Problemi i Ekonomisë nuk është Euroizimi, por Informaliteti dhe Cash-i
Intevistë per Revisten Monitor me z. Artan Gjergji, Ekspert i Tregjeve Financiare
Si i
vlerësoni rezultatet e deritanishme të strategjisë së deeuroizimit në sektorin
financiar që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë?
Personalisht, për shkak të doktrinave liberale ekonomike që mbroj, nuk kam qene shumë entuziast me politikën e diktuar të de-euroizimit të ekonomisë shqiptare. Kjo pasi besoj dhe mendoj se agjentët ekonomikë janë barometri më i mirë i një ekonomie të caktuar. Janë ata që me sjelljen e tyre i përshtaten më mirë dhe më shpejt karakteristikave të një ambjenti të caktuar ekonomik apo edhe kushteve që ndryshojnë herë pas here dhe në kohë rekord (siç ishte rasti i fenomenit COVID).
Pikërisht për këtë arsye as nuk kam pasur pritshmëri për një politike efektive të de-eeuroizimit, sepse sidomos në ekonomitë e hapura dhe me tregje të lira aplikimi i politikave të diktuara nga lart (top-down) është një instrument aspak efektiv. Një politikë e tillë mund të jetë funksionale në ekonomitë e mbyllura, ndërkohë që në sistemet ku dominon ekonomia e lirë, politika të caktuara publike apo rregullatore thjesht mund të jenë orientuese.
Faktet kanë treguar që strategjia e de-euroizimit as
oreintuese nuk ka arritur dot të jetë, pasi trendi i përodorimit të ekonomisë
cash nuk ka rënë (kjo është plaga kryesore që nxit edhe përdorimin në masë të
valutave të huaja), edhe pse duhet pranuar se është bërë një punë e
lavdërueshme nga Banka e Shqipërisë, Komiteti i Pagesave apo bankat e nivelit
të dytë për të nxitur përdorimin e transaksioneve dhe pagesave elektronike (me
kartë, e-banking, mobile banking, dhe deri diku me para elektronike).
Deri
tani, masat për uljen e nivelit të euroizimit janë të kufizuara në sektorin
bankar. Besoni se do të ishte e dobishme që Qeveria të kufizonte përdorimin e
Euros në transaksionet e brendshme ekonomike?
Jam krejtësisht kundra. Asnjë e mirë nuk i vjen ekonomisë të asnjë vendi nga kufizimet, për rrjedhojë çdo lloj kufizimi që mund të vijë në aktivitetin e agjentëve ekonomikë do ishte kosto dhe barrë për zhvillimin e vendit. Nëse shohim me kujdes sjelljen dhe veprimet e Bankës së Shqipërisë, as ajo vetë nuk ka qenë shumë ngulmuese në imponimin e përdodrimit të monedhës kombëtare në transaksionet e përditshme sepse kjo do të krijonte kosto të mëdha e të panevojshme për ekonomine e sidomos për biznesin e vogël.
Mjafton të përmendim politikën e Bankës së Shqipërisë për reduktimin në mënyrë drastike të kostove për transaksionet e pagesave të vogla në valutat e huaja (kryesisht EUR) sa kohë ato realizohen nëpërmjet kanaleve të sektorit financiar (banke ose jo-bankë). Futja në përdorim vitin që shkoi e sistemit AIPS Euro nga Banka e Shqipërisë është një fur themeli mjaft i rëndësishëm në zhvillimin pozitiv të tregut i cili sipas raportimeve të vetë bankës qëndrore i ka kursyer biznesit të vogël me dhjetra milionë euro komisione të panevojshme. Për kujtesën e publikut pagesat në monedhën lëkë kishin një kosto tavan prej jo më shumë se 500 lekë ndërkohë që e njëjta kundravleftë pagese ne valutën euro kishte një komision prej më e pakta 25 euro, sepse transaksioni procesohej jashtë vendit. Tashmë pas politikës së BSH dhe funksionimit të sistemit të klerimit në kohë reale (sistem RTGS) pagesat e vogla në valutë të huaj që ndodhin në kanalet e sektorit financiar kanë një komision tavan prej 5 euro.
Në vitin 2023 kur Shqipëria pati një rritje të konsiderueshme të turizmit, statistikat e transaksioneve në valutë të huaj nëpërmjet instrumentave të pagesave elektronike teorikisht duhet të jenë disafishuar (presim statistikat zyrtare në fund të vitit 2023), kryesisht për shkak të sjelljes konsumatore që kanë turistët e huaj që refuzojnë të paguajnë cash sidomos kur vizitojnë vende të panjohura për ta. Në këtë mënyrë, politika lehtësuese e Bankës Shqipërisë për uljen e kostove të pagesave në valutë të huaj (politikë në kah të kundërt me de-euroizimin) ka rezultuar të jetë mjaft e suksesshme dhe mjaft përfituese për biznesin shqiptar.
Pra me fjalë të tjera, edhe pse në dukje ashtu si çdo
bankë qëndrore në botë, edhe BSH do të dëshironte një përdorim sa më të gjerë
të monedhës kombëtare sepse në këtë mënyrë do rritej më shumë ndikimi i
politikave të saj monetare brenda kufinjve, përsëri banka qëndrore nuk mund të
cedojë as nga roli i saj i rëndësishëm i ruajtjes së stabilitetit financiar dhe
makro-ekonomik të vendit e i duhet të shohë interesin e agjentëve të saj
ekonomikë të vendit. Në këtë mënyrë pavarësisht orientimit për përdorimin e
monedhës kombëtare, vetë BSH ka ulur kostot e transaksioneve në valutë të huaj
(he mirë ka bërë), pasi llogjika ekonomike e ftohtë është favorizuese e rritjes
së volumit të të bërit biznes në mënyrë eficiente (më pak kosto dhe më shumë të
ardhura).
Çfarë
problemesh krijon niveli i lartë i euroizimit të ekonomisë shqiptare dhe përdorimi
paralel i dy monedhave në transaksionet ekonomike dhe tregtare?
Siç e përmenda edhe më lart, i vetmi problem që ka përdorimi në masë i një valute të huaj është fakti që politika monetare e bankës qëndrore për të luftuar inflacionin apo për të rritur/zvogëluar sasinë e parasë në qarkullim zbehet në mënyrë të dukshme. Thënë më thjesht në një ekonomi ku vetëm 60% e transaksioneve kryhen në monedhë kombëtare, vetëm mbi këtë sasi monetare është efektive politika që aplikon banka qendrore. Pra nëse rriten normat e interesit të monedhës kombëtare lek, vetëm 60% të parave në qarkullim do ndikonte, pasi nuk do kishte asnjë impakti mbi sasitë e parasë në euro.
Por ajo që nuk thuhet në diskursin publik është se ekonomia e vendit tonë nuk e ka sfidën me llojin e valutës që përodrim në transaksionet brenda vendit. Sfidën reale në ekonominë tonë (si të gjithë vendet në zhvillim se nuk jemi të vetmit) e kemi me përdorimin e gjerë të cash-it në ekonomi, pasi ky fenomen është burimi i të gjithë të këqijave të mundshme duke filluar që nga ato më baziket si kostoja e transportit të parasë, e mirëmbajtjes, e magazinimit, rreziqet e vjedhjes, humbjes, djegjes, fallsifikimit e deri tek problemet që vijnë nga informaliteti, mungesa e transparencës dhe rreziku i pastrimit të parave që origjinojnë nga burime të paligjshme.
Pikërisht kjo është thembra e akilit gjykoj unë. Në vend
që të humbasim kohë me politika të panevojshme proteksioniste (de-euroizimi
është një e tillë), duhet të fokusohemi tek lufta e fortë kundër përdorimit të parasë
cash në ekonomi, pa lënë mënjanë edhe nevojën për përfshirje financiare dhe
edukim financiar të qytetarëve. Reduktimi i cash-it në ekonomi do të
fromalizonte të gjithë transaksionet mes agjentëve ekonomikë si në nivel
individual Biznes-Konsumator (B2C) dhe individ-individ (C2C), ashtu edhe në
nivel biznesi (B2B). Në kushtet kur pagesat janë formale nuk ka rëndësi shumë
monedha në të cilën kryehn ato pasi nëse kemi të bëjmë me biznes, mjafton
detyrimi ligjor që fatura të pritet në monedhën kombëtare me kursin ditor
mesatar të Bankës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë fromalizohet jo vetëm ekonomia
por edhe tregu i kursit të këmbimit ka volumet e sakta të transaksioenve të
deklaraura duke e ndihmuar bankën qëndrore që të ketë një ide më të qartë me
sasine e parave jashtë sektorit bankar. Njohja me saktësi të plotë të sasisë së
parasë në qakullim brenda dhe jashtë sistemit bankar do i jepte dorë bankës
qëndrore të rriste efikasitetin e instrumentave të ndryshëm të politikës
monetare për të arritur qëllimin bazë, ruatjen e nivelit të çmimeve
(inflacionit) brenda kufinjve të synuar.
Në
vitet e fundit, Leku po shfaq një tendencë graduale mbiçmimi në kursin e këmbimit
me Euron, por kjo nuk duket të ketë ulur nivelin e euroizimit të ekonomisë. Pse
po ndodh kjo?
Nëse u referohemi statistikave të Bankës së Shqipërisë oferta monetare (sasia e parasë në qarkullim) në monedhën vendase nuk ka pësuar rritje (nuk ka emetime të reja). Ndërkohë që kemi një rritje të konsiderueshme të prurjeve në valutë të huaj e më konkretisht rritje të investimeve të huaja (direkte, apo në pasuri të patundshme), rritje të remitancave, rritje të flukseve nga turizmi, rritje modeste të eksporteve, e pse jo edhe rritje të prurjeve nga kanale ionformale të parave (pa paragjykuar origjinën e përfitimit të tyre). Në këto kushte, kur oferta monetare në lek ka qenë statike për shumë kohë ndërkohë oferta në valutë të huaj është rritur, mekanizmi i tregut padyshim që të con në vlerësim të monedhës kombëtare (sasia e bollshme e valutës në qarkullim, i ul vlerën kësaj valute).
Për më tepër, fillimi i një politike shtërnguese monetare
të BSH nëpërmjet rritjes së normave të interesit me qëllim frenimin e
inflacionit, pritet që shumë shpejt ta përshpejtojë rritjen e mbiçmimit të
lekut sepse do të reduktohet akoma më shumë sasia e lekut në qarkullim.
Pavarësisht ndërhyrjeve të herëpashershme të BSH në tregun valutor për blerje,
përvoja ka treguar që ndikimi në kursin e këmbimit ka qene pothuaj i
papërfillshëm dhe në një fraksion kohor disa ditorë.
Besoni
se një regjim me kurs të fiksuar të këmbimit valutor mund të jetë një zgjidhje
për shmangur problemet që shkaktojnë luhatjet e kursit në ekonomi?
Edhe pse ne afatshkurtër duket sikur kjo është një zgjidhje për të rregulluar dis-balancimin e tregut valutor (mbiçmimin e lekut karshi valutave të huaja), përsëri nuk mendoj se kjo do të ishte një zgjidhje e qëndrushme afatgjatë. Në tregjet e lira dhe të hapura (ku ka shumë aktorë dhe instrumente financiare) është pothuaj e pamundur që të mbash tregun nën-kontroll. Nëse mund të bëj një paralelizëm të thjeshtë është njëlloj si një notar, i cili edhe pse i stërviitur mirë, nuk mund të notojë pafund kundër rrjedhës së një lumi. Aplikimi i një norme fikse në dukje do të qetësonte tregjet por në të vërtetë do të thellonte edhe më tej dis-balancën për shkak të ndryshimit të rrjedhës së kërkesë-ofertës për mallra (importet do bëheshin më të shtrenjta). Kjo do të sillte një presion më të madh mbi dificitin e llogarisë korrente në vned duke e detyruar bankën qëndrore pas një farë kohe që të hiqte dorë dhe të linte kursin të ishte i lirë. Kjo do të përkthehej në më shumë kosto për aktorët e tregut.
Edhe vendet që e aplikojnë e para kanë një fizionomi
tjetër të ekonomisë së tyre, kanë ndjekur politika afatgjata, kanë një nivel më
të ulët të përdorimit të cash-it si dhe nuk kanë këtë bollëk deri diku të
pajustifikueshëm të valutës së huaj në tregjet e brendshme.
Disa
vende fqinje, me rrethana politike të ndryshme, kanë adoptuar Euron si monedhë
të vetme. Besoni se Shqipëria mund të bëjë të njëjtën gjë? Çfarë përfitimesh
dhe rreziqesh do të kishte adoptimi i Euros si monedhë e vetme?
Kjo është një politikë që ndodh në mënyrë bilaterale dhe të mirëkoordinuar me Bankën Qëndrore Europiane (BQE) dhe ndodh në një periudhë që zgjat nga 5-15 vite bashkëpunim dhe harmonizim politikash të dyanshme, kur vendi është pjesë e procesit të integrimit në BE. Ose ndodh në kushte të veçanta historike në mënyrë të njëanshme. Aktuliasht në Europë janë vetëm 2 vende që e përdorin euron në mënyrë të njëanshme: Mali i Zi dhe Kosova. Të dyja këto në kushte të caktuara historik u krijuan si dy shtete të reja të shkëputura nga një sistem monetar i caktuar (ai i ish Federatës Serbi-Mali i Zi).
Shqipëria është një vend i përfshirë intensivisht në procesin e integrimit me BE-në dhe në gjykimin tim, vendimmarrja sa i përket aspektit ligjor të fjalës për përdorimin e njëanshëm të monedhës euro, nuk është fare subjekt diskutimi për shkak të angazhimeve të marra. Sa i përket implementimit të dyanshëm (pra me bekimin e EQB-së), ky është një proces i gjatë e sfidues për ekonominë e vendit dhe institucionet rregullatore financiare.
Në aspektin praktik ama, asgjë nuk e pengon Shqipërinë në
përdorimin e saj de-facto të çdo lloj monedhe që gjen besim dhe pranueshmëri
(dy kritere të rëndësishme për përdorimin e instrumenteve të pagesave) tek
agjentët ekonomikë në vend. Siç e thashë edhe më lart, problemi me ekonominë
tonë nuk vjen nga përdorimi në konsum i llojit të valutave, por nga
informaliteti dhe përdorimi i gjërë i parasë fizike (cash). Sa më shpejt të ecet
në drejtim të reduktimit të këtij problemi aq më shpejt tregu do të amortizojë
disbalancat e përkohshme.
Burimi: Gjergji, A. (2023), “Problemi i ekonomisë nuk është euroizimi,
por informaliteti dhe cash-i”, Revista Monitor, Nr. 48 (1110), Dhjetor
2023, fq. 21-23 https://www.monitor.al/problemi-i-ekonomise-nuk-eshte-euroizimi-por-informaliteti-dhe-cash-i-2/
Comments
Post a Comment