INTERVISTA/ Nëse raporti EURO-LEK do të vijojë kështu, ekonomia e vendit do të kthehet thjesht në konsumatore
Eksperti i Tregjeve Financiare, Artan Gjergji në një intervistë për VoxNews, shpjegon çfarë ka ndodhur me zhvlerësimin e monedhës europiane në vend dhe cilat janë ndikimet në ekonomi. Ai shpjegon se ky është një proces gradual që ka nisur dhjetë vite më parë. “Shkaku kryesor i kësaj situate është oferta e madhe në valutë të huaj në tregun e brendshëm. Burimi i rritjes së valutës së huaj në tregun e brendshëm për vite me radhë, kanë qenë kryesisht të ardhura nga aktivitete të padeklaruara (të paligjshme ose të ligjshme por të pa-tatuara). Vitet e fundit ka pasur edhe një rritje shtesë të të ardhurave nga remitancat për shkak të valës së tretë emigratore në Gjermani (siç njihet ndryshe diaspora e re) si dhe në 2-3 vitet e fundit ka një rritje të dukshme të prurjeve nga eksporti i shërbimeve në sektoret e turizmit dhe të shërbimeve call center apo shërbime programimi dhe IT”, shprehet ai. Sipas Gjergjit përfituesi i momentit është Qeveria, ndërsa eksporti është sektori më i goditur. Por nëse kjo tendencë do të vijojë dhe 2-3 vite ekonomia do të mbetet anemike. “Nëse një situatë e tillë vazhdon gjatë, ekonomia e vendit do të kthehet në një ekonomi thjesht konsumatore, e varur krejtësisht nga importi dhe pa vlerë të shtuar në vend”, shprehet ai. Po kështu Gjergji këshillon qytetarët që i drejtohen bankave për hua, ta marrin në monedhën në të cilën kanë të ardhurat familjare, pasi në afatshkurtër mund të kenë përfitime nga kursi i euros, por pikërisht ky kurs në afatgjatë mund të krijojë problem për ta.
Më poshtë
intervista e plotë e dhënë për VoxNews:
Zoti Gjergji prej muajsh flasim për
humbjen e monedhës europiane përballë asaj vendase. Çfarë ka ndodhur realisht?
Është një fenomen që nuk është i kohëve të fundit, por është një proces që karakterizon ekonominë e vendit prej pothuaj një dekade. Ka pasur një vlerësim gradual të monedhës kombëtare LEK dhe anasjelltas zhvlerësim i EURO-s dhe valutave të tjera, kryesisht për shkak të rritjes së volumeve të valutës së huaj në tregun e brendshëm. Me fjalë të tjera nuk ka luhatje të tilla drastike të valutave të huaja karshi njëra-tjetrës në tregjet ndërkombëtare.
Bazuar në këtë fakt, ky është një fenomen që i përket balancave të kërkesë-ofertës në tregun e brendshëm. Pra shkaku kryesor i kësaj situate është oferta e madhe në valutë të huaj në tregun e brendshëm. Burimi i rritjes së valutës së huaj në tregun e brendshëm për vite me radhë, kanë qenë kryesisht të ardhura nga aktivitete të padeklaruara (të paligjshme ose të ligjshme por të pa-tatuara). Vitet e fundit ka pasur edhe një rritje shtesë të të ardhurave nga remitancat për shkak të valës së tretë emigratore në Gjermani (siç njihet ndryshe diaspora e re) si dhe në 2-3 vitet e fundit ka një rritje të dukshme të prurjeve nga eksporti i shërbimeve në sektorët e turizmit dhe të shërbimeve call center apo shërbime programimi dhe IT.
Sasia në rritje e valutës së huaj në
tregun e brendshëm, e pa shoqëruar me një rritje të dukshme të importeve, apo
daljes se valutës në forma të tjera (riatdhesim i kapitalit të kompanive të
huaja) ka sjelle një deformim të balancave të tregut të brendshëm duke
shkaktuar një mbivlerësim të monedhës kombëtare LEK.
Sipas jush a do të vazhdojë tendenca
rënëse e monedhës europiane dhe nëse po a do të sugjeronit ju që kjo monedhë të
ishte zyrtare në vendin tonë?
Padyshim që sa kohë nuk ka një kontroll në lidhje me hyrje- daljet e valutave të huaja në vend kjo situatë do të vijojë edhe për shumë kohë. Kur them kontroll nuk kam në mendje një kontroll bllokues, por të paktën statistikor, në mënyrë që të ketë më shumë transparencë dhe agjentët ekonomikë të kenë mundësi të marrin vendime më të qarta në lidhje me transaksionet e tyre në tregun e brendshëm valutor.
Jo. Nuk mendoj se vendi de-juro do të mund të kalonte në sistemin e euros. E para se kjo nuk mund të ndodhë në mënyrë të njëanshme vetëm me dëshirën e Shqipërisë, pasi vendi ynë është një vend pjesë e agjendave integruese. Përveç kësaj, në përgjithësi bankat qendrore rezistojnë të heqin dorë nga monedha kombëtare, pasi heqin dore nga instrumenti kryesor i politikës së tyre monetare, madje edhe nga vetë e gjithë politika monetare.
Megjithatë, thënë kjo, unë nuk mendoj
që në vend duhet bërë as e kundërta. Personalisht nuk e kam mbështetur kurrë
politiken e de-euroizimit, pasi kam gjykuar që nuk do funksionojë (dhe
historiku më ka dhënë të drejtë), por edhe nëse do jepte efekte, këto do të
ishim mjaft negative e do të krijonin kriza të panevojshme apo luhatje të
kursit të këmbimit. Gjykoj se rruga më e mirë është lënia e lirë e kursit, në
vullnetin e përdorimit të konsumatoreve dhe agjentëve ekonomikë. Magjia e
tregut do të bëjë të vetën.
Kush janë përfituesit dhe humbësit nga
rënia e euros?
Përfituesi i vetëm nga forcimi i monedhës kombëtare është Qeveria, por edhe ky përfitim është afatshkurtër. Forcimi i LEK-ut karshi valutave të huaja përmirëson në mënyrë fiktive disa indikatorë ekonomikë që shprehen në valutë të huaj siç është PPB për frymë, borxhi publik apo deficiti buxhetor. Por në realitet forcimi redukton mirëqenien e qytetarëve që të ardhurat e tyre i kanë në valutë të huaj. Sipas INSTAT më shumë se gjysma e popullsisë i kanë të ardhurat nga një burim emigracioni në valutë të huaj.
Në anën tjetër edhe pse në dukje importuesit sjellin më lirë mallrat dhe shërbimet nga jashtë, teorikisht kjo duhej të reflektohej në uljen e çmimeve në tregun e brendshëm. Por në fakt as kjo nuk ndodh pasi kjo diferencë përkthehet në rente (përfitim) që shkon direkt në xhepat e importuesve duke mos sjellë të ardhura të shtuara në buxhetin e Qeverisë.
E fundit, por jo nga rëndësia, forcimi
i monedhës kombëtare godet fuqimisht eksportuesit e mallrave dhe shërbimeve në
vend duke u reduktuar atyre fitimet. Nëse marrim parasysh që pjesën më të madhe
të eksporteve të shërbimeve për 2-3 vitet e fundit e kanë zënë shërbimet e
turizmit, ndikimi do të jetë direkt mbi to dhe sektorë të eksportit të mallrave
(industria fason, bimët medicinale etj.).
Nëse flasim më tej për kreditimin e
ekonomisë ju si ekspert i financave çfarë sugjeroni? Marrjen në euro apo në
lekë?
Ka një aksiomë të përgjithshme, e cila thotë që kredia duhet marrë gjithnjë në monedhën në të cilat kredimarrësi ka të ardhurat e tij familjare. Kjo për faktin se kështu kredimarrësi krahas rrezikut të (mos)gjenerimit të të ardhurave, shmang një risk tjetër të madh siç është risku i luhatjes së kursit të këmbimit. Edhe pse në dukje kredia e marrë në valutë të huaj mund të duket si më e volitshme, në afatgjatë ajo mund të kthehet në një risk të madh në kushtet e luhatjes së fortë të kursit për shkak të përfundimit të fazës së mbivlerësimit të monedhës kombëtare.
Ndoshta në periudha afatshkurtra 2-3
vjeçare edhe mund të ekspozohen në kredi në valutë të huaj, por personalisht
nuk do e rekomandoja për periudha më të gjata, nëse të ardhurat e kredimarrësve
janë në LEK.
Nëse do të vijohet me këtë tendencë
çfarë do të ndodhë me ekonominë vendase, sidomos me sektorë që preken
drejtpërdrejt nga rënia e euros?
Siç e thashë edhe më lart, sektori i eksporteve do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm. Eksportet e mallrave do të humbasin mjaft treg dhe një pjesë e madhe e këtyre bizneseve mund të shkojnë deri ne prag falimenti. Sa i përket eksporteve të shërbimeve (turizmi dhe jo vetëm), ato do të ndikohen negativisht nga fitimi i munguar që vjen si pasojë e mbivlerësimit të monedhës kombëtare (të ardhurat i kanë në valute, ndërkohë që shpenzimet i kanë në LEK).
Facilitimi i mallrave dhe shërbimeve të
importit, do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në bizneset e sektorit
prodhues në Shqipëri duke i nxitur agjentët ekonomikë të drejtohen më shumë
drejt mallrave të importit për shkak të kostove relativisht më të ulëta. Nëse
një situatë e tillë vazhdon gjatë, ekonomia e vendit do të kthehet në një
ekonomi thjesht konsumatore, e varur krejtësisht nga importi dhe pa vlerë të
shtuar në vend.
Dhe një pyetje të fundit. Si e shikoni
ju rregulloren e re të Bankës së Shqipërisë për forcimin e kushteve në dhënien
e huamarrjes nga bankat e nivelit të dytë?
BSH ndjek me vëmendje ecurinë e
faktorëve dhe sektorëve ekonomikë që preken nga mbivlerësimi i tregut. Për
rrjedhoje, BSH u tërheq vëmendjen bankave të jenë të kujdesshme në politikat e
administrimit të rrezikut në sektorët që pritet të ndikohen negativisht. Një
tjetër element që lidhet direkt me sektorin kredidhënës është edhe sektori i
pasurive të patundshme, për shkak se ato përdoren si kolaterale garancie për
kreditë e dhëna nga sektori bankar. Sa nga mbivlerësimi i lekut sa edhe nga
mbivlerësimi i çmimeve në këtë sektor që vjen për shkak të rritjes së kërkesës,
BSH ka udhëzuar bankat që të përmirësojnë koeficientet e përllogaritjes së
vlerës reale të tregut për pasuritë e paluajtshme lënë si kolateral.
Gjithashtu, BSH i detyron bankat e nivelit të dytë që të aplikojnë shpeshherë
metoda të “stress-test” për të provuar qëndrueshmërinë dhe sjelljen e tyre në
kushtet e rreziqeve që mund të vijnë nga luhatjet e çmimeve në tregje (sidomos
ato të pasurive të patundshme).
Linku i Shkrimit ne VoxNews:
.
Comments
Post a Comment