KRIMI I ORGANIZUAR - Transferimi dhe Pastrimi i Parave me Burime të Paligjshme në Shqipëri

Intervistë me Artan Gjergji, ekspert i tregjeve financiare

për një nga rrjetet ndërkombëtare më prestigjoze në luftën kundër krimit të organizuar*

 


 

Pyetje: Sa nga paratë të ardhuara nga Shqipëria janë të ardhura nga krimi (POC) në Mbretërinë e Bashkuar ose gjetkë ndërkombëtarisht?

Përgjigje A.Gj: Është shumë e veshtirë të identifikosh remitancat nga UK, që vijnë në kanale zyrtare (banka + money transfer institutions), e jo më të ndash prej këtyre parave se sa origjinohen nga krimi i organizuar në UK. Nuk kastatistika të mirëfilta të publikuara së fundmi nga Banka e Shqipërisë apo instati në lidhje me origjinën e remitancave. Gjithesesi, nisur nga niveli i vlerave te vogla qe kane remitancat (deri ne 2.000 EUR me nje mesatare qe nuk i kalon 200-300 euro) nuk mendoj se këto kanale perdoren nga përfituesit e parave nga burime të jashtligjshme.

Kurse sa i përket burimit të të ardhurave nga krimi apo aktivitete të tjera të paligjshme, statistikat janë pothuaj të pamundura. Gjithesesi mendoj se ky proces është me valë, në varësi të mënyres së ecurisë së bizneseve të paligjshme në UK. Ka valë kur ka shumë të ardhura andej dhe domosdoshmërisht duhet të transferohen për në Shqipëri. Ka raste kur këta individë apo organizata nuhasin që gjurmohen nga organet ligjzbatuese andej dhe përpiqen që të “shpëtojne” një pjesë të madhe të të ardhurave duke i sjellë këtej ku kërkesa e organeve ligjzbatuese është shumë më e vogël. Vitet e fundit ka nje boom të investimeve në pasuri të patundshme ose biznese që premtojnë (hotele, agroturizma, bujtina etj.) dhe kjo mund të ketë rritur fluksin hyrës të parave me burime të paqarta nga UK.

Sic e thashë nuk ka shifra publike apo statistika zyrtare për këto flukse, por kjo vlerë konsiderohet në qindra milionë euro në vit. Sofistikimi i shërbimeve financiare, digjitalizimi i tyre, madje edhe revolucioni në industrinë blockchain ka sofistikuar edhe kanalet e transferimit të parave me me origjinë burime të paqarta. Kështu, nëse transfertat përdorin kryesisht kanalet klasike të transfertës fizike të parave me makinë, me autobuz, me kamion, me canta, me sistemin e mirëbesimit “hawala” etj. (kostoja ishte rreth 25-30% e shumës së transferuar), tashmë këto forma kanë evoluar, kryesisht nëpërmjet përdorimit të kanaleve të tregtisë së jashtme dhe faturimit (fiktiv) të faturave fiskale, për të justifikuar edhe origjinën e transfertave. Për shkak të fiktivitetit të tyre, në këtë lloj biznesi shfrytëzohen kryesisht biznese shërbimesh që nuk përfshijnë transfertë mallrash si shërbime konsulence, programimi, call-centers etj. Meqë faturat janë reale dhe pjesë e sistemeve fiskale, edhe transfertat e këtij lloji përdorin kanalet zyrtare duke lënë gjurmë në sistemin financiar. Kostoja për këto forma është shumë herë meë e vogël (kostot e tranfertave bankare dhe tatimi fitimit), por për shkak të lënies gjurmë në sistem, risku i zbulimit është shumë herë më i lartë.

Një kanal i përdorur gjerësisht në dekadën e fundit për transferimin e parave me burime të paqarta është edhe industria e blockchain e sidomos përdorimi i kriptovalutave jo vetem si si mjet investimi (skemat pump-and-dump), por edhe si mjet i transferimit të fondeve. Kështu sofistikimi shkon në ato nivele ku i kërkohet dërguesit të investojë në Bitcoin (ose kriptovaluta te tjera stabile) në vendin e origjinës dhe t’i transferojë ato tek një Broker në Shqipëri, i cili i paguan cash familjarëve diferencën pasi mbahet komisioni që varion nga 10% deri ne 15% të shumës së transferuar.

Shembull: Brokeri A në UK që ka pozicion në Bitcoin (BTC), i merr një individi GBP cash p.sh. 100.000 GPB, dhe i transferon këtij individi kundravleftën e BTC në llogarinë e tij personale, kundrejt një komisioni që paguhet po cash. Me pas ky individ i shet BTC nëpërmjet rrjetit blockchain tek një Broker B që ka rezidencë fizike në Shqipëri dhe e kanë kontaktuar familjarët në Shqipëri të dërguesit nga UK. Brokerat A dhe B e njohin njëri tjetrin dhe bashkëpunojnë në këtë proces duke ndarë edhe fitimet. Brokeri B në Shqipëri, sapo blen BTC nga Brokeri A, i shet direkt me të njëjtin cmim në bursë duke mos mbajtur risk dhe kthyer në likujditet pozicionin (pra i blen 100.000 GBP dhe i shet 100.000 GBP ose me nje diference mjaft të vogël, për të mos krijuar dyshime). Pasi Brokeri B, kthen ne likuid invetimin ne BTC, u jep familjarëve të dërguesit cash në dorë pjesën neto të parave pasi zbret komisionin e tij. P.sh. nëse komisioni i dakordësuar është 12%, Brokeri B u jep familjarëve të dërguesit cash në dorë 88.000 GBP. Ndërkohë Brokeri B, likujditetin e mbajtur nëpër banka për transaksionet ne BTC e mban përsëri në bankë pa e nxjerrë nga sistemi financiar, të gatshëm për transaksione të tjera.

 


Pyetje: Çfarë ndodh me paratë pasi mbërrijnë në Shqipëri / Si integrohen në sistemin financiar shqiptar?

Përgjigje A.Gj: Pasi vijnë në Shqipëri, paratë ruhen fillimisht në kushte fizike në ambjente të fshehta (shtëpi, groposje nën dhe etj.) dhe përdoren me vlera të vogla për konsumin normal familjar të individëve apo familjeve që i zotërojnë. Ky konsum normal d.m.th. shpenizme të jetësës së përditshme pa përjashtuar shpenzimet luksoze e vanitoze (pushime te shtrenjta, jeta e nates në luks, përdorimi i mjeteve të luksit ekstrem si makina shumë të shtrenjta, jahte etj.). Kjo ndodh për një periudhë të shkurtër kohore, sa “studiohet” hapërisa për investim me qëllimin fillestar, të sigurojnë një normë kthimi nga këto “para të fjetura”. Më pas kjo nevojë dhe ky objektiv kërkon dhe detyron këta individë apo struktura kriminale që të kërkojnë kanale të tilla alternative që u japin mundësinë përvecse të përfitojnë, edhe të arrijnë të dokumentojnë burimin (fiktiv) të këtyre të ardhurave, duke u mundur që të pastrojnë dhe humbasin gjurmët e burimit origjinal.

Sic u tha më lart, fillimisht investimet synojnë sektorët që kanë një nivel shumë bazik ose inekzistent të kërkesës për deklarimin e burimit të origjinës së kapitalit fillestar sic është investimi në pasuri të patundshme (kryesisht projekte ndërtimi në shumë të konsiderueshme, por edhe në blerje shtëpish, dyqanesh, tokash, biznesesh etj.).

Penetrimi në sektorin financiar është shumë i vështirë pasi bankat në Shqipëri janë institucionet më serioze dhe barrierat kryesore në luftën kundër pastrimit të parave. Por subjektet e caktuara, gjejnë rrugë alternative të përdorimit të sistemit financiar e fiskal për të legjitimuar të ardhurat e tyre. Kështu, mënyra më e përdorur është kryerja e mjaft transaksioneve të njëpasnjëshme të ndryshimit të pronësisë së pasurive të patundshme, duke humbur jo vetëm origjinën, por edhe duke rritur gradualisht vlerën e tyre, për të justifikuar burimin e të ardhurave në shitje.

Një tjetër mënyrë është investimi në projekte të mëdha ndërtimi ku kërkesa për origjinën e burimit të parave është thuajse in-ekzistente. Për ata që e njohin mënyrë e funksionimit të sektorit të ndërtimit, puna me transaksione kleringu (mall-me-mall) e lëndëve të para si rërë, cimento, duralumin, hekur etj. e vështorëson jashtë mase gjurmimin e këtyre elementëve të pastrimit të parave, pasi në të shumtën e rasteve të ardhurat nga këto aktivitete fshihen edhe pas bizneseve të tilla që furnizojnë sektorin e ndërtimit. Madje ka subjekte financiare (shpesh fantazmë) që guxojnë të garojnë edhe në tenderat publikë të investimeve rrugore apo infrastruktorore (shkolla, spitale etj.). Për këtë krijojnë bashkime ofertash me subjekte që kanë historik të mirë nëpër tenderat publikë (shfrytëzohet CV e tyre historike për fitimin e tenderit), por që kanë mungesë likujditeti për të realizuar projektet madhore në kohë. Firmat fantazmë të reja e pa histori, krijohen pikërisht për të kanalizuar në këto projekte në formë direkte apo indirekte (si nënkontraktorë) subjekte që zotërojnë dhe hedhin në qarkullim volume të mëdha parash nga burime të paqarta. Këto projekte madhore, përvecse i ndihmojnë këto organizata të pastrojnë paratë e tyre nga aktivitete të mëparshme, u sjellin edhe norma të kënaqshme fitimi që variojnë në nivelet 50%-200%.

Jo në pak raste në sektorin e ndërtimit përdoret edhe kredia bankare si një mjet efikas e ligjor për të justifikuar pronësinë e aseteve të ndryshme të zotërura nga elementë me aktivitet të dyshimtë. Këshu, merren kredi (të panevojshme) për bizneset të caktuara me qëllim justifikimin e burimit të të ardhurave të investimit nëse ndodh një hetim nga organet ligjzbatuese. Edhe pse kjo ka kosto të dyfishtë (kostoja e interesave të kredive, si dhe kostoja e tatim fitimit mbi të ardhurat e deklaruara për për të justifikuar burimin në procesin e shlyerjes) përsëri është një element i përdorur nga subjkete të maturuara jo vetëm në gjenerimin e burimeve të jashtligjshme, por edhe të mirë-strukturuara në procesin e pastrimit të këtyre të ardhurave.

E fundit por jo më pak e rëndësishme, një formë tjetër e pastrimit të parave me origjinë burimet e paligjshme është edhe mbi-faturimi dhe fryrja e të ardhurave në biznese fiktive, me qëllim krijimin e një alibie për të ardhura që nuk justifikohen. Është pikërisht edhe kjo e vetmja derë ku këto para penetrojnë në sektorin financiar në formën e të ardhurave nga biznesi. Me fjalë të tjera edhe pse këto biznese nuk gjenerojnë të ardhura reale, fusin në qarkullim në mënyrë të zgjuar aq të ardhura sa kontabilistët e tyre deklarojnë për organet tatimore. Kjo bëhet në mënyrë graduale dhe të mirë-studiuar për të mos rënë në sy ndaj organeve ligjzbatuese. Aq e kujdesshme bëhet kjo sa vitet e fundit vihet re një fenomen interesant që ka të bëjë me rritjen e nivelit të depozitave të biznesit në sektorin bankar. Ky fenomen pothuajse jo-ekzistent deri para nje dekade, tashmë është bërë normal dhe me një trend të rritës normal nga viti në vit.  Më pas kur në sistem ka mjaftueshëm para të deklaruara dhe tatuara fiskalisht, përdoren produktet e sistemit financiar për multiplifikimin e pasurisë duke marrë kredi, apo blerë pasuri të patundshme me transferta bankare që lënë gjurmë. Prona të tilla të blera duke përdorur të ardhura me burim të dukshëm, përdoren edhe si kolaterale për investime të reja, duke e rritur dukshëm faktorin e multiplifikimit financiar.

Një burim të ardhurash i deklaruar për shumë vite si mjet për pastrimin e parave kanë qenë të ardhurat e (gjoja) fituara nga llotaritë dhe lojrat e fatit. Gjithësesi, ky kanal ka pësuar një goditje të fortë në dekadën e fundit për shkak të politikave qeveritare kundër aktivitetit të lojrave të fatit. Edhe pse në dukje një kanal pastrimi në “sleeping mode”, ri-hapja e kazinove dhe lehtësimi i legjislacionit pë lojrat e fatit, paraqet një element që duhet ndjekur me vemendje nga organet ligjzbatuese.

 

Pyetje: Çfarë niveli të due diligence / due diligence të zgjeruar / KYC kryhet për individët / burimin e fondeve (nëse ka) nga bankat shqiptare / institucionet financiare (përfshirë MSB-të) kur paratë në GBP depozitohen dhe/ose shkëmbehen?

Përgjigje A.Gj: Sic e thashë dhe më lart, sektori bankar është shumë strikt në aspektin e due-diligencës për deklarimin e fondeve dhe një filtër mjaft i imët në momentin e hyrjes së parave në sistemin financiar. Përpjekje bëhen edhe në fazat e tjera të analizës së riskut e të kredisë për kreditimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë për të reduktuar mundësinë e përdorimit të fondeve bankare si një mjet për justifikimin e investimeve. Por duhet thënë që përtej sofistikimit dhe diversifikimit të fushave, sektorëve apo segmenteve të caktuara të investimeve, individët e krimit të organizuar që kanë rekorde kriminale të dukshme në sistem, përdorin familjarët e tyre pa rekorde kriminale për të përfituar nga kreditë bankare apo shërbime të tjera që përdoren për të perligjur transaksionet nëpërmjet sistemit financiar. Pikërisht due-diligenca e sektorit bankar dhe institucioneve kredidhënëse (përfshi shoqëritë leasing dhe factoring) duhet të sofistikohet në drejtim të njohjes së klientit (KYC) edhe të rrethit familjar të individëve që de-juro aplikojnë në sistem, por që de-facto paraqesin interesa të tjera.

Sa i përket institucioneve të tjera jo-kredidhënëse sic janë Zyrat e Këmbimit Valutor (ZKV) ato nuk kanë një rol direkt në futjen sistem të parave me burime të paligjshme, pasi nuk realizojnë transferta bankare dhe nuk hapin llogari. Paratë thjeshtë këmbehen “cash-versus-cash”. Megjithatë, këto institucione mund të shërbejnë si receptorë shumë të mirë të sinjaleve të pastrimit të parave nëse përdoren si duhet në drejtim të luftës kundër pastrimit të parave. Edhe pse legjislacioni kërkon që kur vlera e parave është rreth 100.000 lekë (rreth 1.000 EUR), klienti duhet të paraqesë një dokument identifikimi pranë ZKV-ve dhe këto të fundit duhet ta ruajnë në dosjet e tyre të klientëve, përsëri kjo nuk zbatohet në terren (konkurrencë e pandershme në tregun e ZKV-ve si dhe ushtrim pa licensë aktiviteti). Gjithashtu, edhe nëse do zbatohej, përsëri sa kohë nuk ka një sistem të qendërzuar ku ZKV-të të ngarkojnë ID-të e klientëve dhe të raportojnë në lidhje me identitetin e tyre, kjo luftë bëhet pothuaj jo-ekzistuese, pasi organet ligjzbatuese nuk kanë mjaftueshëm burime njerëzore për të kontrolluar fizikisht cdo ZKV në Shqipëri. Përdorimi i një modeli drastik të ngjashëm me Rumaninë e viteve 2005, ku për cdo kembim valutor (edhe 5 EUR) duhej të paraqisje kartën e identitetit, dhe ky informacion qendërzohej në një institucion që merrej posacërisht me analizimin e këtyre të dhënave do të ishte efikas në parandaliminin e përdorimit të mjaft parave me burim të paqartë. Pavarësisht kësaj, këmbimi është vetëm njëra anë e medaljes. Bllokimi i konvertimit në sasi të mëdha nëpër ZKV do të rriste numrin e transaksioneve në valutë të huaj në blerjet e përditshme në ekonominë e vendit. Pra mund të jepte efekte anësore që duhën marrë parasysh nga organet ligjzbatuese.

E fundit por jo më pak rëndësishme, aplikimi i një platforme OTC (over-the-counter) të qendërzuar për këmbimin valutor (të ngjashme më një bursë valutash), do të shërbente shumë për pastrimin e volumeve të valutës nëpër kanalet zyrtare, duke mbajtur gjithnjë jashtë sistemit paratë më burim të paqartë. Në rast të një vullneti politik dhe institucional të enteve rregullatore financiare, ky treg OTC, mund t’i bashkangjitet Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, pasi infrastruktura teknike (sistemi elektronik i ALSE) e mundëson tregtimin e valutave .

 

Pyetje: Çfarë roli (nëse ka) luajnë noterët në pastrimin e parave në GBP në Shqipëri dhe si?

Përgjigje A.Gj: Shërbimi noterial është një element mjaft i rëndësishëm në transaksionet mes palëve në vlera të mëdha e të vogla. Ka disa vite që procesi i shitblerjes së pasurive të patundshme është kanalizuar nëpërmjet sistemit bankar duke e reduktuar në maksiumum mundësinë për pastrimin e parave në pasuritë e patundshme. Megjithatë duhet thënë që kjo nuk vlen për pasuri të tjera të tundshme sic janë makinat luksoze apo asete të tjera, për të cilat në shumicën e rasteve në deklaratat noteriale nuk përcaktohet vlera e saktë ose në rastet më të mira deklarohet që vlerat monetare që shoqërojnë transaksionet janë shkëmbyer mes blerësit dhe shitësit jashtë zyrës noteriale. Padyshim që kjo lehtëson zotërimin e aseteve të shtrenjta duke u dhënë mundësinë atyre më vonë të përdoren si kolaterale për kredi me vlera të tjera nga kanalet bankare.

Gjykoj se është bërë punë e mirë punë e mirë në drejtim të mbylljes së hapësirave për abuzim në vlera të mëdha, duke e kthyer shërbimin noterial në një pengesë serioze në procesin e pastrimit të parave. Megjtihatë ka ende hapërisa që duhen përmirësuar duke reduktuar në maksimum mundësitë e abuzimit.

 

Pyetje: Çfarë roli luajnë MSB-të, Burotë e Shkëmbimit, Bankat / institucionet financiare dhe kompanitë e Transportit të Parave dhe Vlerave (CVITs) në pastrimin e parave në GBP në Shqipëri dhe ri-atdhesimin e tyre të lidhur me Mbretërinë e Bashkuar?

Përgjigje A.Gj: Nëse ka gjurmë të procesit të pastrimit të parave në Shqipëri me origjinë nga UK, kjo vjen nga të ardhurat që shtetas me origjinë shqiptare kanë fituar në rrugë të paligjshme në këtë vend. Procesi i transferimit të këtyre fondeve dhe në Shqipëri, pastrimi i tyre me metodat që përmendëm më sipër nëpërmjet bizneseve dhe faturimeve fiktive, apo kredive dhe kolateraleve, bëhet me qëllim kryesisht për mbajtjen e këtyre parave në Shqipëri dhe investimin në vendin tonë. Tendenca për të mbajtur kapitalin dhe investimet në Shqipëri vjen për shkak të një niveli relativisht më të ulët të vigjilencës financiare këtu se sa vigjilenca dhe niveli i kontrollit në një vend të zhvilluar si Britania e Madhe. Për rrjedhojë, mundësia e pastrimit të parave dhe futja e tyre në qarkullim është shumë më e thjeshtë në Shqipëri duke nxitur qëndrimin e këtyre fondeve brenda vendit ose në vendet me karakteristika të ngjashme në rajon (Kosovë, Maqedonia e Veriut etj.)

Megjithatë, edhe pse jo një fenomen shumë i dukshëm, vitet e fundit vihet re një tendencë e lehtë në drejtim të rikthimit të këtyre parave në drejtim të UK. Kjo ndodh në vlera të vogla për individë që jetojnë në UK dhe që kanë nevojë të justifikojnë burimin e të ardhurave në këtë vend. Kështu transfertat bankare nga Shqipëria në UK (kryesisht në vlera të vogla) mund të deklarohen si “kthim borxhi” duke u dhënë përfituesve një burim të pranueshëm origjine të parave në sistem, pas shkuar më tej në hetimin e origjinës së parave të dhëna borxh më parë jashtë sistemit financiar e që kthehen pas nëpërmjet sistemit financiar. Krijimi i këtyre spondave transferon problemin e due-diligencës AML/FT në UK duke u dhënë më shumë fleksibilitet përfituesve.

Gjithashtu, ka edhe transferta në vlera të mëdha për investime kryesisht në biznese në UK (bar-kafe, restorante, apo biznese të tjera të vogla), pse jo dhë në ndërtim apo segmente të caktuara të sektorit të ndërtimit në UK (duralumini, hidrosanitare etj.). Një tjetër burim i transfertave bankare të fondeve nga Shqipëria ne UK, ndodh nëpërmjet faturave për import të produkteve dhe/apo shërbimeve nga UK për në Shqipëri, duke u dhënë mundësinë subjekteve Shqiptare që duan të transferojnë fonde në UK të bëjnë pagesat nëpërmjet kanaleve bankare për të importuar praktikisht shërbime nga subjekte me rezidencë në UK.

 

Pyetje: Burimi i parave që transferohen elektronikisht midis bankave / institucioneve financiare të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë? 

Përgjigje A.Gj: Sic e kam shprehur edhe më lart, burimi i transfertave bankare dhe kanaleve të tjera zyrtare duhet të jetë i bazuar ligjërisht dhe me dokumentacion mbështetës. Kjo është arsyeja kryesore pse ka përpjekje serioze dhe të sofistikuara të grupeve të ndryshme kriminale (të shpjeguara në këtë intervistë), për të pastruar një pjesë të konsiderueshme të këtyre të ardhurave si nga ana shkresore (me dokumenta) ashtu edhe fiskale në vende si Shqipëria ku procesi i due-diligencës kundër pastrimit të parave është ose në nivele modeste ose lehtësisht i kompromentueshëm.

 

Pyetje: A janë ato të ardhura nga krimi (POC) në Mbretërinë e Bashkuar ose jashtë saj?

Përgjigje A.Gj: Është e vështirë të ndash cilat të ardhura vijnë nga krimi e cilat jo. Kjo për arsyen se krimi i organizuar përpiqet të shmangë kanalet zyrtare gjatë procesit të transferimit të fondeve me origjinë të dyshimtë për të mos lënë gjurmë për aktivitetin e tij kriminal. Pas procesit të futjes në sistemin financiar në ekonomitë në zhvillim ku zbatimi i ligjit është në nivele modeste, dhe dokumentimit fiktiv ligjor apo fiskal të origjinës së këtyre parave, atëherë fillon lirisht qarkullimi i tyre nëpër kanalet zyrtare të sistemit financiar.

Gjithësesi, duhet thënë që edhe gjatë procesit të transferimit, një pjesë e parave me origjinë krimin, arrijnë të transferohen nëpërmjet sistemeve financiare (me fatura fiktive), edhe pse këto janë një pjesë krejtësisht e papërfillshme e vlerave që realisht fiton krimi i organizuar jashtë sistemit financiar. Gjithashtu, sa i përket transferimit të fondeve me origjinë të paqartë nga vendet e zhvilluara përfshi UK, drejt Shqipërisë, pjesa më e madhe e këtyre fondeve edhe pasi arrijnë të pastrohen (kur munden), kanë tendencën të qëndrojnë në Shqipëri në formën e investimeve dhe të qarkullojnë sa më pak ndër dekada. Kështu duke u shitur, dhuruar dhe/apo trashëguar përsëri në ekonomitë në zhvillim si Shqipëria, ato krijojnë një historik me bazë solide brenda sistemit financiar duke reduktuar në maksimum mundësinë e kapjes nga organet ligjzbatuese.  

 

Pyetje: Kush janë dërguesit dhe marrësit e këtyre parave si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në Shqipëri dhe a ka lidhje me krimin e organizuar (SOC)?

Përgjigje A.Gj: Nëse flasim vetëm për paratë që vijnë nga aktivitete të paligjshme padyshim që dërguesit e këtyre fondeve janë anëtarët e këtyre organizatave ndërkohë që marrësit janë kryesisht familjarët e tyre apo të afërm të besueshëm. Por në pjesën më të madhe kështu ndodh në transfertat apo transaksionet jashtë sistemit financiar. Nëse një pjesë e tyre kanalizohet në sistem me fatura fiktive, ateherë dërguesit janë të afërm me rekorde të pastra kriminale apo korporata të krijuara në emër të tyre për justifikuar faturat fiktive që mbështesin transaksionet e import-eksportit. Pra në rastin e transaksioneve nëpërmjet kanaleve zyrtare bankare, dërguesit dhe marrësit e këtyre fondeve janë korporata ku përfituesit fundorë të tyre (UBOs) kanë lidhje direkte ose indirekte me anëtarë të grupeve kriminale. Në raste të hetimit pasuror të këtyre sipërmarrjeve apo familjarëve të tyre, nuk është e vështirë të gjenden mospërputhje dhe pamundësi për të justifikuar pasuritë, vlerat monetare apo volumet fiktive të biznesit. E për ta bërë këtë duhet që të ketë edhe organe ligjzbatuese cilësore, efikase dhe të pakorruptuara.

 

Pyetje: Shumat e përafërta të parave që transferohen elektronikisht midis bankave / institucioneve financiare të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë?

Përgjigje A.Gj: Shqipëria është një vend kryesisht pranues i remitancave, megjithatë cuditërisht është shumë e vështirë të gjesh të dhëna të detajuara publike të prodhura nga Banka e Shqpërisë dhe/apo INSTAT në lidhje me origjinën e transaksioneve apo remitancave. Nga analizimi i mënyrës së dërgimit vlerësohet nga Banka e Shqipërisë se, në vitin 2017 rreth 39% e flukseve të kanalizohen përmes kanaleve jo zyrtare, ndërsa 57% kalojnë nëpërmjet institucioneve financiare jobanka dhe vetëm 4% nëpërmjet bankave.1 Pra me një llogari të thjeshtë, nëse remitancat që vijën në kanale zyrtare janë rreth 1 miliardë euro, rreth 400.000 vijnë në kanale alternative me sektorin financiar. Dhe këtu po flasim vetëm për të ardhurat e vogla: remitancat. Besoj biem të gjithë dakord që kjo shifër është shumë larg realitetit në ditët e sotme.

 

Pyetje: Madhësia / shtrirja e problemit (nëse ka) dhe çdo rrezik i lidhur?

Përgjigje A.Gj: Fenomeni i pastrimit të parave në një ekonomi është në dukje sipërfaqësore një “oksigjen” për një ekonomi të brishtë që lëngon nga pamundësia dhe gjetja e burimeve të qëndrueshme të financimit të ekonomisë apo nga mungesa e likuiditetit për konsum. Për rrjedhojë qytetarët e thjeshtë, sado nuk bien dakord moralisht me elementët kriminalë, përsëri mbyllin sytë karshi likuiditetit që injektojnë në ekonomi këto struktura. Por ky është një iluzion afatshkurtër pasi ndikimi negativ është shumë i madh në afatgjatë, sidomos në fazën kur këto para që vijnë nga struktura kriminale kalojnë nga statusi i parave të konsumit në statusin e kapitalit për investime”. Kjo sepse përvecse injektohen e pastrohen në ekonomi pa asnjë përgjegjësi morale e penale për origjinuesit, ato krijojnë të ardhura shtesë, duke i bërë këta individë gjithnjë e më të pushteshëm.

Ky fenomen i cili fillon si anagazhim i jashtëm nëpërmjet investimeve në pasuri të paluajtshme apo projekte të mëdha invetimesh, me kalimin e kohës kërkon të ndikojë vendimmmarjen politike në favor të interesave, duke u angazhuar nga sponsor në politikë në aktor në rangjet politike duke shkuar deri në atë që njihet ndryshe si “kapja e shtetit. Kështu, kapja e shtetit ndodh fillimisht në nivel lokal (anëtarë këshilli bashkiak, kryetar bashkish) e më pas në nivel qëndror (drejtues të lartë, drejtues teknikë), e më pas kriminalizimi i politikës (deputetë e ministra) dhe ndikimi tek zgjedhjet nëpërmjet angazhimit të grupeve kriminale për blerjen e votës.

Në përmbyllje, edhe pse në afatshkurtër (3-5 vite) duket sikur paratë me orgjinë nga aktivitete të paligjshme janë oksigjen për ekonominë e një vendi në zhvillim, në afatgjatë ato kthehen në një rrezik për demokracinë dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.

 

1. Burimi: https://www.bankofalbania.org/rc/doc/Remitancat_Revista_11930.pdf

 Burimi: https://www.bankofalbania.org/rc/doc/_Raporti_Remitancat_12168.pdf

 

*Shënim: Kjo intervistë është pjesë e një pune investigative që po bën një prej rrjeteve ndërkombëtare prestigjioze në luftën kundër krimit të organizuar me tematikë format e pastrimit të parave nga burime të paligjshme në Shqipëri dhe në rajon. Emri i organizatës do të citohet pasi të jetë publikuar shkrimi origjinal në organet e tyre zyrtare dhe në gjuhën angleze. Ky shënim bëhet për të ruajtur të drejtën e autorit mbi punimin. Intervista është publikuar në këtë blog personal vetëm në gjuhën shqipe me lejen e gazetarëvë investigativë që po shkruajnë raportin.

 

 

.

Comments

Popular Posts