A jemi ende në kohë të marrim masa të shpejta për të amortuzuar sa më shumë kostot që sjell ky zhvillim duke u bazuar në mësimet që kanë nxjerrë vendet e BE-së?
Besoj se po. Mjafton vullneti
por duhet shoqëruar edhe veprime të shpejta.
.





Comments
Post a Comment