Shtrëngata Ekonomike mes fantazmave të Luftës së III-të Botërore

Intervistë me z. Artan Gjergji, Ekspert i Tregjeve Financiare

ELEFANTI NE DHOME – A2 CNN, gazetari Ervin Qafmolla


Në ketë episod mjaft të këndshëm ndamë ide dhe qasje krejt interesante në lidhje me ndikimin që ka në ekonominë botërore lufta mes Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit. Intervista u fokusua kryesisht në këto drejtime dhe qëndrime të z. Gjergji, ekspert i tregjeve financiare:

Burimet natyrore në këtë botë janë të shterrueshme (scarce resources) - Ky është edhe një ndër leksionet më bazike që u mësojmë studentëve që në vitin e parë në fakultetin e ekonomisë. Ndërkohë që popullata (konsumatorët) rritet me shpejtësi, burimet natyrore (nafta, gazi, metalet e çmuara etj.) sa vijnë e pakësohen duke shtuar tensionet mes atyre që dominojnë arenën gjeopolitike në botë, gjë që historikisht ka nxitur luftëra për dominim ekonomik dhe territorial. Që në kohët e lashta, por sidomos pas periudhës së kolonive, bota ka qenë e përfshirë në një luftë për identifikimin, nxjerrjen, zotërimin dhe dominimin e burimeve më të vlefshme, si me vlerë monetare, ashtu edhe e lëndëve të para që janë gur themeli në çdo cikël të prodhimit të mallrave dhe shërbimeve.

Pas çdo konflikti të madh fshihen interesa ekonomike, pavarësisht retorikës për të drejtat e njeriut apo idealet politike, në thelb të çdo luftë është konkurrenca e ashpër për zotërimin e burimeve të shterrueshme natyrore pa përjashtuar lëndët e para. Zotërimi i këtyre burimeve dhe aseteve të bën më të pushtetshëm jo vetëm në dekadën aktuale, por edhe në shekujt që vijnë. Fjala bie, sot nëpër bursat e mallrave, Kina po blen çdo gjë, çdo metal të çmuar, çdo element apo burime energjie, sepse kërkesa dhe varësia sa vjen e rritet, ndërkohë që burimet pakësohen. Konfliktet e armatosura të viteve të fundit në Ukrainë, Lindjen e Mesme, Venezuelë, Iran, Afrikë etj. shihen si përpjekje për të zotëruar burime strategjike. Dhe realisht janë të tilla.

Aktualisht po hyn në lojë një rend i ri multipolar. Përtej poleve klasike gjeopolitike mes perëndimit ku prfshihen vendet e NATO-s (të ashtuquajturit “të mirët”) dhe grupimeve si Kina, Rusia apo më tej Kuba e Venezuela, duket sikur kemi një ndryshim të dukshëm në fushën gjeopolitike. Për herë të parë po shikojmë një ndarje të qasjeve dhe qëndrimeve mes Amerikës dhe Bashkimit Europian, sidomos pas ardhjes së Administratës Trump në zyre, duke filluar që me marrëdhënien me Ukrainën e deri në ditët e sotme sa i përket luftës me Iranin. Vetë BE nuk ka një zë të unifikuar në mjaft çështje që kanë lidhje me interesat globale, pasi aktorë të ndryshëm në EU, shikojnë interesa të ndryshme ekonomiko-sociale (Franca, Gjermania, Spanja) dhe gjeopolitike (Hungaria, Sllovakia). Pa dashur të mbajmë anë në qasjet dhe qëndrimet e tyre, sjellja deri diku e vendosur dhe agresive e Amerikës dhe Izraelit në lidhje me balancat gjeopolitike në Gaza, Liban e më gjerë në të gjithë Lindjen e Mesme, duket sikur ka shërbyer pozitivisht për BE-në e cila për herë të parë ka filluar të artikulojë një qëndrim të unifikuar kundër luftërave në Ukrainë, Gaza e së fundmi edhe në Iran. Në anën tjetër, kemi polin e vendeve BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut), të cilat në një mënyrë a në një tjetër po përpiqen të krijojnë një strukturë paralele me dominimin e petrodollarit. Gjithashtu, Kina bën paralelisht aleanca të fshehta e fluide me Rusinë, Indinë apo Pakistanin.


Kina është rritur fuqishëm ekonomikisht, kryesisht falë kapitalit dhe tregjeve perëndimore, dhe sot është aktor kyç global. Edhe pse jo agresive në retorikë, Kina po rrit ndikimin përmes lidhjeve me Rusinë dhe përmes “borxheve” infrastrukturore në Afrikë (një formë skllavërie moderne ekonomike).

Diskutohet rreziku i një “Lufte III Botërore” në forma hibride: goditje ekonomike, destabilizim zinxhirësh furnizimi, luftë energjetike (p.sh. ngushtica e Hormuzit).  Ndërkohë që rritja e çmimeve të naftës dhe inflacioni ndikojnë drejtpërdrejt tregjet e kapitalit dhe ekonominë reale.


Shqipëria mbetet ekonomi kryesisht konsumatore; qëndrueshmëria është mbajtur nga flukset financiare nga jashtë. Për fatin tonë të keq, ndër vite ekonomia është zhvilluar në mënyrë amorfe, pa një strategji gjithëpërfshirëse ose të pjesshme duke pamundësuar krijimin e një modeli të rritjes ekonomike të qëndrueshme ne afatgjatësi. Zhvillimin ekonomik të vendit e kemi financuar vetëm me të ardhurat që vijnë kryesisht nga jashtë në formën e remitancave, apo dërgesave informale të ligjshme ose jo, por duke lënë pak ose aspak vlerë të shtuar brenda ekonomisë së vendit. Ekonomia e vendit tone ka evoluar gradualisht, pa arritur kurrë të krijojmë një industri të qenësishme që të ishte edhe shtylla e zhvillimit ekonomik të vendit.

Shqiptarët kanë krijuar vlerë të shtuar jashtë kufijve të vendit në të gjitha aspektet e fjalës vlerë, duke filluar nga emigrimi, puna e ndershme shkenca, teknologjia, arti e deri tek bota e errët e aktiviteteve të paligjshme. Pa paragjykuar burimet e vlerës së shtuar që kanë krijuar të ardhura, janë pikërisht këto që kanë financuar konsumin dhe siguruar një vazhdimësi të një jetë thuajse normale në një ekonomi që është kthyer në një “ekonomi spondë” e cila nuk mban vlerë të shtuar së brendshmi. Me fjalë të tjera të ardhurat që vijnë nga bijtë tanë emigrantë shërbejnë për të blerë domaten greke, mollën maqedonase etj., duke mos lënë vlerë të shtuar në ekonomi.

Pse nuk ka kolapsuar ende sistemi ynë ekonomik?  Sepse ende vijojmë të kemi prurje të vlerave monetare që shqiptarët krijojnë nëpër botë (jashtë kufijve të Shqipërisë), dhe i dërgojnë në Shqipëri për të bërë biznes ose për të ndihmuar të afërmit në konsumin e tyre të përditshme. Deri sa të vijojnë këto prurje, ekonomia qarkullon edhe pa mbajtur vlerë brenda vendit, por kurrë nuk do të ketë një zhvillim të qëndrueshëm nëse nuk prodhon mallra e shërbime mjaftueshëm për të përballuar të paktën kërkesën e brendshme.

A janë Edukimi dhe Përfshirja financiare një zgjidhje afatgjatë për Shqipërinë?  Padyshim që kanë një rëndësi shumë të madhe edukimi financiar e sidomos përfshirja financiare që ka të bëjë me përdorimin e mjeteve dhe instrumenteve financiare për të rritur mirëqenien e individëve. Por nuk janë gjithçka. Edukimi financiar është një problem sot edhe për vendet e zhvilluara. Jo aq sa në Shqipëri, por për një natyrë tjetër. Sepse atje zhvillimi i teknologjisë është aq i shpejtë sa brezat hasin vështirësi ta ndjekin dhe të adaptohen. Në Shqipërinë tonë niveli i edukimit dhe përfshirjes financiare është në nivele modeste. Pavarësisht raporteve deri diku optimiste të Bankës së Shqipërisë, duhet thënë që situata nuk është aspak premtuese. Kjo është arsyeja pse me një grup ekspertësh dhe miqsh ne kemi krijuar një portal falas për publikun ku përpiqemi të shpjegojmë ekonominë dhe indikatorët statistikorë me fjalë sa më të thjeshta e lehtësisht të absorbueshme nga publiku. Portali quhet Financiarisht i Pavarur dhe aty mund të gjeni plot informacione te dobishme për edukimin financiar. Na ndiqni në www.fip.al

 


Për të ndjekur episodin e plotë të ELEFANTI NË DHOMË, klikoni linkun: ELEFANTI NË DHOMË #94 Artan Gjergji: Shtrëngata ekonomike mes fantazmave të Luftës III Botërore


 


.

Comments