Tregu i Punës në Krizë për Punëtorë

Në këtë emision u diskutua në lidhje me sfidat që ka tregu i punës në Shqipëri në 2-3 vitet e fundit pas valëve të reja migratore në drejtim të vëndeve të Europës, nga punonjësit shqiptarë. Ekspertët theksuan nevojën e domosdoshme që  ka tregu për një reformim të thellë dhe gjetur rrugët e duhura për t’u përballur me këtë sfidë që sa vjen e bëhet më e theksuar.


Nëse në dekadën e fundit valët migratore kanë përfshirë në një gamë të gjerë profesionistët, dhe largimin e tyre duke krijuar një boshllëk në anën e ofertës për profesione (elektricistë, hidraulike, rrobaqepës etj.), duhet theksuar se së fundmi tregu i punës në Shqipëri tashmë po përballet me emigrimin edhe të shtresës së mesme apo intelektualëve që realisht në Shqipëri paguhen me paga shumë të mira. 

Sipas ekspertëve, përvec problematikave që karakterizojnë tregun e brendshëm (mungesa e shërbimeve sociale, mungesa e besimit tek institucioent dhe zbatimi i ligjit etj.), një faktor mjaft i rëndësishëm që ka shkaktuar këtë fenomen, është edhe liberalizimi i praktikave të punësimit në vendet e Bashkimit Europian, si pasojë ë nevojës që ata kanë përkrah pune të specializuar në kushtet e plakjes së popullëisë në BE.

Përfaqësuesit e Qeverisë në panel thekusan faktin se Qeveria Shqiptare ka bërë përpjekjet maksimale në drejtim të ofrimit të arsimimit dhe programeve cilësore për aftësim profesional, duke tentuar sado pak të reduktojë hemoragjinë për këtë segment të tregut të punës. Megjithatë, sipas të ftuarve të tjerë në panel, edhe pse ky element është i vërtete, përsëri kjo ka ndikuar më shumë në rritjen e cilësisë së krahut të punës të eksportuar në vendet e BE-së se sa në ndalimin e hemoragjisë në tregun e brendshëm. Në anën tjetër edhe politikat e sipërmarrjes private në plotësimin e tregut të brendshëm me krah të lirë pune nga vendet e Azisë së largët, jo vetëm që nuk ia kanë arritur qëllimit, por në shumë raste janë kthyer edhe në skema të trafikimit të qënieve njerëzore që duan të emigrojnë drejt BE-së.

 


Një tjetër element i rëndësishëm që Qeveria po synon, thanë përfaqësuesit e saj në panel, janë mekanizmat për mbështetjen e rinisë dhe emigrantëve që kanë vendosur të kthehen e të hapin biznese në vendin tonë me kursimet nga emigrimi. Edhe pse në nivele modeste, këto paketa po japin frytet e tyre në tregun e brendshëm të punës, përsëri sipas ekspertëve, ato kanë nevojë për më shumë promovim apo për gjetjen e mekanizmave që këto fonde të shpenzuara nga Buxheti i Shtetit, të gjejnë realisht desitinacionin e duhur tek përfituesit e vërtetë. 

Në kushtet e ndryshimit të shpejtë të dinamikave të tregut në sektorin e turizimit si pasojë e boom-it që ka pasur ky sektor në 2 vitet e fundit, komuniteti i biznesit përgëzoi edhe nismat e Qeverisë në drejtim të programit të bursave për shkollat e hoteleri-turizëm, apo për sugjerimin e mbylljes së shkollave 2-3 javë më përpara, me qëllim futjen e të rinjve të shkollave të mesme në punë për përballimin e flukseve të mëdha turisitike në sezonin e verës.

Një tjetër element i rëndësishëm që u diskutua në panel, ishte edhe rëndësia e sigurisë në punë, për shkak të efektivitetit që sjell kënaqësia në punë e punonjësve. Por edhe pse përfaqësuesit  e Qeverisë në panel mendonin që këto kushte janë përmirësuar si pasojë e politikave të Qeverisë, ekspertët e tjerë konfirmojnë një përmirësim të kushteve dhe sigurisë në punë, por u shprehën se kjo vjen për shkak të konkurrencës në treg mes punëdhënësve (kur është reduktuar oferta për krah pune të specializuar).

 

Të ftuar:

Edona Bilali, ish ministre për Sipërmarjen

Edlira Çepani, përfaqësuese e shoqërisë civile

Artan Gjergji, ekspert për ekonominë

Gertiola Çepani, drejtore e Tregut të Punës në Agjencinë Kombëtare të Punësimit

Nuriona Berdica, konsulente financiare (skype)

Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës së Hoteleri Turizmit (skype)

 

Comments