Revolucioni në kuadrin ligjor të tregjeve financiare në Shqipëri
Zhvillimi i Sistemit Financiar në Shqipërinë Post-Comuniste
Sistemi financiar
në Shqipëri ka pasur një zhvillim gradual në tre dekadat e fundit të rrugëtimit
të tij në ekonominë e tregut të lirë. Ndarja klasike mes sektorit bankar dhe
atij jo-bankar si pjesë përbërëse të sistemit financiar në vendin tonë, ka qenë
shumë herë më e theksuar, për shkak të një zhvillimi asimetrik të tyre. Kështu
ndër vite, sektori bankar ka pasur një zhvillim të qëndrueshëm e gjithnjë në
rritje si nga pikëpamja arkitekturore, institucionale ashtu edhe nga pikëpamja
ligjore e rregullative. Ndërkohë që sektori jo-bankar i ka fillimet e tij të
hershme mjaft modeste që në vitet 1996 me krijimin e bursës shtetërore (Bursa e
Tiranës), e cila kurrë nuk u përfshi në procesin e privatizimit duke e mbajtur
tregun e kapitaleve në një fazë stanjacioni. Gjithashtu, liberalizimi i tregut
të sigurimeve filloi vetëm pas vitit 1998, ndërsa fazat e para të zhvillimit të skemave kolektive të
kursimit dhe investimit (fonde pensioni dhe investimi) filluan të krijohen pas
vitit 2012.
Sistemi financiar
sot ka arritur në një nivel të konsiderueshëm madhësie, i cili konsiderohet më
i lartë se 108% të nivelit të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Sipas
publikimeve të Bankës së Shqipërisë totali i aseteve të sektorit bankar dominon
të gjithë sistemin me mbi 98% të PBB-së ose rreth 90.7% të peshës së gjithë
sistemit financiar, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga institucionet financiare
jo-banka të mbikëqyrura nga vetë BSH apo AMF.
Struktura e
Sektorit Financiar në Shqipëri (pesha e Aktiveve si % ndaj PBB-së)
Burimi: Banka e Shqipërisë, Treguesit
e Stabilitetit Financiar, Struktura e Sektorit Financiar
Aktualisht në
sektorin bankar operojnë rreth 12 banka tregtare, pasi ky sektor ka pësuar një
sërë ristrukturimesh dhe lëvizje të kapitalit të huaj me blerje-shitje si
pasojë ë konjukturave të tregjeve ndërkombëtare. Gjithashtu sektori ka rreth 30
operatorë si institucione financiare jo-banka (mikrofinance, factoring, leasing, para elektronike, transferim parash
etj.), si dhe më shumë se 500 Zyra të Këmbimit Valutor (ZKV) të mbikëqyrura
nga BSH.[1]
Në sektorin
jo-bankar të mbikëqyrur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF),
ushtrojnë aktivitetin aktualisht:
-
Tregu i Sigurimeve - 10 kompani të
sigurimit të produkteve të jo-jetës, 3 kompani të sigurimit të jetës, 19
shoqëri brokerimi në sigurime, 679 agjentë dhe 72 vlerësuesh dëmesh.
-
Tregu i Kapitaleve dhe Letrave me Vlerë[2] – 1
bursë titujsh, 14 shoqëri komisionere,
30 brokera fizikë, 9 kujdestarë titujsh, 2 regjistrues titujsh, 2 shoqëri të
këshillimit për investime në tituj.
-
Tregu i Fondeve – 4 shoqëri të administrimit të
fondeve, 3 kujdestarë fondesh, 5 fonde investimit dhe 3 fonde pensionesh.[3]
Mbikëqyrja e Tregjeve
Parë nga
këndvështrimi i rregullimit të tregjeve financiare, edhe ecuria institucioneve
mbikëqyrëse ka ndjekur të njëjtën trajektore. Teksa enti rregullator i sektorit
bankar, Banka e Shqipërisë, jo vetëm që
ka një histori pothuaj një shekullore,[4]
por gjatë gjithë viteve të tranzicionit e deri më sot nuk ka pësuar kurrë një
ndryshim strukturor që të ketë ndikuar në vazhdimësinë e punës së saj si
mbikëqyrëse e stabilitetit financiar. Përkundrazi, me suportin e kujdesshëm të
institucioneve financiare ndërkombëtare, banka qëndrore ndër vite ka fituar
shumë më tepër pavarësi institucionale dhe vendimmarrëse. Edhe pse klasa
politike ka ruajtur një distancë të kënaqshme nga rregullatorët e tjerë të
sektorit jo-bankar, pësëri eficenca institucionale e këtyre rregullatorëve ka
lënë për të dëshiruar sa për shkak të fragmentarizimin të tyre,[5]
aq edhe për shkak të fazave të ndryshme kur ka filluar mbështetja financiare e
ligjore e Qeverive shqiptare për këto sektorë. Vetëm në vitin 2006, nën
kujdesin dhe asistencën e ngushtë të Bankës Botërore, Shqipëria ia doli të realizonte
një integrim dhe përqendrim të plotë të institucioneve rregullatore të tregjeve
jo-bankare në një ent rregullator më vete, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare
(AMF). Që nga ajo kohë, zhvillimi i tregjeve financiare jo-bankare (tregu i
sigurimeve, tregu i kapitaleve dhe tregu i fondeve të pensioneve e Investimeve)
ka pasur një hap cilësor e të qëndrueshëm zhvillimi, si në aspektin
institucional (përfshi shërbimet dhe produktet financiare), ashtu edhe në
aspektin rregullativ e mbikëqyrës.
Kuadri Ligjor – më pranë Direktivave
të BE-së
Megjithatë,
përtej ecurisë diku të qëndrueshme e diku të luhatshme të zhvillimit të
tregjeve financiare në Shqipëri, duhet thënë se ka një hop mjaft cilësor e të
dukshëm në drejtim të pëmirësimit të kuadrit ligjor e rregullativ që mbulon
këto tregje, sidomos në dekadën e fundit, që kur Shqipëria është futur dukshëm
në trajektoren e integrimit në Bashkimin Europian dhe strukturat Euro-Atlantike.
Si pjesë e procesit të negociatave, komponenti i harmonizimit të legjislacionit
kombëtar me acquis communautaire ka
pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në këtë drejtim. Këtu merita përvec
gadishmërisë së Qeverive shqiptare, padyshim që ka qene edhe donatorëve të huaj,
të cilët tashmë e koordinojnë alokimin e fondeve drejt sektorëve prioritarë,
duke rritur edhe eficencën e përdorimit të këtyre fondeve.
Pikërisht në këtë
këndvështrim, përtej dritëhijeve dhe kostove që shkaktuan në ekonominë e vendit
dy tërmetet e fund vitit 2019 dhe pandemia COVID-19, duhet thënë se viti 2020
ka shënuar një vit mjaft të sukseshëm në drejtim të revolucionarizimit të
kuadrit ligjor në sistemin financiar. Kështu pas një mbështetjeje të fuqishme
që i kanë dhënë këtij sektori fondet e BE-së dhe Bankës Botërore nëpërmjet
Sekretariati Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), Parlamenti Shqiptar
miratoi 4 ligje shume të rëndësishme që mbulojnë tregjet financiare. Këto ligje
u përgatitën nga BSH dhe AMF në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe
Ekonomisë si dhe asistencën e pacmuar të ekspertëve të Bankës Botërore.
Përtej
funksioneve klasike që kanë rregullatorët dhe organet kompetente në çdo vend të
cilat kanë të bëjnë me zhvillimin e industrive nën mbikëqyrje, licensimin dhe
mbikëqyrjen e operatorëve, mbrotjen e konsumatorit dhe minimizimin e risqeve që
mund të dëmtojnë të gjithë parametrat e sipërpërmendur, duhet thënë që vendet
në zhvillim si Shqipëria kanë plot sfida të tjera të cilat kërkojnë një adresim
sa më të shpejtë, duke i mundësuar tregut financiar në vend një integrim sa më
të shpejtë në tregjet europiane. Tre janë shtyllat kryesore që përbëjnë një
sfidë të vazhdueshme:
-
Rritja e nivelit të përfshirjes financiare të popullatës
dhe përdorimi i shërbimeve financiare duke eleminuar ekonominë cash,
-
Zhvillimi dhe mbështetja e tregjeve të kapitalit si një
mënyrë mjaft e dobishme për të nxitur konkurrencën, ulur kostot financiare dhe
rritur eficiencën në tregjet financiare duke ndikuar pozitivisht në rritjen e
ekonomisë së shkallë.
-
Rritja e përdorimit të produkteve dhe mjeteve të
tekonologjisë moderne financiare (FinTech) në çdo shërbim financiar.
Revolucioni Ligjor në Tregun Financiar
Pikërisht duke
identifikuar këto problematika, BSH dhe AMF me mbështetjen donatorëve dhe pas
një pune të konsiderueshme me ekspertë ndërkombëtarë arritën me sukses
miratimin e një sërë ligjesh që do të kenë një ndikim pozitiv afatgjatë në
perspektivën e zhvillimit të tregut financiar në vend.
A.
Sistemi i Pagesave - Përfshirja
financiare nënkupton që individët dhe bizneset të aksesojnë produkte dhe
shërbime financiare jo të kushtueshme (pagesa, kursime, hua dhe sigurime) që
plotësojnë nevojat në jetën e tyre të përditshme. Për shkak të një administrimi
më të mirë që i bëjnë individët raportit të ardhura-shpenzime, përfshirja
financiare konsiderohet si një mjet për të ulur varfërinë dhe rritur
mirëqënien. Duke njohur këto kapacitete, komuniteti ndërkombëtar i zhvillimit
ka vënë theksin në zgjerimin e përfshirjes financiare në dhjetëvjeçarin e
fundit. Ajo është njohur si një nxitës kyç i Objektivave të Zhvillimit të
Qëndrueshëm (SDGs) dhe është pjesë e agjendës së G20-ës, nëpërmjet
Partneritetit të Global për Përfshirjen Financiare (GPFI). Në vitin 2013, Grupi
i Bankës Botërore njoftoi një vizion ambicioz të Qasjes Financiare Universale (UFA)
deri në vitin 2020, ku të gjithë të rriturit do të kenë akses në një llogari të
transaksioneve, si një hap përpara drejt përfshirjes financiare. Të gjitha këto
përpjekje kanë pasur rezultate të konsiderueshme. Që nga viti 2011, rreth 1.2
miliardë të rritur kanë hapur llogari. Sot, rreth dy nga tre të rritur në mbarë
botën (69 përqind e popullsisë së rritur) kanë një llogari bankare.[6]
Bazuar në të dhënat e fundit të treguesit FINDEX të matur
nga Banka Botërore, zotërimi i llogarive në Shqipëri renditet më i ulëti në
vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë. Vetëm 40% e popullsisë në moshë
madhore në vend kanë një llogari transaksionesh me një bankë ndërkohë që në
vendet me të ardhura më të larta, ky nivel shkon në 70% të popullsisë. Edhe
përdorimi i këtyre llogarive është më i ulët në Shqipëri, ku numri i i
transaksioneve të pagesave me para cash, për banor në Shqipëri, në vitin 2016,
ishte 4.3, ndërkohë ndërkohë që në vendet me të ardhura mbi mesataren
raportojnë se më shumë se 40 transaksione për banor nuk kryhen me para cash.[7]
Sjelljet e individëve konsumatorë dhe bizneseve shqiptare
dominohen nga paraja cash, duke reflektuar kështu një ekonomi me përdorim të
lartë të cash-it. Kështu rreth 96% e pagesave të iniciuara nga konsumatorët dhe
66% e pagesave të iniciuara nga bizneset janë në para cash. Kjo varësi e lartë
nga paraja fizike ka ndikime të konsiderueshme në kosto jo vetëm për
përdoruesit, por edhe për ekonominë e vendit në përgjithësi. Sipas ekspertëve
rezulton se paraja cash, instrumenti më i përdorur, përbën njëkohësisht edhe
instrumentin më të shtrenjtë, duke i kushtuar ekonomisë shqiptare rreth 1.7% të
PBB-së.[8]
Pikërisht për shkak të efekteve pozitive që ka në
sistemin financiar dhe në ekonominë e vendit,
gjatë viteve të fundit, BSH dhe sektori bankar i kanë kushtuar një
vëmendje të veçantë përfshirjes financiare dhe edukimit financiar të
popullatës. Në këtë kuadër BSH është fokusuar tek përmirësimi i mëtejshëm të
kuadrit të saj mbikëqyrës dhe rregullator, duke synuar përafrimin e vazhdueshëm
të tij me standardet e BE-së. Kështu, në muajin Prill 2020, Parlamenti miratoi
ligjin “Për Shërbimet e Pagesave”, i cili harmonizon direktivën e dytë për
Shërbimet e Pagesave të Bashkimit Europian (PSD2), duke e bërë Shqipërinë
vendin e parë në rajon. Ndër përfitimet që sjell miratimi i këtij ligji mund të
përmenden:
-
Ndikimi pozitiv në procesin e integrimit të vendit në BE,
për shkak të një integrimi më të lehtë me tregun e përbashkët të pagesave në
euro (Single Euro Payment Area).
-
Promovimi dhe zgjerimi e përfshirjes financiare të
popullatës,
-
Rritja e konkurrencës mes
operatorëve në treg duke ulur kostot e këtyre shërbimeve,
-
Nxitja e përdorimit më të gjerë të instrumenteve
elektronike të pagesave duke reduktuar përdorimin e cash-it në ekonomi,
-
Nxitja e transparencës më të lartë nëpërmjet informimit
në kohë reale dhe mundësimi një mbrojtje më të mirë të konsumatorëve,
-
Dhënia e mundësisë institucioneve të pagesave për të ofruar
shërbime që deri më sot kanë qenë eksluzivitet i sektorit bankar.
B.
Tregu i Kapitaleve dhe Investimet ne Fonde - Zhvillimi i tregut të kapitaleve në Shqipëri mbetet një
nga sfidat kryesore të AMF.[9]
Parë në këndvështrimin e madhësisë se tregut, aksesit në treg, likuiditetit apo
elasticitetit rezulton që tregu i kapitaleve në Shqipëri është ende modest në
zhvillimin e tij (aktivet e fondeve të investimeve
dhe pensioneve zënë rreth 6.5% të PPB-së), por me potencial të lartë për të
luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit. Fondet e investimit dhe të pensionit kanë
pasur një rritje të kosniderueshme në 5 vitet e fundit si në numër
kontribuesish ashtu edhe në vlera fondesh nën administrim. Megjithatë, mungesa
e një burse likuide me tituj të biznesit të listuar, ka kufizuar tej mase
shzhvillimin me shpejtësi të këtyre skemave kolektive të kursimit.
Edhe pse Bursa Shqiptare e Titujve ALSE është licensuar
që në vitin 2017 dhe ka filluar zyrtarisht tregtimin që në Shkurt 2018, mungesa
e infrastrukturës së rregjistrimit-klerimit-shlyerjes së titujve të emetuara
nga biznesi ka qenë një pengesë për zhvillimin e tregut të organizuar. Këtë
hapërisë e kanë mbushur deri diku ndërmjetësit financiar banka kujdestare
titujsh të cilat u kanë mundësuar rreth 9 korporatave të mëdha në vend emetimin
e obligacioneve nëpërmjet ofertës private (nuk kërkon listim në bursë). Shuma e
pashlyer e obligacioneve të emetuara nëpërmjet ofertave private në fund të
vitit 2019 ishte rreth 60 milionë euro.[10]
Mbështetja e tregjeve të kapitalit shihet nga AMF si një
mënyrë mjaft e dobishme për të nxitur konkurrencën, ulur kostot financiare dhe
rritur eficiencën në tregjet financiare duke ndikuar pozitivisht në rritjen e
ekonomisë së shkallës. Për këtë qëllim, gjatë vitit 2019 u hartuan dy ligje të
rëndësishme, “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive” dhe “Për Tregjet e
Kapitalit”, me asistencën teknike të ekspertëve të huaj në kuadër të projekteve
me mbështetjen e Bankës Botërore. Këto ligje forcojnë më tej kuadrin mbikëqyrës
të AMF, si edhe modernizojnë dhe zhvillojnë tregun e kapitaleve në Shqipëri.
§
Ligji nr. 56/2020 “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive”, synon
përshtatshmërinë e kuadrit ligjor me direktivën UCITS dhe AIFMD apo direktiva
të tjera të BE-së. Zbatimi i këtij ligji pritet t’i japë hov zhvillimit të
mëtejshëm të tregut të skemave kolektive dhe merr në konsideratë një mbikëqyrje
më efektive dhe vendosjen e standardeve më të larta për një treg transparent
dhe të mirërregulluar. Ligji sjell:
-
përafrimin dhe harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit
me direktivat evropiane,
-
bërjen e sektorit të fondeve me tërheqës për
pjesëmarrësit e tregut dhe investitorët duke krijuar premisat për një mbrojtje
më të mirë të tyre;
-
krijimin e një game më të gjerë të fondeve të
përshtatshme bazuar në nivele të ndryshme rreziku për tregjet shqiptare dhe
evropiane;
-
mobilizimin e më shumë kursimeve në tregjet e kapitalit
dhe në ekonomi;
-
një klasfikim të investitorëve në bazë të
profesionalizmit dhe njohurive për tregun dhe investimet, si dhe u ofron atyre
më shumë mundësi zgjedhjeje.
§
Ligji nr. 62/2020 “Për Tregjet e Kapitalit” ka për qëllim
përshtatjen e kuadrit ligjor me direktivat e BE-së në fushën e tregut të
kapitaleve (MIFID II, Direktiva e Abuzimit
me Tregun, Direktiva e Prospektit etj.). dhe synon nxitjen e zhvillimit të
mëtejshëm të tregut të kapitaleve, rritjen e transparencës dhe sigurimin e
integritetit të këtij tregu. Ligji i ri sjell një frymë pozitive kryesisht në
drejtim të:
- Mbledhjes
nën të njëjtën ombrellë të të gjithë kuadrit ligjor për tregun e kapitaleve,
- Harmonizimit
të kuadrit ligjor me Direktivat e BE-së që mbulojnë industrinë financiare,
- Përcaktimit
të rolit dhe aktivitetit të disa tregjeve dhe ndërmjetësve financiarë,
- Sjelljes
për herë të parë të disa koncepteve dhe institucioneve të reja në tregjet
financiare si: depozitari qëndror i
titujve, agjensitë e vlerësimit të rrezikut të kreditit etj.),
- Standardizimit
të kritereve të “përputhshmërisë dhe
përshtatshmërisë” për funksionarët kyc në organet drejtuese të
institucioneve në tregun e kapitaleve.
C.
Teknologjia Financiare (FinTech) - Teknologjia e Blockchain ka mundësuar për herë të parë në
historinë ekonomike botërore kryerjen e transaksioneve financiare të sigurta
ndërmjet dy palëve në distancë, pa përfshirjen e ndërmjetësuesve ose palëve të
treta (institucionet bankare, VISA, Paypal etj.) si garantues të besueshmërisë.
Kjo është rritur padyshim falë ndërthurjes së revolucionit tekonologjik me elemente
të kriptografisë dhe sigurisë. Në thelb, kjo teknologji është një regjistër i
shpërndarë, i cili mund të inspektohet nga të gjithë, por nuk mund të
kontrollohet nga askush, madje as nga autoritetet shtetërore. Tokenët digjitalë
dhe monedhat virtuale janë një lloj aseti virtual, thelbësisht të varura nga
teknologjia e regjistrave të shpërndarë (“Distributed Ledger Technology” -
DLT), të cilët i japin përdoruesit të drejta përfitimi, pronësie ose mund të
përdoren si instrument pagese. Ndërkohë që përdorimi i shërbimeve financiare të
bazuara në DLT po transformon në mënyrë të shpejtë tablonë e tregjeve
financiare si për investitorët në treg, ashtu edhe për ofruesit e
infrastrukturës së tregjeve (sistemet e pagesave, bursat, vendet e tregtimit,
kujdestarët e titujve, kompanitë emetuese), këto ngrejnë sfida specifike si për
rregullatorët, ashtu edhe për pjesëmarrësit e tregut, sepse ka paqartësi për
mënyrën se si mund të aplikohet kuadri rregullator ekzistues mbi këto shërbime
të inovative. Aktualisht, ekzistojnë disa ligje, të cilat rregullojnë sistemin
financiar në Shqipëri, por asnjëri prej tyre nuk u përshtatet specifikave të
tregjeve financiare të bazuara në DLT e, si rrjedhojë, ky aktivitet aktualisht
mbetet i parregulluar.
Gjatë
vitit 2020 u miratua nga Parlamenti ligji nr. 66/2020 “Për tregjet financiare
të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”. Kjo e bën Shqipërinë
vendin e parë në rajon që hedh një hap të guximshëm drejt rregullimit të një
industrie revolucionare të teknologjisë financiare (FinTech). Ligji rregullon
kushtet për emetimin dhe tregtimin e tokenëve digjitalë dhe monedhave virtuale
dhe autorizimin nga autoritetet kompetente. Ai parashikon gjithashtu kushtet
për licencimin, ushtrimin e aktivitetit të operatorëve dhe bursave si edhe
mbikëqyrjen e tyre. Vlerësohet se një mjedis i mirërregulluar i industrisë
Blockchain mund të sjellë përfitime thelbësore si për ekonominë e vendit, ashtu
edhe për zhvillimin e tregjeve financiare në tërësi, si: rritja e efiçencës së
tregut, mbështetja e formacionit të aftësive në tregun lokal të punës, nxitja e
financimeve për kompanitë shqiptare nëpërmjet alternativave të reja të
financimit, mbështetja e sistemeve të reja të pagesave, si dhe promovimi i
vendit si një ambient kompetitiv për biznesin inovativ. Për më tepër,
rregullimi i këtij sektori do të mbrojë investitorët potencialë shqiptarë nga
përfshirja në ndonjë skemë të mundshme mashtrimi.
Ligji synon
të rregullojë kushtet për licencimin, ushtrimin e aktivitetit të operatorëve
dhe bursave e mbikëqyrjen e tyre, kushtet për emetimin e tokenëve digjitalë dhe
monedhave virtuale dhe autorizimin nga autoritetet kompetente, kushtet e
rregullat për tregtimin e tokenëve digjitalë dhe monedhave virtuale, ofruesit e
shërbimeve të kujdestarisë për palët e treta, si dhe parandalimin e praktikave
abuzive në treg.
Të gjithë këto
ligje kanë shtruar bazën e nevojshme për një zhvillim të shpejtë e të
qëndrueshëm të tregjeve financiare në Shqipëri, bazuar në praktikat dhe
tendencat bashkëkohore të tregjeve ndërkombëtare. Efekti i pritshëm i tyre në
disa aspekte është afatshkurtër, por në shumicën e komponentëve do jetë
afatmesëm dhe afatgjatë.
Burimi: Ky shkrim
eshte shkruar per EU Policy HUB nga Artan Gjergji, Ekspert i Tregjeve Financiare
https://www.eupolicyhub.eu/revolucioni-ne-kuadrin-ligjor-i-tregjeve-financiare-ne-shqiperi/
[1] BSH, Raporti Vjetor 2019
[2] Në terminologjinë ligjore të industrisë
financiare termi “letër me vlerë” është i njëjtë me termin “titull”.
[3] AMF, Raporti Vjetor 2019
[4] Banka e Shqipërisë është themeluar që në vitin 1925 në bazë të marrëveshjes së përfunduar nga Myfid Libohova në emër të Qeverisë Shqiptare dhe Mario Alberti në emër të një grupi financiar italian.
[5] deri ne mes të viteve 2000, secili prej
sektorëve të sigurimeve, titujve dhe pensioneve kishte rregullatorë të ndarë
[6] Ardic. O. & Dashi. E. (2018),
“Përfshfshirja financiare – një hyrje”,
Revista Bankieri, nr. 29, fq.
[7]
Bregu. L. (2020) “Albania – Chasing the the Financially Excluded”, Volume 3,
Issue 8, August 2020, pg. 22-25
[8]
BSH dhe BB, (2018), “Kostot dhe kursimet e pagesave me vlerë të
vogël në Shqipëri”
[9] AMF, Raporti Vjetor 2019
[10] Sipas të dhënave zyrtare të AMF, nga viti
2012 deri në fund të vitit 2019 ishin emetuat ne total afërsisht 7.45 miliardë
lekë, nga të cilat 53.2% janë në Lekë, 38% janë në Euro dhe 8.8% në USD. (AMF,
Raporti vjetor 2019).
Comments
Post a Comment