Digitalizimi i Ekonomisë Shqiptare
Në këtë panel u fol në lidhje me procesin e gjerë të digjitalizimit të ekonomisë si në aspektin e administratës publike ashtu edhe në këndvështrimin e biznesit privat. Të ftuarit në panel evidentuan faktin që procesi i digjitalizimit nuk është thjesht përdorimi i internetit, por fillon nga infrastruktura e nevojshme që ka të bëjë me bazën ligjore apo penetrimin e shtrirjes gjeografike të telefonisë celulare e cila sjelle dhe shpërndarjen e internetit në masë tek qytetarët në të gjithë vendin.
Sipas statistikave të Autoritetit i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) në vitet e fundit ka pasur një rritje të dukshme të përdorimit të internetit në Shqipëri kryesisht tek telefonia celulare, por edhe në kompjutër e në laptopë.
Ekspertët e ftuar në studio ranë dakord në lidhje me përfitimet që sjell procesi i digjitalizimit tek biznesi apo tek rritja e mirëqënies së qytetarëve. Për rrjedhojë, duhet parë ecuria e zhvillimit të këtij procesi si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Me fjalë të tjera, sa ka ecur Qeveria dhe administrata publike në drejtim të ofrimit të shërbimeve publike online dhe sa ka ecur biznesi në drejtim të ofrimit të mallrave e shërbimeve të tyre online duke përdorur procesin e digjitalizimit për të qenë sa më afër konsumatorit.
Në këtë këndvështrim u ra dakord që në drejtim të infrastrukturës është bërë një punë e lavdërueshme si në aspektin e infrastrukturës së internetit dhe digjitalizimit të shërbimeve publike. Kjo tregon që Qeveria ka qenë disa hapa para biznesit në këtë drejtim. Gjithësesi ekspertët sollën në vëmendje që duhet bërë shumë punë në drejtim të sigurisë kibernetike dhe mbrotjes së të dhënave të qytetarëve. Gjithashtu, duhet treguar edhe një kujdes i vecantë për edukimin e publikut në lidhje me përdorimin e procedurave të shërbimeve publike online.
Në anën tjetër të medaljes, ekspertët evidentuan faktin që biznesi privat ka mbetur shumë pas procesit të digjitalizimit të shërbimeve private. Kjo është cështje mendësie dhe që ka hapur treg për brezat e rinj që janë më pranë përdorimit të rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të ndryshme duke tentuar të përshtasin tregtinë e mallrave fizikë nëpërmjet shitjes në portalet online. Një tjetër element që gjykohet se ka ndikuar në pengimin e ecjes së biznesit me ritme të shpejta të shitjeve online është edhe ofrimi i shërbimeve të pagesës online. Disa prej të ftuarve në panel identifikuan bankat si një pengesë për të lehtësuar këtë proces nëpërmjet pagesave elektronike të ofruara nga aplikacionet FinTech. Kjo bën që tregtia elektronike të vijojë të jetë më paranë cash, duke sjellë n këtë proces mjaft problematika. Ndër këto problematika mund të përmendet informaliteti, mundësia e lartë e abuzimit me konsumatorin etj.
Për këtë arsye, u evidentua rëndësia e lehtësimit të pagesave nëpërmjet aplikacioneve FinTech si një mundësi që formalizon edhe tregtinë online duke nxitur rritjen e konkurrencës dhe zhvillimin më të shpejtë të procesit të digjitalizimit në sektorin privat. Pikërisht për këtë qëllim bizneset ecommerce më serioze në Shqipëri janë bashkuar në Shoqatën Shqiptare për Tregtinë Elektronike (AECA), në thelb të së cilës qëndron pikërisht standardizimi i këtij procesi. Me mbështetjen e donatorëve seriozë si GIZ dhe Helvetas, AECA po punon fort në drjtim të përmirësimit të shërbimit të ecommerce në vend dhe krijimit të një Trust Mark, e cila do të ri-ngjallë besimin e konsumatorit tek blerjet online. Kjo Certifikate Besimi (Trust Mark) do t’u jepet bizneseve serioze që shesin online dhe plotësojnë pjesën më të madhe të kritereve që duhet të ketë një biznes ecommerce në vend. Elementë të tillë të shoqëruar edhe me lehtësimin e pagesave elektronike si një politikë që po ndjek Banka e Shqipërisë, pritet të sjellin një rritje të fortë të digjitalizimit të biznesit privat dhe rritjes së shitjeve online në vendin tonë.
Të ftuar në studio:
Z. Bujar Bendo, Auditues Ligjor dhe Konsulent Biznesi
Z. Artan Gjergji, Ekspert i Ekonomisë dhe Financave
Z. Tomi Kallanxhi, Ekspert i IT, Digjitalizimit dhe
Ecommerce
Comments
Post a Comment