Ecuria e Pagave dhe Problematika e Tregut të Punës

Në këtë emision u diskutua në lidhje me analizën më të fundit të Revistës Monitor në lidhje me krahasimin e pagave mesatare në rajon. Sipas këtij studimi rezulton se Shqipëria ka një pagë mesatare prej rreth 522 euro krahasuar me vendet e tjera të rajonit si Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi të cilat janë mbi nivelin e 800 eurove.


Sipas diskutimit të panelistëve, një diferencë e tillë vjen kryesisht nga rënia e mirëqënies së qytetarëve në Shqipëri, nga rënia e dukshme e produktivitetit të prodhimtarisë në vend, por edhe niveli i lartë i informalitetit në tregun e punës. Ky informalitet në më të shumtën e rasteve nxitet nga tatimi progresiv mbi krahun e punës dhe pagën që aplikohet nga Qeverisja aktuale për më shumë se 9 vite.

Një tjetër tematikë me shumë interes është edhe ajo që shoqëron tregun e punës aktualisht dhe që ka të bëjë me mungesën e punonjësve në vend për shkak të emigracionit masiv. Panelistët diskutuan mbi faktorët që kanë shtyre punëmarrësit në drejtim të lëvizjes së tyre drejt vendeve të zhvilluara. Sipas disa prej ekspertëve të ftuar, kjo nuk ka ardhur për shkak të nivelit të ulët të pagës, por kryesisht për shkak të problemtikave social-ekonomike që shoqërojnë vendin, duke filluar që nga mirëqënia, korrupsioni, zbatueshmëria e ligjit etj. e deri tek lëvizjet demografike të shkaktuara për shkak të një lehtësimi në politikat e punësimit në vendet e Bashkimit Europian.

Diskutimi u fokusua edhe mbi pagën minimale si një mjet i cili mundëson në një farë mënyre mbrojtjen të punësuarve, apo tek nevoja për subvencionim të sektorëve të caktuar me qëllim ruajten e niveleve dëshiruara të punësimit. Por këtu panelistët u ndanë në mendimet e tyre, pasi një pjesë mendonin se paga minimale është një nivel abuziv i imponimit të cmimit të krahut të punës, ndërkohë që realisht deformon kërkesë-ofertën në treg, por edhe nuk sjell një vlerë të shtuar në rritjen e stabilitetit në tregun e punës. Gjithashtu, përfaqësuesit e biznesit në panel, shprehën shqetësimin për faktin që edhe pse një taksë shtesë që rëndon mbi kurrizin e biznesit, Qeveria nuk është qasur asnjëherë të bashkëbisedojë dhe negociojë me këtë komunitet para se të vendosë nivelin e pagës minimale. Ky moskoordinim ka sjellë një deformim të tregut të pagave në vend dhe kosto shtesë për biznesin.


Në anën tjetër disa panelistë hodhën idenë e nevojës për rritjen e nivelit të mbështetjes së shkollave profesionale si një investim për tregun e punës, por edhe kjo shoqërohet me problematikën e vet, pasi shtohen kostot në Buxhetin e Shtetit, ndërkohë që ky krah pune i specializuar është i lirë të qarkullojë në drejtim të tregjeve të zhvilluara e nuk mbahet dot i kushtëzuar në tregun lokal.

Një tjetër temë që u diskutua, ishte përmbushja e nevojave të tregut të punës në vend nga sipërmarrja private me punonjës emigrantë nga vendet e Lindjes së Largët, por edhe kjo nuk konsiderohet si një zgjidhje afatgjatë dhe e qëndrueshme, pasi qëllimi kryesor i këtyre emigrantëve është aksesimi i vendeve të BE-së, dhe jo Shqipërisë. Kjo pasi realisht, ata kanë më afër gjeografikisht tregje që i paguajnë më mirë se Shqipëria (sic janë Katari, Dubai etj.), por preferojnë Shqipërinë pasi e shikojnë si një vend trazit dhe mënyrë më pak e kushtueshme për emigrimin e tyre në Europë.

 

Te ftuar në panel:

Zj. Pranvera Resuli, Deputete e PS, Anëtare e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave

Z. Kastriot Sulka, ish-Zv. Ministër, Ekspert për Çështjet e Punësimit

Z. Artan Gjergji, Ekspert i Tregjeve dhe Shërbimeve Financiare

Z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithëm i Shoqatës së Prodhuesve


Comments