TREGTIA ONLINE DHE INCENTIVAT PËR FORMALIZIMIN E TREGUT NË SHQIPËRI

Aksioni gjithëpërfshirës i Europol i cili u shtri në 3 kontinente, por me fokus të vecantë në vendet e Ballkanit dhe Europës Juglindore (Kroaci, Bullgari, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut etj.) në lidhje me luftën kundër llogarive informale të rrjeteve sociale apo faqeve të internetit informale që tregtojnë mallra online, tregon edhe një herë rëndësinë që kanë në tregtinë ndërkombëtare dhe vendet e zhvilluara koncepte pak abstrakte për Shqipërinë siç janë:

-          tregtia online e paregjistruar fiskalisht (informale), apo

-          mbrojtja e të drejtave të autorit për markat e patentat e regjistruara në vendet e origjinës, apo

-          prodhimi i i produkteve dhe markave të fallsifikuara.


A kemi një situatë të ngjashme në Shqipëri?

Zhvillimi i ekonomisë merr trajta të ndryshme i ndikuar nga mjaft faktorë. Sa i përket prodhimit të produkteve të fallsifikuara, Shqipëria nuk futet në hartat e rrezikut të lartë (kjo ishte arsyeja pse Shqipëria nuk ishte pjesë e aksionit të Europol), sepse vendi ynë nuk ka pasur një industri të fortë të prodhimit të produkteve të konsumit të përditshëm (e ashtuquajtura Industria e Lehtë). Shqipëria ka qenë më shumë e fokusuar në Industrinë e Rëndë (uzinat e celikut, ferrokromit e bakrit) sepse ka qenë dhe është një vend i pasur me burime natyrore e minerale në nivele të kënaqshme.

 

Sa i përket tregtisë online, sipas Raportit të Bankës Botërore në fund të vitit 202o, më shumë se 30% e konsumatorëve përdorin mënyrat e blerjeve online duke përdorur rrjetet sociale (kryesisht Facebook dhe Instagram por edhe TikTok së fundmi). Ndërkohë që gjatë periudhës së pandemisë ka pasur një rritje prej 54% të përdorimit të tregtisë online, një trend i ngjashëm kudo në botë për shkak të politikave të ndërveprimit në distancë. Në anën tjetër, referuar statistikave të mjeteve të pagesës, dominon metoda e pagesës cash në shpërndarje (cash-on-delivery) për shkak të mungesës së besimit që kanë qytetarët tek produktet e blera online. 

Pikërisht këtu lind edhe problematika. Referuar fakteve empirike që vijnë nga tregu ecommerce, ashtu edhe konfirmuar nga gjetjet statistikore të studimeve të ndryshme (raporti i Bankës Botërore 2020 është ndër më seriozët) rezulton se pjesa më e madhe e shitjeve online vjen nga llogaritë informale të rrjeteve sociale. Pra llogari që administrohen nga individë që bëjnë ndërmjetësin, por që dinë të përdorin në mënyrë efikase lehtësitë që mundësojnë rrjetet sociale për të pasur një dukshmëri më të lartë në sytë e konsumatorëve nëpërmjet reklamave online. Megjithatë, më shumë se 70% e këtyre llogarive nuk regjistrohen pranë organeve tatimore, duke bërë jo vetëm evazion fiskal, por duke krijuar edhe një konkurrencë të pandershme në treg dhe çka është më e rëndësishmja, duke deformuar tregun dhe cënuar besimin e konsumatorëve.

 

Informaliteti, një gangrenë që dëmton besimin e konsumatorit tek Tregtia Online

Mos-regjitsrimi pranë organeve tatimore, u mundëson këtyre individëve të ruajnë fshehtësinë e tyre, duke mos deklaruar kontaktet (emaile, numra telefoni apo adresë) nëpër llogaritë e rrjeteve sociale nga ku administrojnë shitjet e tyre online. Në këtë mënyrë, ata shmangin edhe përgjegjësitë ligjore që kanë kundrejt konsumatorëve, siç janë e drejta e kthimit, ndryshimit apo problematikat penale që vijnë për shkak të mashtrimit mbi konsumatorin.

Edhe pse në vetvete çdo biznes kërkon të jetë sa më i besueshëm tek konsumatorët, konkurrenca e fortë e pandershme i shtyn ata drejt presionit të uljes së kostove dhe çmimeve. Në të shumtën e rasteve, kjo i orieton drejt tregtimit të produkteve të fallsifikuara, me origjinë të panjohur apo me marka e të drejta autorësie të pa-aprovuara nga zotëruesit. Pikërisht kjo lloj qasjeje, i shtyn individët që shesin online nga llogari rrjetesh sociale të paregjistruara fiskalisht, të mashtrojnë me produketet që shesin online.

 

Pagesat cash në shpërndjarje një plagë e Tregtisë Online që duhet kuruar

Reagimi i konsumatorëve është gjithmonë prezent, por pavarësisht mbrojtjes ligjore që ata kanë, në shumë raste gjenden përballë reagimit arrogant të subjeteve shitës informalë, e më tej bllokohen nga rrjetet sociale duke u mohuar çdo lloj mundësie reagimi, ankimimi, apo dëmshpërblimi. Mashtrimi i disa-hershëm nga faqe rrjetesh sociale të ndryshme, ka ndikuar negativisht tek besueshmëria e konsumatorëve duke penguar zhvillimin e tregtisë online me shpejtësinë e duhur. Indikatori më i qartë i mungesës së besimit të konsumatorit është niveli mjaft i lartë i pagesaeve me cash në shpërndarje (CoD). Kjo vërtetohet edhe nga gjetjet empirike të Raportit të Bankës Botërore 2020, sipas të cilit rreth 83% e konsumatorëve në Shqipëri pranojnë se paguajnë cash kur u dorëzohet pakoja sepse kanë frikë se mashtrohen dhe marrin një mall ndryshe nga ai që kanë parë në reklamë. Edhe pse duhet pranuar që ky fenomen është i ngjashëm jo vetëm për vendet e rajonit, por edhe për mjaft vende të tjera, niveli i përdorimit të cash-it në sektorin ecommerce në Shqipëri është në nivelet më të larta në rajon e më gjerë.

Natyrisht që si pjesë e ekosistemit serioz të tregtisë online që kanë të bëjnë me tregtarët (e-shops dhe e-markets), shërbimet e shpërndarjes postare (posta shqiptare dhe postat private) dhe subjetet që ofrojnë shërbimet e pagesave online (kartat bankare, POS, kompanitë e parasë eletronike etj.), të gjithë këto grupe interesi dëshirojnë një treg ë rregulluar dhe korrekt ndaj konsumatorit. Sidomos subjektet e shërbimit të shpërndarjes postare ashtu edhe subjektet që ofrojnë shërbimet e pagesave online janë të interesuara për heqjen e menjëhershme të përdorimit të cash-it në veprimtarinë e tregtisë online. Në anën tjetër, edhe pse parimisht në mbështetje të pagesave elektronike, tregtarët online që janë të regjistruar konform legjislacionit (e-shops dhe e-markets) hezitojnë të aplikojnë shitjet online pa pagesa cash, kryesisht për shkak të konkurrencës së pandershme që realizojnë me mijëra llogari informale rrjetesh sociale (të pa-regjistruara fiskalisht).

 

Zgjidhja e propozuar për reduktimin e informalitetit në sektorin e Tregtisë Online

Nisur me frymën e nxitjes së të bërit biznes dhe krijimit të shanseve të barabarta, më shumë se luftë frontale kundrejt informalitetit, doktrinat ekonomike bashkëkohore rekomandojnë gjithëprfshirjen. Me fjalë të tjera, në vend të kontrollit represiv rregullator e administrativ shtetëror (austerity), i cili con në mbylljen e bizneseve dhe dënimin e abuzuesve, rekomandohet gjetja e formave nxitëse për të tërhequr bizneset drejt formalizimit. Argumentat kreysorë që qëndrojnë pas kësaj fryme liberale kanë të bëjnë me idene se këto subjekte biznesi, edhe pse në informalitet, krijojnë vlerë të shtuar në ekonomi si dhe punësojnë njerëz duke ndikuar pozitivisht në reduktimin e problemeve të varfërisë. Në anën tjetër informaliteti i tyre krijon plot probleme anësore që kanë të bëjnë me të ardhurat e munguara në buxhetin e shtetit, shkeljen e të drejtave të autorit, konkurrencën e pandershme.

Për këtë arsye, një ndër qasjet që duhen ndjekur në Shqipëri duhet të jetë një angazhim i strukturave të nevojshme shtetërore duke filluar nga Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Autoriteti i Komunikimeve Postare dhe Postave, Policia e Shtetit duke përfshirë strukturat e Krimit Ekonomik, Krimit Kibernetik, shërbimeve inteligjente etj. Fokusi i këtyre strukturave shtetërore nuk duhet të jenë bizneset e regjistruara, edhe pse këto të fundit mund të lenë për të dëshiruar në drejtim të deklarimit të plotë të aktivitetit të tyre.

Fokusi i strukturave shtetërore duhet të jetë pikërisht tek sensibilizimi masiv i nevojës për formalizim të shërbimeve të tregtisë online, të cilat ofrohen aktualisht nëpërmjet llogarive informale (të paregjistruara fiskalisht) të rrjeteve sociale. Përtej, kësaj fushate sensibilizuese duhet përcaktuar një periudhë e ndërmjetme (rekomandohet 6 deri në 12 muaj) që t’u mundësojë subjekteve informale që ushtrojnë ecommerce të formalizohen e të publikojnë në rrjetet sociale këto të dhëna fiskale, përfshirë adresën, numrat e telefonit dhe adresat e emailit. Padyshim që në fund të periudhës së ndërmjetme, duhet të ketë një ndërhyrje të fortë për bllokimin e llogarive nëpër rrjetet sociale e ngjashme me ndërhyrjen e Europolit të ditëve të fundit. Në këtë aksion duhet që autoritetet shtetërore të bashkëpunojnë ngushtë me rrjetet sociale Facebook, Instagram, TikTok etj. Një fushatë e ngjashme dhe problematike ka qenë fiskalizimi i detyruar që iu bë në mes të viteve 2010 platformave të mëdha të shitjeve të shërbimeve hoteliere-akomoduese Booking, Air B&B apo platformës së shërbimit taksi UBER, të cilat në mënyrë të pandershme (të ardhura të pafiskalizuara), konkurronin bizneset klasike të hotelerisë apo sektorit të shërbimit të transporti taksi.

Trust Mark, një formë e zgjedhur nga GIZ dhe AECA për rritjen e besimit tek konsumatori për blerjet online

Është afërmendsh që jo çdo gjë duhet pritur nga strukturat shtetërore. Ka plot mjete dhe forma që i mundësojnë vetë subjekteve brenda një industrie të caktuar që të përmirësojnë cilësine dhe rrisin standardet e shërbimeve të ofruara për konsumatorët. Përmirësimi me të tillë komponentë, sjell rritjen e besueshmërisë tek konsumatorët. 

Sa i përket sektorit të Tregtisë Online, eksperienca e vendeve të zhvilluara ka treguar që çertifikimi i faqeve zyrtare të internetit që ofrojnë shërbime ecommerce ka sjelle rritjen e cilësisë dhe standardeve të produkteve dhe shërbimeve të ofruara online.

Një ndër instrumentat më të përdorur dhe bashkëkohorë është Çertifikata e Besimit (Trust Mark), e cila është një shenjë dalluese që aplikohet në faqet zyrtare të subjekteve që shesin produktet dhe shërbimet e tyre online duke u treguar konsumatorëve që dyqani virtual ku po blejnë është i sigurtë dhe plotëson të gjithë standardet bashkëkohore për mbrojtjen e konsumatorit.  Natyrisht emetimi i kësaj çertifikate dhe vlerësimi nëse bizneset ecommerce i plotësojnë ose jo kriteret standarde bëhet nga një subjekt i pavarur, mbi palët dhe i cili nuk ka konflikt interesi.

Në vitin 2022, në kuadër të projekteve për nxitjen e tregtisë në vendet e CEFTA, , një projekt rajonal me emrin GIZ ORF FT, i fokusuar tek segmenti i tregtisë elektronike në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor ka ndërmarrë një iniciativë për koordinimin e punës mes shoqatave të biznesit e-commerce në rajon me qëllim nxitjen e zhvillimit të tregtisë elektronike jo vetëm në nivel kombëtar por edh erajonal. Pjesë e këtyre projekteve ambicioze, është edhe krijimi i një Çertifikate Besimi, e cila të implementohet fillimisht në nivel kombëtar e më tej rajonal.

Në Shqipëri ky projekt do të implementohet nga GIZ ORF FT në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Tregtisë Elektronike (Albanian E-Commerce Association). Aktualisht Giz ka përzgjedhur konsulentët e huaj që do të merren me metodologjinë dhe përcaktimin e standardeve që duhet të plotësojnë të gjithë bisneset ecommerce në përputhje me legjislacionin vendas në fuqi. Më tej këto standarde do të harmonizohen në nivel rajonal, në mënyrë të tillë që të rritet edhe niveli i shkëmbimeve tregtare në nivel elektronik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Projekti për Çertifikatën e Besimit (Trust Mark) pritet të mbyllet me sukses brenda vitit 2023, duke pritur që të krijojë një impakt mjaft pozitiv në ndarjen dhe identifikimin e bizneseve serioze në tregtinë elektronike nga bizneset informale. Kjo do të ndikojë në mënyrë direkte mbi rrijen e nivelit të besimit të konsumatorëve dhe rritjen e volumit të veprimtarisë së tregtisë online në Shqipër.

 

Artan Gjergji

Sekretar i Përgjithshëm

Albanian E-Commerce Association

 

Tiranë, 04.12.2022

Comments