Problemi i Qeverisë së Madhe në ekonominë e Shqipërisë
Intervista / Artan Gjergji, ekspert i tregjeve financiare
Teksa shteti po kthehet gjithnjë e më shumë në një lojtar aktiv dhe jo thjesht një rregullator, z. Artan Gjergji, ekspert i tregjeve financiare, shpjegon rreziqet që mbart ky model.
Ai zbërtheu fenomenin e
“Crowding Out Effect”, ku kapitali publik dominues lë mënjanë sipërmarrjen
private, duke cenuar parimet bazë të konkurrencës së lirë dhe të ndershme.
Ai ngre shqetësimin se kthimi
i shtetit në punëdhënësin më të madh në vend, i shoqëruar me kontrata
koncesionare jotransparente, nuk rrit eficiencën, por përkundrazi, ushqen
nepotizmin dhe klientelizmin politik.
Duke qenë se qeveria po zgjeron rolin e saj në ekonomi përmes krijimit të ndërmarrjeve publike në sektorë strategjikë, si e vlerësoni këtë qasje në raport me parimet e tregut të lirë dhe ndikimin e saj afatgjatë në konkurrencën dhe zhvillimin e sektorit privat?
Siç bëhet e ditur tashmë edhe nga statistikat zyrtare të publikuara nga INSTAT, nuk është më e fshehtë që sektori publik është një ndër kontribuuesit më të mëdhenj të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së).
E ashtuquajtura “Qeveria e
Madhe” tashmë identifikohet lehtë tek u referohemi nivelit të lartë të
shpenzimeve buxhetore krahasuar me totalin e vlerës së ekonomisë së një vendit.
Po ashtu, zëra të rëndësishëm
në këtë kontekst konsiderohen edhe vlerat e kontratave koncesionare, vlerës së
investimeve publike të kontraktuara, e rikontraktuara disa herë nëpërmjet
shtesave dhe ri-shikimeve që u bëhen në mënyrë aspak transparente kontratave.
Nëse u referohemi terminologjisë që përdoret rëndom edhe në shkencat politiko-ekonomike, por edhe në zhargonin e përditshëm, një Qeveri konsiderohet me prani dhe ndërhyrje mjaft të madhe në ekonominë e një vendi nëse u referohemi një grupi indikatorësh që tregojnë shtrirjen, ndikimin dhe peshën e saj në ekonomi, shoqëri dhe administratë publike.
Padyshim që institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore, FMN, Banka Europiane e Investimeve, apo BERZH dhe OECD, shkojnë më në detaje për specifikimin dhe detajimin e mëtejshëm të këtyre indikatorëve, por esenca mbetet e njëjtë.
Një tjetër element shumë i rëndësishëm dhe faktor përcaktues që tregon më së miri rritjen e ndikimit të financave publike (alias pushtetit ekzekutiv) në ekonominë e vendit është edhe niveli i lartë i punëzënies që krijon Shteti (kupto buxheti dhe financat publike) në totalin e ekonomisë së një vendi.
Edhe këtu, Qeveria Shqiptare sa vjen dhe e ka rritur ndikimin e saj duke u kthyer (fatkeqësisht) në punëdhënesin më të madh në ekonominë e vendit.
Them fatkeqësisht pasi, duke i qëndruar besnik edhe doktrinave të ekonomisë së lirë të tregut, e fus veten tek ata ekonomistë që mendojnë dhe gjykojnë se eficienca më e lartë e përdorimit të resurseve dhe kapitaleve të një ekonomie bëhet nga sipërmarrja private.
Sepse në kushtet e një konkurrence të lirë e të ndershme, kapitali alokohet më me eficiencë në ata sektorë të ekonomisë që janë edhe më me vlerë të shtuar në ekonomi.
Çdo ndërhyrje e shtetit në ekonomi përtej rolit të arbitrit dhe garantuesit të konkurrencës së lartë lë vend për deformime të balancës së kërkesë-ofertës në treg (rasti më i mirë) e deri te nepotizmi dhe/apo korrupsioni i përdorimit të fondeve publike (rasti më i keq).
Thënë kjo, jo çdo lloj ndërhyrje apo prani e Shtetit në ekonomi (fondet publike apo investimet publike) është e keqe. Padyshim që në sektorë të caktuar dhe që janë të margjinalizuar (kanë fitime të vogla për të joshur tërheqjen e kapitalit privat) fondet publike mund të mbështesin përkohësisht nxitjen dhe zhvillimin e tyre.
Por kurrsesi kjo nuk mund të vazhdojë pafundësisht, dhe kurrsesi Shteti nuk mund të dalë përtej rolit të tij lehtësues dhe nxitës e të kthehet në lojtar të tregut pasi do të dëmtonte shumë balanca në tregun e lirë.
E kur kjo situatë shkon edhe m ëtej duke e bërë Shtetin lojtarin kryesor të tregut, atëherë situata bëhet edhe më e rrezikshme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e social.
Çfarë efekti pritet të kenë
këto struktura mbi konkurrencën dhe zhvillimin e sektorit privat?
Çdo ndërhyrje në marrëdhënien e konkurrencës mes aktorëve të tregut krijon deformime tregu dhe prishje të ekuilibrave të kërkesë-ofertës. E nëse kjo ndërhyrje vjen nga instancat shtetërore, efekti është shumë herë më negativ, sepse së bashku me deformimin përfshihen edhe elemente të tjera si nepotizmi, korrupsioni etj.
Është njëlloj si në një sallë gjyqi, gjyqtari që duhet të sigurojë paanshmëri dhe drejtësi mbi palët të bëhet i njëanshëm dhe favorizues me njërën prej palëve në sallë.
Ka një koncept në financat publike që quhet Efekti Përjashtues (Crowding Out Effect) që shkakton përdorimi masiv i fondeve publike në sektorët e një ekonomie të tregut. Sepse madhësia e kapitalit që ka në dispozicion Qeveria nuk krahasohet me kapitalin që mund të ketë sipërmarrja private.
Kjo e bën shtetin më të avantazhuar në sipërmarrje të caktuara nëse ky i fundit tenton të sillet si lojtar. Sepse pushteti politik ka përparësi të tjera që kanë pak ose aspak lidhje me eficiencën e përdorimit dhe alokimit të kapitalit.
Shteti nuk hyn në lojë me logjikën e një agjenti ekonomik që vlerëson kosto margjinale me përfitimet margjinale. E pikërisht ky element e bën kapitalin publik më dominues duke përjashtuar kapitalin privat nga konkurrenca e lirë dhe e ndershme.
Përveç kësaj, fondet publike të nxitura nga interesa politike synojnë të jenë joshëse në funksion të votave dhe garantimit të vazhdimësisë së pushtetit.
Kjo sjell dy pasoja negative për ekonominë e një vendi. Ose krijon një lloj “punëzënie fiktive të fshehur” (hidden emploeyement), sepse pushteti rrit punësimet fiktivisht përtej nevojave reale, për efekt elektoral dhe jo i bazuar në eficiencën e përdorimit të kapitalit apo të burimeve njerëzore.
Ose rrit në mënyrë fiktive nivelin e pagave të sektorit publik, duke i bërë konkurrencë të pandershme sektorit privat.
Them në mënyrë të pandershme, sepse buxheti i shtetit nuk prodhon para, dhe si i tillë në konflikt të plotë interesi mbijeton në kurriz të barrës tatimore që rëndon mbi biznesin privat, i cili duhet të përballet edhe me kostot e shtuara që vijnë sa nga largimi dhe emigrimi i popullsisë, aq edhe nga konkurrenca e pandershme e pushtetit ekzekutiv i cili përcakton dhe hierarkinë e pagave.
E thënë me fjalë më të thjeshta, (pu)Shteti “bën bujarin” me votuesit e tij potencialë, duke futur dorën në xhepat e biznesit (rritja e barrës tatimore), në mënyrë që paradoksalisht t’i marrë punonjësit nga sektori privat në drejtim të administratës publike.
Mendoj që është fatkeqësi e madhe për ekonominë e një vendi, kur sipërmarrësi privat ul qepenin e biznesit të tij, për të pranuar një punë si rrogëtar në Shtet.
Kjo është situata sot në Shqipëri, dhe shpesh i bëj pyetjen retorike vetes: “A mendon ky Shtet se ku do të mbledhë taksa nëse në mënyrë direkte ose indirekte konkurron, përjashton apo edhe falimenton sipërmarrjen private?”.
Sa i lartë është rreziku i
keqmenaxhimit, klientelizmit dhe kostove për buxhetin publik?
E kam thënë edhe më lart që asgjë e mirë nuk vjen nga roli protagonist i Shtetit në ekonominë e vendit. Krejt e kundërta ndodh nëse Shteti do të luante vetëm rolin e arbitrit, që nga njëra anë të mundësojë një konkurrencë të lirë e të ndershme mes operatorëve të tregut pa u bërë vetë palë.
Por nga ana tjetër do të ishte aty vigjilent për të mbikëqyrur çdo praktikë abuzive që këta operatorë tregu do të aplikonin (të verbuar nga dëshira për fitime maksimale) në kurriz të konsumatorëve të vegjël e të painformuar apo paedukuar.
Dalja e Shtetit (fondeve publike) nga kjo llogore, i bën ata jo vetëm palë në treg duke deformuar balancat, por për shkaqe elektorale, rrit shanset për abuzime, klientelizma, tarafe e nepotizmi e deri në korrupsione të niveleve të larta.
Nacionalizmi i sipërmarrjeve fitimprurëse, përveçse kryesisht ka ndodhur në vende që nuk janë demokraci të mirëfillta apo kanë qenë vende diktatoriale, kurrë nuk ka rezultuar i suksesshëm si eksperiment. Dhe kurrë nuk ka për të rezultuar.
A ka alternativa më efikase
dhe më pak ndërhyrëse nga shteti për të arritur të njëjtat objektiva ekonomikë?
Padyshim që po. Siç e kam thënë më lart, roli i shtetit në ekonomi duhet të jetë sa më i vogël, sa më lehtësues në drejtim të të bërit biznes duke ulur nivelin dhe kostot e burokracisë apo ulur nivelin e taksave (roli i mbështetësit të sipërmarrjes së lirë), apo duke nxitur dhe duke mbrojtur konkurrencën e lirë mes aktorëve në treg (roli i arbitrit të paanshëm).
Vetëm një konkurrencë e lirë dhe e ndershme mes aktorëve të tregut rrit eficiencën e alokimit të burimeve në ekonominë e një vendi, duke reduktuar në maksimum kostot për qytetarët dhe ndikuar pozitivisht në rritjen e mirëqenies së tyre.
Gjithashtu, tek është
mbështetës dhe garantues i konkurrencës, Shteti duhet të mbrojë padyshim edhe
interesat e konsumatorëve, apo të mundësojë një funksionim bazik të disa
sektorëve ku kapitali privat nuk shikon përfitime të mëdha për të hyrë në
mënyrë imediate (në ekonomi njihen edhe si “monopole natyrore”, siç janë
diplomacia, gjyqësori, mbrojtja kombëtare etj.)
Shenim: Ky artikull eshte
publikuar ne Reviten Monitor, date 22 Gusht 2026.
.






Comments
Post a Comment