BARRA TATIMORE – A duhet të jetë shteti kaq prezent në ekonomi ?

Interviste për FASTNEWS            nga Artan Gjergji

Ekspert i Ekonomisë

 

1. Pse shqiperia mbledh me pak se vendet e tjera te ardhura edhe pse nivelin e taksave e ka te njejte?

Personalisht mendoj që një ndër arsyet kryesore për mos-suksesin e vjeljes së të ardhurave tatimore në vend është kryesisht niveli i lartë tëtimor sidomos tek taksat direkte të cilat ndihen direkt edhe në xhepin e tatimpaguesve të vegjël e të mesëm. Rritja aspak proporcionale dhe krejtësisht agresive në progresivitetin e tatimit mbi të ardhurat (biznesi, e sidomos individi), e dekurajon tatmpaguesin të jetë korrekt me zbatimin e legjislacionit tatimor.

 


Thënë kjo, tatimpaguesit janë më të prirur drejt evazionit fiskal me qëllim lehtësimin e barrës që u krijohet në mënyrë fiktive e deri diku të pandershme. Ndërkohë që kur kjo shoqërohet edhe me nivelin e lartë të korrupsionit nga administrata tatimore, ateherë situata bëhët më e favorshme. Individëve, apo edhe tatimpaguesve të tjerë, u kushton më pak të jenë në infromalitet e të paguajnë “mitën” se sa të jenë korrket me ligjin duke paguar më shumë e duke pasur mbi shpinë edhe hakmarrjen e inspektorëve tatimorë.   

Edhe pse procesi i fiskalizimit ka ndikuar pozitivisht në drejtim të luftës kundër evaziaonit fiskal, duhet thënë që ka ende shumë punë për të bërë në drejtim të vjeljes së efekteve të pritshme.

 

2. Si ndikon ky nivel i ulet i mbledhjes se te ardhurave tek qytetaret?

Në fakt një element i rëndësishëm që sensibilizon qytetarin, apo cdo lloj tatimpaguesi, në drejtimt ë korrektesës në shlyerjen e detyrimeve fiskale, është edhe niveli i lartë is hërbimeve publike (shëndetësia, arsimi, siguria, ambjenti etj.) që marrin në këmbim nga shteti. Me fjalë të tjera, pritshmëritë e tatimpaguesve janë që shlyerja e detyrimeve tatimore të përkthehet në një kthyeshmëri më të lartë në formën e investimeve publike.

 

E kur kjo nuk ndodh, pavarësisht korrektesës së shlyerjes së detyrimeve, apo kur për shkak të korrupsionit, shpenzimet buxhetore vidhen ose orientohen në drejtime krejt të tjera nga pritshmëritë e individëve/ bizneseve të zonës, atëherë edhe ndjeshmëria e tatimpaguesve në këtë drejtim ulet. Për këtë arsye të gjendur përballë një kthyeshmërie të vogël, tatimpaguesi bën të pamundurën të shmangë detyrimet tatimore, apo pse jo, edhe të bëjë evazion fiskal, madje duke guxuar të marrë parasysh edhe pasojat penale që sjell ky veprim. Në të kundërt mbijetesa si biznes është shumë e vështirë.

 


3. Cfare masash duhen marre qe te rritet niveli i te ardhurave?

Rritja e nivelit të të ardhurave tatimore, e përkthyer me fjalë të thjeshta do të thotë reduktim të hapësirave për të bërë evazion fiskal. Është e vërtetuar shkencërisht por edhe empirikisht, se një barrë tatimore e ulët nxit rrijen e korrektesës së tatimpagueseve dhe zgjerim të bazës tatimore duke sjellë më shumë të ardhura në Buxhetin e Shtetit. Përvec kësaj, cdo lloj instrumenti që nxit transparencën apo digjitalizon shërbimet, thjeshton procedurat dhe cdo lloj elementi tjetër administrativ, ndikon pozitivisht në rritjen e të ardhurave. Ndërkohë që politikëbërësit nuk duhet të lënë pas dore edhe ndjeshmërinë e kthimit të taksave në shoqëri nëpërmjet një shpërndarje me të drejtë dhe më efikase të shpenzimeve buxhetore nëpërmjet investimeve publike. 

Pavarësisht sa më sipër, debati që do të doja të shtroja unë në këtë këndvështrim është, pse duhet të vjelim më shumë ta ardhura nga taksat? Pse shteti duhet të ketë më shumë rol në ekonomi? A nuk do ishte më mirë që ulja e barrës tatimore (për rrjedhojë një shtet më i vogël në ekonomi) të reduktonte evazionin dhe të krijonte premisat për akumulimin e kapitalit tek individi dhe biznesi. Përdorimi i këtij kapitali apo kursimesh të akumuluara do të ishte shumë herë më eficiencient në ekonominë e një vendi, se sa rishpërndarja e centralizuar që bën buxheti i shtetit. Ri-shpërndarja në ekonomi në formën e investimeve apo sipërmrrjes private, është shumë herë më eficiente se sa ri-shpërndarja publike nga buxheti, për shkak se ky fenomen kurrë nuk ka arritur të shpëtojë nga sëmundja e korrupsionit dhe nepotizmit. E kjo padyshqim që redukton mjaftueshëm eficiencën e investimeve publike apo rrijten e mirëqenies tek qytetarët.


Personalisht mbështes një rol shumë të vogël të shtetit në ekonomi, vetëm në ato sektorë të domosdoshëm si gjyqësori, diplomacia, siguria, arsimi, shëndetësia etj. (edhe këtu kjo peshë të lehtësohet nga konkurrenca e sipërmarrjes private). Kjo padyshim që do të reduktonte nevojën për të ardhura publike në vlera të mëdha, e për rrjedhojë, do të reduktonte edhe barrën fiskale që bie mbi tatimpaguesit.

  

Shënim: Kjo intervistë është dhënë eksluzivisht për portalin ekonomit FASTNEWS. Linku i plotë i shkrimit me disa intervista gjendet këtu: Nga informaliteti dhe “qokat” e qeverisë, të parafundit në rajon për të ardhurat - Fast News Economy

 

.

Comments