Bankat duhet të shikojnë përtej kornizave tradicionale të financimit
Bankat e nivelit të dytë duhet të kthejnë sytë nga shërbimet e investimit dhe tregu i kapitaleve si katalizator i zhvillimit ekonomik në dekadën e ardhshme
nga Artan GJERGJI, Ekspert i Tregjeve Financiare
Botuar për Politiko.al, Prill 2017
Të angazhuara me tematikën politike të ditës (refroma në drejtësi dhe vettingu) apo me periudhën post-Brexit si dhe të sfilitura nga i nxehti afrikan i verës së shkuar, mediat shqiptare pothuaj nuk u ndalën fare në konkluzionet aq të rëndësishme të raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Raportit Vjetor 2015 të Bankës së Shqipërisë si dy publikimet më të rëndësishme në lidhje me ecurinë e ekonomisë së vendit. Duke qenë se objekt i këtij shkrimi është tregu financiar, edhe dokumenti më i rëndësishëm të cilit do t’i referohemi është raporti i përvitshëm i BSH i cili, si gjithmonë ishte tejet realist dhe analitik.
Në esencë të asaj që konsataton BSH për vitin 2015 rezulton se ekonomia e vendit edhe pse me rritje të përllogaritur diku tek 2.7%, përsëri është një ekonomi e cila nuk i shfrytëzon të gjitha kapacitetet e saj. Pavarësisht shpresave të mëdha tek sektorët e bujqësisë dhe turizmit (të dy sektorë me rënie krahasuar me 2014) si kuajt e betejës që do të tërhiqnin zhvillimin ekonomik të vendit, përsëri rezulton se sektorët që ndikojnë më shumë GDP-në janë shërbimet dhe ndërtimi me një ri-alokim të lehtë të kapitalit nga ndërtimi në drejtim të industrisë. Me fjalë të tjera, operatorët ekonomikë vazhdojnë të qëndrojnë në llogoret e vjetra pavarësisht maturimit të këtyre tregjeve dhe problematikave që kanë pasur (fakt jo shumë shpresëdhënës për një rritje të qëndrueshme ekonomike në të ardhmen).
Ndërkohë dihet që tre janë shtyllat kryesore që nxisin dhe mbajnë peshën e
zhvillimit ekonomik të një vendi:
a)
investimet
publike (të realizuara kryesishtnga Qeveria),
b)
investimet
private (nga biznesi dhe kapitali privat), si dhe
c) investimet e huaja direkte (FDIs) të cilat janë investime të ardhura nga operatorë ekonomikë jashtë vendit që tregojnë interes për Shqipërinë.
Nëse bëjmë një analizë të këtyre komponentëve do vërenim se investimet publike kanë rënë në mënyrë drastike për shkak të politikës së konsolidimit fiskal që po luan Qeveria nën rekomandimet edhe të FMN-së (reduktim shpenzimesh publike dhe luftë për rritjen e të ardhurave tatimore). Ndërkohë që, sikur te mos ishin investimet e projektit gazsjelles TAP, edhe investimet e huaja janë në një nivel pothuaj të papërfillshëm në dy vitet e fundit. Për rrjedhojë, s’na mbetet vec të kthejmë sytë nga investimet private si e vetmja mënyrë për të mbajtur ritmin e zhvillimit pozitiv të ekonomisë së vendit, në këtë periudhë anemike. Por edhe këtu situata nuk është aq rozë.
Sipas BSH, aktiviteti kreditues për vitin që shkoi ka qenë shumë i
ngadaltë, kryesisht për shkak të kritereve strikte në financim nga bankat
sidomos për bizneset e mëdha, por edhe nga vetë mungesa e interesit nga biznesi
privat (shënim i autorit: unë do e përktheja si “lodhje” të
biznesit nga kërkesat shtërnguese të bankave, të cilat në vetvete shterngohen
nga kuadri ligjor e rregullativ prudencial). Paradoksalisht kjo situatë
shoqërohet me një rritje të nivelit të depozitave (me burim kryesisht nga remitancat),
por me një element të ri në sistemin bankar. Është rritur niveli i depozitave
pa afat, cka tregon që depozituesit në kushtet e normave shumë të ulëta të
interesit (politika monetare e BSH), por presin momentin për një alternativë më
të mirë investimi që të largohen nga bankat të cilat nuk janë më joshëse për
kursimet e tyre.
Tregu Financiar Shqiptar,
mes paradoksit dhe realitetit
Sado paradoksale tingëllon për ata që e njohin mirë ekonominë dhe financat, Shqipëria është një vend i cili edhe pse ka një nivel të lartë likuiditeti në sistemin bankar (në formën e depozitave) dhe një nivel jo të vogël të sasisë së parave jashtë bankave, përsëri komuniteti i biznesit vuan për aksesimin e burimeve financiare të cilat do t’i mundësonin një zhvillim të qëndrueshëm për të ardhmen nga njëra anë, por edhe do të sillnin një nivel disa herë më të lartë të konsumit në kushtet e rritjes së punësimit për shkak të rritjes së kapaciteteve të biznesit. Flitet shumë për këtë fenomen në media, në forume akademikësh në konferenca për shtyp, ku evidentohen mjaft problematika minore por asnjëherë nuk flitet për shkakun e vërtetë dhe arsyen kryesore pse ndodh kjo: “mungesa e tregut të zhvilluar të kapitaleve dhe Bursës si një alternativë që do zhbllokonte mekanizmin ekonomik nga ky ngërç shumë-vjecar”.
Sistemi financiar në strukturën ekonomike të një vendi është i ngjashëm me
funksionin që kanë mushkëritë në organizmin e njeriut, ndërsa sektori bankar
dhe tregu i kapitaleve janë si secila prej mushkërive më vete të cilat
furnizojnë më ajër (kupto fonde) gjakun (zhvillimin ekonomik) e trupit të
njeriut. E nëse do i rrinim besnikë paralelizmit, duhet të themi që ekonomia e
vendit tonë ka më shume se një çerek shekulli që funksionon me një mushkëri:
vetëm me sektorin bankar. Pa dashur t’i hyj historikut dhe shkaqeve që na kanë
sjellë në këtë gjëndje, do preferoja të shikohej më shumë përpara për t’i dhënë
një zgjidhje imediate situatës në të cilën ndodhemi.
Bankat duhet të drejtohen
drejt shërbimeve jo-tradicionale të investimeve në tituj
Për vite me radhë edhe pse ekzistonte si një institucion shtetëror, Bursa e Tiranës mbeti një koncept juridik dhe kurrë nuk arriti të bëhej një faktor në tregun financiar, duke mos ngjallur as interesin e biznesit. Thënë kjo, në kushtet në të cilat ndodhet zhvillimi ekonomik i vendit, por edhe situata e sektorit bankar me një nivel likuiditeti të lartë me kosto jo të vogël të parasë, dhe nivel kredidhënie minimal e kërkesa sasiore por edhe burokratike të konsiderueshme, me një ekspozim jo të vogël karshi ekonomisë e sidomos pasurieve të patundshme, gjykojmë se është me vend që vetë bankat e nivelit të dytë duhet të marrin seriozisht në konsideratë ndryshimin e kursit. Tashmë nuk është blasfemi të thuhet që bankat e nivelit të dytë duhet të dalin jashtë korrnizave të bankingut konvenciaonal dhe të hedhin hapa të matur por të sigurtë drejt shërbimeve financiare jo-tradicionale që kanë të bëjnë me industrinë e titujve dhe shërbimet e investimit. Në këtë mënyrë vetë bankat do të udhëhiqnin operatorët ekonomikë në drejtim të zhvillimit hap pas hapi të tregut të kapitaleve, duke u mundësuar bizneseve mundësi të tjera financimi të ndryshme nga kredia bankare, dhe likuiditetit të tepërt në sistem (depozitave) alternativa të tjera ndoshta më interesante për norma kthimi më të larta.
Më konkretisht, bankat duhet të fillojnë të ofrojnë për operatorët
ekonomikë:
- Shërbime
investimi në tituj duke orientuar depozituesit drejt shërbimeve dhe produkteve
financiare alternative,
- Shërbime
të nënshkrimit të titujve duke u mundësuar bizneseve emetimin e titujve të
borxhit privat afatshkurtër (dëftesa tregtare) dhe afatgjatë (obligacione
korporate),
- Konvertimin
e pozicioneve të kredive korporatë në emetim titujsh borxhi, duke nxjerrë nga
bilancet e tyre një pjesë të subjekteve ndaj të cilëve kanë ekspozim në sasi të
mëdha,
- Ngritjen
e strukturave që orojnë shërbimet mbështetëse për shërbimet e investimeve në
tituj sic janë kujdestarët apo depozitarët e titujve,
- Ngritjen e strukturave për nxitjen e skemave të kursimeve dhe investimeve kolektive sipas praktikave m të mira ndërkombëtare sic janë fondet e pensioneve dhe fondet e investimeve.
Pavarësisht se ende kuadri ligjor e rregullativ nuk e lejon në mënyrë eksplicite, shërbimet e investimit mund të jenë një mundësi mjaft e mirë edhe për zgjidhjen e një pjese jo të vogël të problemeve që kanë bankat me kreditë e këqija. Siç dihet, një pjesë jo e vogël e kredive të pakthyera në bilancet e bankave është e ngurtësuar në pasuri të patundshme të cilat edhe pse ligjërisht kanë kaluar në pronësi të bankave, përsëri janë asetet të fjetura dhe nuk prodhojnë të ardhura për bankat, ndërkohë që edhe tregu i pasurive të palujatshme nuk është mjaft likuid për shkak të tejngopjes në anën e ofertës. Pikëkrisht në tregjet e zhvilluara financiare, ekzistojnë institucione financiare të ngjashme me fondet e investimeve (që legjislacioni yne i njeh), por që fondet e tyre janë të investuara në pasuri të patundshme. Nëse të ashtuquajturat REITs (Real Estate Investment Trusts) krijon si struktura juridike jashtë bankave, këto fonde u mundësojnë atyre jo vetëm lehtësimin e barrës që krijojnë në bilancet e bankave por edhe gjenerojnë të ardhura (vihen në funksion me qira ose ne shitje me kuota) duke mos qenë më asete të fjetura.
E fundit por jo më pak e rëndësishmja, bankat mund të marrin një pozicion
mjaft aktiv në drejtim të krijimit të bursës me kapital tërësisht privat nga
vetë bankat si dhe ta nxisin zhvillimin e saj duke alokuar një pjesë të
konsiderueshme të transaksioneve në tituj të Qeverisë (bono dhe obligacione thesari)
që kryejnë aktualisht, apo edhe duke alokuar produktet e tjera të borxhit
privat që pritet të krijojnë në rast të përqafimit të ideve revolucionare në
tregun financiar (dëftesat tregtare, obligacionet e korporatave apo edhe
aksionet e korporatave). Edhe pse në teoritë klasike sektori bankar dhe tregu i
kapitaleve kosniderohen si sektorë konkurrencialë, teoritë bashkëkohore të
zhvillimeve financiare të ndikuara edhe nga zhvillimi i teknologjisë dhe
informacionit, i konsiderojnë sektorë plotësues (komplementarë) të cilët nxisin
konkurrencën, efikasitetin e tregut, ulin kostot e ndërmjetësimit dhe rrisin
ekonoinë e shkallës.
Duhet mbështetja e
Rregullatorëve
Padyshim që në të gjithë këtë skenar një rol jashtë mase të rëndësishëm kanë rregullatorët të cilët kanë për detyrë jo vetëm funksionet bazë (licensim, mbilëqyrje, mbrojtje konsumatori), por edhe identifikimin e politikave të tilla që nxisin industrinë në të mirë të konsumatorëve dhe tregjeve. Në këtë këndvështrim, gjykohet se puna e Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare duhet të koordinohet shumë dhe të punohet në mënyrë të organizuar në drejtim të hartimit të politikave nxitëse/lehtësuese/liberalizuese që krijojnë ambjentin e përshtatshëm për:
- Zhvillimin e tregut të kapitaleve dhe
industrisë së titujve, pasi kjo do sillte
- Një
zgjidhje të shpejtë dhe efikase të ngërcit të likuiditetit mes sektorit bankar
likuid dhe nevojës për fonde nga biznesi në ekspansion
- Mobilizimin
e fondeve të fjetura në sektorin bankar duke sjellë vlerë të shtuar në rritjen
ekonomike të vendit
- Clirimin
e bankave nga pozicionet e ekspozimit karshi korporatave të mëdha me trend
pozitiv zhvillimi dhe ekspansioni. Pamundësia kuantitative-prudenciale-rregullative
e bankave për të financuar këto subjekte, do të lehtësohej nga alokimi dhe
adresimi i këtyre nevojave në tregun e kapitaleve.
- Facilitimin dhe liberalizimin e
procesit të licensimit të operatorëve të shërbimeve të reja në treg, pasi kjo do të sillte:
-
Zhvillimin
e tregjeve dhe shërbimeve të reja në industrinë financiare,
-
Rritjen
e konkurrencës mes operatorëve dhe ndërmjetëve,
-
Uljen
e kostove të ndërmjetësismit në favor të konsumatorëve,
-
Përmirësimin
e produktivitetit dhe rritjen e eficencës së tregjeve.
Sa më shpejt bankat të përqafojnë ide të tilla jo-tradicionale tashmë të përdorura gjerësisht në tregjet financiare ndërkombëtare aq më shpejt tregu do të orientohet drejt ekonomisë së shkallës dhe gjejë ekuilibrin e munguar të një rritje ekonomike të shpejtë e të qëndrueshme. Nga ana tjetër, rregullatorët do të jenë mbështetës e promovues (në rastin më të mirë) apo do të bëjnë të pamundurën të jenë në një hap me zhvillimet e tregut (në rastin më pesimit).
Linku i shkrimit: https://politiko.al/disa-ide-jo-tradicionale-per-bankat
Comments
Post a Comment