Besueshmëria e Raportimit Financiar si domosdoshmëri e zhvillimit të Bursës
Drejtor Ekzekutiv
Tregu i kapitaleve në vend ka patur një zhvillim mjaft cilësor në vitet e fundit, jo vetëm për shkak të shtimit të fondeve të investimit dhe krijimit të Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, por edhe për shkak të pëmirësimit të kuadrit ligjor e rregullativ për tregun e kapitaleve dhe sipërmarrjet e investimeve kolektive e alternative. Legjislacioni i ri ka bërë të mundur një përafrim të dukshëm me Direktivat e Bashkimit Europian për industrinë titujve dhe fushën e investimeve, duke krijuar të gjithë ambjentin e nevojshëm për një zhvillim më të vrullshëm të tregut të kapitaleve në të ardhmen e afërt.
Për dekada me radhë, zhvillimi i tregut të kapitaleve ka qenë i pjesshëm me një fokus të qartë tek tregu i titujve të Qeverisë, ndërkohë që ka qenë thuajse i pamundur shfrytëzimi i këtij tregu nga biznesi privat për rritjen e kapitalit. Kjo ka ardhur kryesisht për disa arsye:
- Mos kanalizimi i procesit të privatizimit nëpërmjet tregut të kapitaleve dhe lisitmit të ndërmarrjeve shtetërore në bursë,
- Mungesa e infrastrukturës së plotë institucionale e sidomos një depozitari qendror të titujve (e ashtuquajtura “hipoteka e titujve”), si dhe
- Tendenca e biznesit për evazion fiskal, çka përkthehet në një transparencë financiare minimaliste të pasqyrave financiare për publikun.
Parë sot pas një çerek shekulli, Shqipëria pothuaj e ka humbur trenin e listimit në bursë të aksioneve të ndërmarrjeve shtetërore, për shkak se procesi i privatizimit pothuaj ka përfunduar, por edhe ato subjekte të mbetura (OSHEE, KESH, OST, Posta Shqiptare etj.) konsiderohen si investime strategjike dhe normalisht që ekzekutivi ka gjithnjë plane dhe pritshmëri madhore për to. Ndërkohë janë bërë shumë hapa para në drejtim të plotësimit të infrastrukturës së tregut të kapialeve pasi tashmë:
- Kemi më shumë instrumente financiare përshirë edhe ato të emetuara nga biznesi privat siç janë obligacionet korporative të emetuara me ofertë private (jo të hapura për publikun e gjerë, por të kufizuara tek një grup i përzgjedhur investitorësh),
- Kemi më shumë ndërmjetës financiarë që përbëjnë edhe shtyllën kurrizore të tregut të kapitaleve siç janë firmat e brokerimit, bankat që tregtojnë tituj, kujdestarët e titujve, fondet e investimeve, fondet e pensioneve, shoqëritë e administrimit të fondeve, këshilltarët e investimeve etj.
- Tashmë është krijuar dhe depozitari i titujve me emrin Regjistrari Shqiptar i Titujve ALREG, i cili është licensuar si nga Banka e Shqipërisë (BSH) ashtu edhe nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për të ofruar shërbimet e regjistrimit, depozitimit, klerimit dhe shlyerjes së transaksioneve në tituj të ekzekutuar në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE.
Sa i përket transaparencës dhe raportimit financiar, Shqipëria ka bërë një punë të lavdërueshme në drejtim të konsolidimit të arkitekturës ligjore dhe institucionale. Kështu:
- Është bërë punë e konsiderueshme sidomos në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor e rregullativ dhe harmonizimit të tij me direktivat e BE-së,
- Është mjaft i rëndësishëm dhe i mirëpritur bashkepunimi mes Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë për pranimin vetëm të pasqyrave financiare zyrtare, si element për vlerësimin e rrezikut të binzesve në kërkim të një kredie nga sektori bankar, pasi rrit zbatueshmërinë e ligjit dhe ndryshon pozitivisht mendësinë e biznesit për transparencën financiare,
- Është bërë shumë punë në drejtim të standardizimit dhe konsolidimit institucional duke qendërzuar dhe rritur fuqinë e Bordit të Mbikëqyrjes Publike (BMP), pa lënë mënjanë rëndësinë e enteve të tjera që përfaqësojnë interesat e industrisë (si IEKA, IAS etj.).
Pse është i rëndësishëm Raportimi Financiar
Tregjet financiare janë institucione dhe mekanizma të ndërtuara dhe që funksionojnë bazuar mbi besimin që krijojnë tek përdoruesit dhe investuesit. Për këtë arsye të gjithë operatorët, si në anën e kërkesës ashtu edhe në anën e ofertës për kapitale në tregun financiar, e kanë shumë të nevojshme të gëzojnë besueshmërinë e palëve të interesuara.
- Kërkesa për Kapitale (Emetuesit e titujve) – bizneset apo çdo subjekt që ka nevojë të zgjerojë aktivitetin e tij dhe për rrjedhojë të gjejë burime financimi, për t’ia arritur këtij qëllimi, mund të përdorë tregun e kapitaleve nëpërmjet emetimit të titujve të kapitalit (aksioneve) ose titujve të borxhit (obligacioneve korporative). Në ndryshim nga sektori bankar, në tregun e kapitaleve emetuesit mund të gjenerojnë fonde në vlera të mëdha, me kosto të ulëta dhe me afat shumë të gjatë. E në mënyrë, që të jenë sa më të besueshëm në sytë e investitorëve, u duhet padyshim të kenë një nivel shumë të lartë të transparencës dhe besueshmërisë financiare (disclosure).
- Oferta e Kapitaleve (Investuesit e titujve) – një ndër alternativat që kanë kursimtarët me fonde të lira (të pa-angazhuara) në ekonominë e një vendi, është padyshim edhe investimit (ofrimi i fondeve) në tituj apo siç njihet ndryshe investimit i portofolit. Në këtë formë investuesit, përzgjedhin mes alternativave afatshkurtra dhe afatgjata, me ose pa rrezik, me kthim (përfitim) të lartë ose të ulët, si dhe në bazë të qasjes (pëlqimit) që kanë ndaj nivlit të rrezikut ku angazhojnë fondet e tyre. Padyshim që në këtë proces, investuesit mund të krijojnë edhe një portfol miks me asete dhe tituj më nivele rrezik-përfitim të ndryshme, duke diversifikuar probabilitetin e rrezikut të investimit. Në gjithë këtë proces është shumë e rëndësishme që informacioni për investuesin të jetë sa më i detajuar, i saktë dhe i shpërndarë në mënyrë publike e të njëtrajtshme tek të gjithë. Kjo sepse u jep mundësinë investuesve të jenë të qartë në lidhje me komponentët që duhet të marrin në konsideratë (afatgjatësi, rrezik, përfitim etj.) në mënyrë të tillë që të kenë një vendimmarrje sa më të saktë bazuar në qasjet e tyre ndaj rrezikut. Pikërisht për këtë arsye, informacioni i saktë në lidhje me të dhënat financiare të bizneseve, titujt e të cilëve do të investojnë (blejnë) është i një rëndësie të vecantë për investitorët.
A është i mjaftueshëm Raportimit Financiar për Investuesit
Në një botë gjithnjë e më globale, si dhe në kushtet e një zhvillimi të jashtëzakonshëm të teknologjisë dhe informacionit, zhvillimi i tregjeve financiare sa vjen e bëhet më kompleks duke rritur mundësitë e abuzuesve për mashtrime. Kjo është aryesja pse nuk mjafton vetëm detyrimi për raportim financiar i subjekteve që rrisin kapitalin e tyre nëpërmjet listimit në bursë. Në 3-4 dekadat e fundit por sidomos pa krizës financiare të kompanive teknologjike (e ashtuquajtura “dot.com bouble”) ka një interes në rritje për elementë shtesë që kanë të bëjnë me aksesimin sa më të lehtë të këtij informacioni nga investitorët si dhe me besueshmërinë e informacionit të publikuar.
- Aksesimi i Informacionit Financiar – është një element mjaft i rëndësishëm në tregun financiar. Kjo është arsyeja pse kuadri ligjor i tregut të kapitaleve në çdo vend e detyron Emetuesin e titujve që të publikojë çdo informacion që mund të ndikojë çmimin (price sensitive) si dhe t’ua bëjë sa më lehtësisht të aksesueshëm publikut investues marrjen e informacionit në lidhje me biznesin në fjalë, sidomos informacionin financiar (pasqyrat financiare). Kështu, të gjithë raportet financiare vjetore dhe/ose periodike duhet të publikohen ose nëpër media që kanë nivel të lartë shikueshmërie/lexueshmërie, ose në faqet zyrtare të internetit në mënyrë që të jenë lehtësisht të aksesueshme nga investuesit dhe publiku. Gjithashtu, po aq i rëndësishëm sa vetë aksesimi është edhe koha (timing) e aksesimit, e cila duhet të jetë e njëtrajtshme për të gjithë publikun. Nëse shpërndarja e këtij informacioni nuk është e tillë, kjo mund të favorizojë disa investues në kushtet e marrjes së informacionit para të tjerëve. Kjo shpjegon faktin që pothuaj të gjithë bursat ku janë të listuara këto kompani, nuk mjaftohen vetëm me publikimin e informacionit financiar nga Emetuesi në media dhe në faqen zyrtare, por kërkojnë dërgimin e menjëhershëm të këtij informacioni në Bursë, në mënyrë që kjo e fundit ta publikojë atë në mënyrë të njëtrajtshme tek të gjithë investuesit që kanë si burim primar infomacioni vetë bursën.
- Besueshmëria e Informacionit Financiar – një tjetër element i rëndësishëm që ndikon direkt vendimmarrjen e investuesve është edhe besueshmëria e informacionit financiar të publikuar. Sa më i saktë dhe i pavarur të jetë ky informacion, aq më të qartë e ka rrezikun që merr mbi vete investuesi, duke e ndihmuar këtë të fundit të marrë vendime në përputhje me pritshmëritë e tij dhe me qasjen që ka ndaj rrezikut. Në mënyrë që informacioni të jetë sa më i saktë dhe i besueshëm për investuesit, duhet që në radhë të parë të jetë informacion i standardizuar (i njëjti kut, e njëjta masë për të gjithë) si dhe të jetë përgatitur e kontrolluar (audituar) në mënyrë profesionale e të pavarur. Standardizimi i informacionit u mundëson investuesve krahasimin e rrezikut të investimit në tituj të bizneseve të ndryshme me të njëjtën masë vlerësimi. Kurse profesionalizmi e pavarësia e përgatitjes së raportimit financiar (audtimi ligjor) shmang konfliktin e interesit që ka biznesi në drejtim të publikimit të të dhënave financiare, duke mbrojtur interesat e investuesve dhe rritur besueshmërinë tek të dhënat e paraqitura mbi paraqitjen e gjendjes financiare të Emetuesit.
Raportimi Financiar në Shqipëri
Siç u tha edhe më lart, Shqipëria ka bërë mjaft hapa pozitivë në drejtim të rritjes së nivelit të publikimit të informacionit financiar.
- Publikimi – legjislacioni shqiptar e kërkon me detyrim publikimin e të dhënave financiare për njësitë ekonomike me ndikim publik (PIE). Deri në ditët e sotme ky legjislacionin është aplikuar për institucionet financiare në vend (banka, shoqëri sigurimi, shoqëri të administrimit të fondeve etj.). Për shkak të mos-listitmi në bursë ende të titujve të biznesit, ky legjislacion nuk ka gjetur zbatim për pjesën tjetër të PIE-ve. Fillimi i listimeve të titujve të parë të biznesit, proces që pritet të ndodhë brenda vitit 2021, do të testojë për herë të parë edhe zbatueshmërinë e detyrimit të publikimit të informacionit financiar nga këto subjekte.
- Aksesimi – janë bërë hapa përpara në këtë drejtim, pasi për shkak të një vullneti të qartë politik dhe për shkak të zhvillimit të teknologjisë dhe informacionit, aksesimi i informacionit financiar është lehtësuar shumë. Në këtë aspekt Shqipëria ka më shumë se një dekadë që është pararojë me pika kontakti (kryesisht publike) dhe të aksesimit të informacionit duke i publikuar në faqet zyrtare të QKB, BSH, AMF, INSTAT, OpenData Albania etj.
- Standardizimi – një punë e lavdërueshme është bërë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit dhe institucione të tjera publike në këtë fushë për përkthimin, harmonizimin dhe zbatimin e Standardeve Kombëtare të Kontabilitetit (SKK) dhe Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF).
- Besueshmëria – është komponenti më i vështirë për t’u arritur, edhe pse po punohet shumë në këtë drejtim si nga rregullatorët (BSH, AMF dhe BMP) ashtu edhe nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithsme e Tatimeve.
Pavarësisht nga sa më sipër, duhet thënë që fillimi nga funksionimi normal i tregut të kapitaleve në vend dhe listimi i bizneseve në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE, do të jetë testi më i mirë për reformat e marra deri më tani. Zbatueshmëria e legjislacionit dhe praktikave më të mira në drejtim të raportimit financiar, do të ketë një impakt pozitiv në drejtim të mbrojtjes së interesave të investitorëve, pasi do t’u mundësojë atyre një vendimmarrje më të drejtë e në përputhje me pritshmëritë e tyre ndaj riskut dhe përfitimeve.
Footnote:
1. Neni 5, pika 2 e ligjit nr. 25/2018 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”, detyron njësitë ekonomike me ndikim publik (ndër të cilat njësitë e listuara në bursë), të përgatisin pasqyrat financiare sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF)
2. Nënkupton zhvillim mjaft të shpetjë të kompanive të komapnive që në bazën e aktivitetit të tyre kishin teknologjinë dhe inofrmacionin, duke sjellë një mbiçmim (fryrje, balon) të çmimeve të këtyre kompanive. Ky fenomen përfundoi në fillim të viteve 2000’ pas skandaleve të truktimit nga Arthur Andersen (kompania më e madhe e audititmit në botë) të pasqyrave financiare të disa kompanive të listura në bursë (Enron dhe WorldCom) duke mashtruar qytetarët që kishin investuar kursimet e tyre në këto tituj.
Gazetarja: Ornela Liperi
Date: 15.01.2021
Comments
Post a Comment