Liberalizimi i tregut dhe domosdoshmëria e një Ombudsmani Financiar !

nga Artan Gjergji

Gazeta MAPO, Maj 2012

Debatit mbi të ashtuquajturin “abuzim” të sistemit bankar mbi konsumatorët (qytetarët dhe bizneset) i është shtuar ditët e fundit një element krejt i ri. Vetëm para disa ditësh, mediat publikuan të dhëna mbi një hetim të realizuar nga Autoriteti i Konkurrencës mbi sektorin bankar. Vendimi që ka marrë ky institucion dhe që mund të gjendet i publikuar në faqen zyrtare (shpresojmë që Autoriteti të jetë transparent dhe të publikojë të gjithë raportin e hetimit), evidenton faktin që abuzimi i sistemit bankar vjen kryesisht nga mungesa e transparencës që këta operatorë (bankat) kanë mbi konsumatorët. E në këtë këndvështrim, u propozohet organeve kompetente të rrisin instrumentet e mbikëqyrjes si dhe të forcojnë masat detyruese për të rritur transparencën e sistemit bankar karshi konsumatorëve. Javë më parë kryeministri kishte qenë më i drejtpërdrejtë duke propozuar madje deri edhe përcaktim të niveleve tavan për komisionet e aplikuara nga bankat (dhe çmimet e tarifave celulare) apo tatim më të lartë të këtyre shërbimeve.


Pavarësisht populizmit të kryeministrit dhe politikave të tij Keynesian-iste për ndërhyrjen e shtetit në ekonomi, pavarësisht hetimit të pjesshëm të realizuar në nivel teknik nga Autoriteti i Konkurrencës, nuk është kjo zgjidhja e duhur në asnjë lloj këndvështrimi. E vetmja zgjidhje që funksionon në një ekonomi të lirë tregu është liberalizimi i sektorëve të caktuar të ekonomisë duke mundësuar rritjen e konkurrencës së lirë e të ndershme. Vetëm kështu, do e shohim që shumë shpejt do kemi një situatë krejt tjetër. Një situatë ku subjektet financiare do konkurrojnë në mënyrë agresive për të pasur më shumë klientë, një situatë ku do tentojnë t’i joshin këta të fundit jo me oferta fallco e jo transparente, por me oferta me leverdi ekonomike për këta të fundit. Po si mund të arrihet kjo? 

Liberalizimi i shërbimeve bankare si për bankat ashtu edhe për konsumatorët është rruga kryesore. Ndër gjetjet primare të Autoritetit të konkurrencës ishte fakti që tarifat e sistemit bankar janë të larta për shkak të mundësive të pakta që kanë konsumatorët (kërkesa inelastike) për të zgjedhur shërbime më të mira dhe më të lira. Thënë ndryshe, nuk ekziston një konkurrencë e lartë në tregun bankar si dhe ka një numër të ulët operatorësh që ofrojnë këto shërbime. Liberalizimi i shërbimeve financiare mund të fillojë që nga lehtësimi i procedurave burokratike në mini-sektorë të caktuar brenda atij bankar (p.sh sektori i pagesave nëpërmjet kartave të kreditit apo debitit të mos jetë vetëm eksluzivitet i bankave) e deri tek një liberalizim i mirëmenduar por i guximshëm i procedurave për hyrjen në treg të subjekteve të tjera që mund jenë banka të reja ose që mund të ofrojnë shërbime bankare njëlloj si 16 bankat aktuale (p.sh institucionet jo-banka por që ofrojnë shërbime kreditimi mund të lejohen të marrin depozita të paktën nga klientët e tyre duke rritur shumë konkurrencën në treg). Në anën tjetër, e njëjta gjë duhet të jetë e vlefshme për konsumatorët (kryesisht biznese), të cilët me një vendim qeverie absurd dhe në kundërshtim me logjikën e tregut, i detyrojnë këta të fundit të kryejnë të gjitha transaksionet nëpërmjet sistemit bankar. E kjo u “garanton” tregun bankave duke marrë parasysh faktin që bankat janë institucione që blejnë (marrin në formën e depozitave) dhe shesin para (japin kredi). Personalisht kam qenë gjithnjë i mendimit që sasia e madhe e cash-it në ekonomi vjen pikërisht për shkak të mungesës së konkurrencës së plotë në sektorin bankar dhe numrit të vogël të bankave në treg të cilat janë të kënaqura me pjesën e tortës së tyre dhe përfitimet që u ofrojnë aksionarëve të tyre, në kushtet e një risku relativisht të vogël.

Transparenca është e vërtetë që është një problem në sektorin bankar. Në rastin më të mirë mungesa e transparencës vjen nga kultura relativisht e vakët financiare që kanë konsumatorët shqiptarë për tregun dhe produktet financiare për të kuptuar produktet dhe shërbimet e komplikuara që u shesin bankat (në kushtet e një konkurrence të lartë, vetë bankat do zinin radhën që të bindnin konsumatorët që produkti i tyre është më i mirë). Ndërsa në rastin më të keq, bankat me dije të plotë u “fshehin” klientëve të tyre mjaft detaje të rëndësishme që mund t’i ndikonin konsumatorët në vendimmarrje. Megjithatë, në vend të shtërngimit të kuadrit rregulaltiv në këtë drejtim, vëmendja e rregullatorit (Bankës së Shqipërisë) duhet më shumë të fokusohet tek mbikëqyrja e zbatimit me rigorozitet të rregullave që janë në fuqi aktualisht. Shtimi i procedurave burokratike dhe detyrimeve administrative veç sa rrit koston e bankave duke mos sjellë asnjë përfitim direkt tek konsumatori fundor.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, ka kohë që nga analistë të ekonomisë është hedhur për debat (edhe pse zyrtarisht propozohet për herë të parë nga Autoriteti i Konkurrencës) ideja e krijimit të një Ombudsmani për sektorin bankar. Kjo fjalë rrjedh nga gjuhët e vjetra skandinave dhe ka kuptimin e një “përfaqësuesi”, por në terminologjinë juridike dhe tashmë praktikën institucionale tregon një individ apo institucion i cili mbron interesat e një komuniteti të caktuar (punonjësish, qytetare lokalë, konsumatorë, shtetas etj). Rasti më i njohur i një ombudsmani është ai i Avokatit të Popullit i cili mbron të drejtat dhe liritë e shtetasve shqiptarë në marrëdhënie me shtetin dhe organet e ligjit. Duke nisur që nga fillimi i mijëvjeçarit të ri, kryesisht për shkak të zhvillimit të shpejtë të tregjeve financiare dhe zhvillimit të IT-së së bashku me produktet financiare të ofruara në tregje, sollën nevojën për krijimin e një institucioni i cili të mbronte konsumatorët e tregut financiar prej abuzimeve të mundshme nga operatorët. Kështu tashmë strukturën e Obdusmanit Financiar e gjejmë kryesisht në vende që aplikojnë një model anlo-sakson të zhvillimit të tregut financiar si Britania e Madhe, Irlanda, Australia dhe SHBA-të.

Duke parë problematikën që ka zhvillimi i tregut financiar shqiptar, duhet thënë që krijimi i një ombudsmani financiar do ishte një zhvillim pozitiv për tregun, pasi do kishte një derë ku konsumatorët të arrinin të adresonin ankesat e tyre në lidhje me pretendimet për abuzime nga operatorët financiarë. Madje në ndryshim nga Autoriteti i Konkurrencës, gjykoj se ky ombudsman duhet të përfshijë të gjithë tregun financiar, sektorin bankar dhe atë jo-bankar (ankesat ndaj kompanive të sigurimeve, fondeve të pensioneve etj). Aktualisht, jemi dëshmitarë të abuzimeve të njëanshme nga operatorët (bankat) jo vetëm në drejtim të transparencës, por edhe në shkelje të kontratave të firmosura me klientët në kurriz dhe disfavor të këtyre të fundit. E pavarësisht këtij fakti,  Banka e Shqipërisë (BSH) nuk e ka një organizëm të tillë ku konsumatorët e të ankimohen për të kërkuar një të drejtë. Në anën tjetër, edhe pse pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ekziston një komision për shqyrtimin e ankesave të konsumatorëve, realisht impakti i tij tek konsumatorët apo mbi “perandorinë” e shoqërive të sigurimit është ende i vogël për të mos thënë i pakonsiderueshëm. Në këtë këndvështrim, krijimi i obudsmanit financiar si strukturë të varur fillimisht nga BSH e AMF dhe në një fazë më të vonë, pse jo edhe direkt nga Parlamenti, do ishte një zhvillim i cili do ndikonte pozitivisht në zhvillimin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Së fundmi është me vend të thuhet që një nismë e tillë duhet të shoqërohet patjetër edhe me miratimin sa më parë të Gjykatës Administrative, si hallka më e fundit e ankimimit të një çështjeje tregtare.


Shënim: Ky shkrim është publikuar në gazetën e përditshme “MAPO, në Maj 2012

 

 


Comments

Popular Posts