Dërgesat e Emigrantëve si burim i rëndësishëm konsumi në Shqipëri

Në këtë emision u diskutua në lidhje me fenomenin në rritje të remitancave apo sic njihen ndryshe, dërgesat e emigrantëve. Ekspertët në studio analizuan këtë faktor i cili në ndryshim nga vendet e tjera ku pas 2 dekadash fillon e zbehet, në Shqipëri vijon të mbetet një ndër burimet kryesore të financimit të konsumit personal në ekonomi.

Ekspertët në studio debatuan në lidhje me qasje të ndryshme sa i përket fenomenit të varësisë tek remitancat që ka popullata masive për konsum. Sipas njërës palë të të ftuarve, remitancat janë një fenomen karakteristik për më shumë se tre dekada në ekonominë e vendit dhe nuk është se ka ndonjë varësi sa i përket konsumit. Megjithatë ekspertë të tjera dhanë argumentet e tyre në lidhje me këtë fakt duke sjellë shifrat zyrtare në lidhje me numrin e familjeve që kanë si burim kryesor të ardhurash pikërisht remitancat nga të afërmit. 

Një tjetër qasje që u diskutua ishte fakti që një pjesë e mirë e këtyre parave janë alokuar edhe në drejtim të finacimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, të cilat kanë kryesisht një bazë bërthame familjare. Gjijthashtu u argumentua se një pjesë jo e vogël e këtyre remtiancave nuk janë për konsum të përditshëm, por kanë shkuar për blerjen e pasurive të patundshme apo aseteve të tjera në ekonomi, duke rritu edhe ndikimin e tyre në prodhimin e brendshëm bruto.

Eksperët u përpoqën që të bënin ndarjen mes remitancave dhe investimeve në asete. Remitancat në koncept nënkuptojnë dërgesat e vogla të cilat janë fokusuar kryesisht tek financimi i konsumit personal e familjar, dhe që vijnë në Shqipëri kryesisht nëpërmjet institucioneve financiare të licensuara nga Banka e Shqipërisë për transferimin e vlerave monetare (Western Union, Money Gram, RAEA, etj). Ndërkohë që investimet në pasuri të patundshme janë tranferta bankare në vlera të mëdha, dhe nuk hyjnë tek zëri i remitancave, por përllogariten tek investimet e huaja që kanë hyrë në Shqipëri kryesisht në drejtim të investimit në pasuri të patundshme. Kjo ndarje përforcon argumentin se remitancat (dërgesat e vogla) shkojnë kryesisht për financimin e konsumit personal apo edhe sipërmarrjeve të vogla që zbusin efektin e varfërisë.

Në një tjetër këndvështrim, në përgjigje të pyestjes se sa do të vazhdojë kjo varësi nga burimet e huaja, ekspertët shpjeguan se ekonomitë të cilat nuk kanë kapacitetet e nevojshme prodhuese për të siguruar vetëmjaftueshmërinë e nevojave, detyrohen të orientohen nga importi. Dhe nëse kjo balancë anon shumë më tepër tek importi nga jashtë se sa prodhimi i brendshëm, atëherë ekonomia kthehet thjesht në një konsumatore të prodhimeve dhe mallrave të huaja. Pra remitancat sic hyjne në ekonominë e vendit shkojnë për konsumin e mallrave e shërbimeve që vijnë nga importi duke dalë edhe një herë jashtë ekonomisë së vendit, pa lënë një vlerë të shtuar afatgjatë. Parë në këtë këndvështrim, ekspertët theksuan se pikërisht këtu duhet bërë më shumë për të nxitur rritjen e sektorëve të prodhimit të brendshëm, në mënyrë që një pjesë e mirë e burimeve të financimit që vijnë nga jashtë të mbeten brenda ekonomisë së vendit duke shtyrë para më shpejt edhe rritjen e mirëqënies së qytetarëve.


Te ftuar në panel:

Z. Alban Xhelili, Deputet i PS, Anëtare e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave

Z. Klodian Muco, Përfaqësues i PD, Ekspert për Çështjet Ekonomike

Z. Artan Gjergji, Ekspert i Ekonomisë

Zj. Silva Mece, Anëtare e Kryesisë së Dhomës së Biznesit të Diasporës

Comments