Armiku te Porta - Investimet Ruse dhe Kineze ne Shqiperi dhe Ballkanin Perendimor
nga Artan Gjergji, Ekspert i Ekonomise*
Anëtar i Albanian Policy Center (APC)
Në konferencën ndërkombëtare me titull “Sferat e Influencës dhe Sfidat në Ballkanin Perëndimor: Rreziku nga Rusia”, të organizuar në 18 Nëntor 2024, në Tiranë nga Konrad Adenauer Stiftung në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare të Politikave (APC) u diskutua nga të gjitha këndvështrimet në mes studiuesish, akademikësh, diplomatësh dhe ekspertësh të sigurisë fizike e kibernetike, rreziku potencial që i kanoset vendeve të Ballkanit Perëndimor nga ndërhyrjet direkte dhe indirekte, politike dhe ekonomike të interesave Ruse dhe Kineze në rajon.
Në këtë konferencë pata nderin të ndaj me të ftuarit e nivelit ndërkombëtar mendimet e mia në lidhje me aspektin ekonomik të këtij rreziku, duke tentuar ta shoh këtë cështje jo thjesht të lidhur ngushtë me interesat e Shqipërisë në vetvete, por edhe të përfshirjes së saj në vorbullën e nxehtë ekonomike e politike të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Disa nga këto mendime e pikëpamje të miat në njërin nga
panelet e kësaj konference të nderuar ishin si vijon:
1. Duket sikur Shqipëria nuk ka influencë direkte ekonomike, por realiteti është pak më ndryshe - nëse analizohet si vend i izoluar, Shqipëria është vendi më pak i ndikuar nga influenca ekonomike dhe ajo e ndikimit që ka kapitali rus apo ai kinez në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo sepse nivelet e shkëmbimit tregtar me këto vende janë krejtësisht në nivele modeste, e ato të qarkullimit te kapitalit apo investimeve në nivele krejt të papërfillshme. Megjithatë, duke e parë në këndveshtrimin politik dhe strategjik, lidhja e ngushtë etnike dhe politike e Shqipërisë me Kosovën, bën që cdo lloj kërcënimi apo sulmi që mund t’i vijë këtij shteti, që Shqipëria e konsiderohen si “Vllaun i Vogël”, do të përfshinte autimatikisht sa hap e mbyll sytë edhe politikën shqiptare me të gjithë arsenalin e saj ekonomik, politik, diplomatik e ushtarak. Për këtë arsye, kurrë nuk duhet neglizhuar ndikimi i këtij kapitali në rajon së bashku me implikimet që qarkullimi i kapitalit rus dhe kinez ka në Kosovë e sidomos në Serbi, pasi ato janë edhe vatra me e nxehtë e problemit.
2. I duhet vënë fre sjelljes politiko-ekonomike alla- Josif Broz Tito që ndjek Serbia – duke analizuar sjelljen politiko-ekonomike të Serbisë nën drejtimin e Aleksandër Vucic, gjithmonë kam qenë i mendimit se ai është një kopjues i zgjuar i politikës që ndiqte Tito në vitet 60’-80. Ai deklarohej publikisht si mbështetës i vijës dhe doktrinës së majtë socialiste (edhe pse i pa-rreshtuar krah Rusisë dhe Bllokut të vendeve Komuniste të Lindjes), ndërkohë që përfitonte nga ndihmat bujare në fonde dhe burime njerëzore të vendeve kaptialiste perëndimore. Pikërisht kjo qasja sic thotë një shprehje e urtë popullore Shqiptare me “njërën dorë në sheqer e tjetrën në bakllava”, po aplikohet por me kah të ndryshëm nga Vucic. Me fjalë të tjera, tashmë Vucic shprehet publikisht me nje axhendë zyrtare pro perëndimit dhe integrimit në Bashkimin Europian, por në anën tjetër “flirton” haptazi dhe pa asnjë ndrojtje politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht me aletatin e tij solid: Rusinë.
Nuk ka asnjë surprizë në këtë qasje alla-Josif Broz Tito të Serbisë. Në fakt supriza vjen nga “mbyllja e syve” që i bëjnë kësaj qasjeje liderët më të lartë të BE apo SHBA (shprehur haptazi dhe publikisht me gojën e të dërguarve të tyre në Ballkan), thjesht dhe vetëm me koston e një “frike” të pa-justifikuar (në gjykimin tim, por jo vetëm timin) për një trazirë apo problematikë të panevojshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në fakt, krejt e kundërta do të ndodhte nëse si BE ashtu edhe SHBA do të ndalonin trajtimin e Vucic si “djali i tyre preferuar por i llastuar”, duke e vënë atë dhe politikën Serbe para zgjedhjes së vështirë por finale, për të vendosur qartësisht dhe përfudimisht se në cilën anë të llogores duan të pozicionohen. Vetëm nëse bëhet kjo, Ballkani Perëndimor do të reduktojë në mënyrë të dukshme rrezikun e ndikimit (të paktën kapitalit) rus e kinez në rajon.
3. Shqipëria ka arritur të gjejë një balancë të mirë të parandalimit të flukseve hyrëse të kapitalit rus dhe kinez – duke filluar që nga viti 2016, kapitali kinez ka tentuar të hyjë në Shqipëri në forma nga më të ndryshmet (kryesisht nëpërmjet iniciativës “Një Brez - Një Rrugë”) dhe jo në pak raste ia ka arritur. Kapitale me origjinë kineze ia kanë arritur qëllimit me aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vend “Nënë Tereza” (sot TIA), ku për një periudhë disa vjecare (2016 – 2020), ishte nën zotërim të të China Everbright Ltd. Një kompani kjo e menaxhimit të aseteve me kapital kinez dhe vendosur në Hong Kong, e cila e bleu nga biznes gjerman dhe ua shiti bizneseve shqiptare. Një tjetër rast që daton përsëri në vitin 2016 është ai i një prej kompanive më të madhe në Shqipëri për nxjerrjen dhe përpunimin e naftës Bankers Petroleum, e cila u krijua me një kontratë koncesionare nga kompani kanadeze, por që më pas iu shit kompanisë kineze Geo-Jade Petroleum Corporation e cila e ka nën zotërim ende sot. Duhet thënë se këto dy raste, më shumë se tendencë për influencë të kapitalit kinez në tregun shqiptar, ngjajnë me “favore” (qoka) të interesave të caktuara me mbështetje të politikës lokale.
Ka pasur raste dhe tendenca të fuzionit të kapitalit kinez edhe në vitet e mëvonshme, por në një mënyrë a një tjetër, Qeveria shqiptare me ndihmën edhe të kancelarive apo shërbimeve inteligjente të huaja, ka arritur të bëhet pengesë e të mos lejojë penetrimin në tregun vendas. Kështu kapitalet kineze tentuan që të aplikonin të njëjtin skenar huadhënie “pengmarrëse” si në rastin e Malit të Zi, me një nga arteriet kryesore të transportit në vend sic është Rruga e Arbrit, nëpërmjet një kredie aspak të favorshme financiarisht e cila u bllokua në kohë pa kaluar në fazën e zbatimit. Gjithashtu, një tjetër tentativë për blerjen e paketës kontrolluese të aksioneve të një institucioni financiar në vend nga fonde me kapital kinez u bllokua nga autoritetet edhe pse ishte ende në fazën e shprehjes së interesit dhe due-diligencës së bizneseve palë në transaksion.
Ndërkohë edhe pse në nivele shumë më minimaliste, kapitali
rus ka bërë përpjekje për të hyrë në vend, që në vitin 2012, kur kompania ndërkombëtare
ruse Gazprom shprehu interes dhe u bë pjesë e tenderit ndërkombëtar për
privatizimin e Albpetrol sh.a., kompanisë shtetërore më të madhe të prodhimit të
naftës në Shqipëri. Pavarësisht informacioneve publike dhe konfidenciale nga shërbimet
inteligjente, Gazprom u rendit jo-fitues si oferta e tretë me 52 milion euro,
shumë larg ofertës fituese prej 850 milionë eurosh me një kapital miks mes
bizneseve nga Shqipëria dhe Azerbaixhani. Kjo hodhi hije dyshimi mbi qëllimin e
vërtetë të Gazprom, më tepër për të sabotuar fitimin e transaksionit nga
konkurentët azerë, se sa për të fituar realisht një aset të rëndësishëm në
Shqipëri. Kjo konfirmon edhe një herë bindjen se kapitali rus ka pasur pak ose
aspak ineresa në drejtim të ekonomisë Shqiptare.
4. Duhet pasur kujdes për fondet që rrjedhin nga drejtime në dukje të pa-anshme - Edhe pse në këtë konferencë pjesë kryesore e debatit të sotëm është rreziku që vjen nga influenca (përfshi kapitalin) rus dhe kinez, mendoj se jo në pak vëmendje duhen lënë dhe flukset hyrëse të kapitalit nga vende të tjera në dukje mike dhe neturale sic janë Emiratet e Bashkuara Arabe (UAE) apo parajsat fiskale në zemrër të Europës si janë Hollanda, Luksemburgu, Monako apo Zvicra. Sidomos në vende me tendenca autokratike dhe pa qarkullim elitash si ato të Ballkanit Perëndimor, një pjesë jo e vogël e transaksioneve për investime të huaja direkte strategjike nga këto vende, lënë shumë për të dëshiruar me mungesën e transparencës për identitetin e investitorëve fundorë apo për origjinën e burimit të të ardhurave. Ky fenomen i lë vendet pritëse të kapitalit të ekspozuara karshi grupimeve dhe interesave të panjohura e pse jo edhe armiqësore në një moment të caktuar.
Për shembull, edhe pse në dukje Shqipëria pjesën më të madhe të origjinës së kapitalit për investimet e huaja e ka nga vende të BE si Hollanda apo Luksemburgu e sa fundmi edhe nga Dubai, nëse hetohet për investitorët fundorë, rezulton se pjesa më e madhe e tyre vijnë nga kompani guackë të regjistruara në off-shores dhe që identiteti real i aksionerëve fundorë është i paditur.
Me këtë element kurrësesi nuk dua të them që këto investime aktualisht janë pjesë apo të përfshira me kapital me origjinë nga Rusia/Kina, por një gjë duhet ta kemi shumë të qartë. Kapitali i ngjan ujit që rrjedh, dhe kërkon rrugë. Prandaj, në momentin që kapitali rus apo kinez do të gjejnë bllokadë të fortë për të hyrë direkt në vendet e Ballkanit Perëndimor, ato do të synojnë metodat indirekte alternative duke krijuar sponda në vendndodje të ndryshme (kryesisht parajsa fiskale) për të hyrë në rajon pa asnjë problem.
Për këtë arsye, bashkohem me idenë e hedhur në qarkullim
nga politikanë dhe akademikë që Shqipëria por edhe të gjithë vendet e rajonit që
janë pjesë e NATO-s apo dhe që kanë një axhendë të qartë pro-Perëndimore, duhet
të krijojnë struktura të posacme për të verifikuar (secured check) origjinën
dhe qëllimet apo axhendat e kapitalit të huaj që hyn në rajon. Organizma të
tillë do të mbronin ekonomitë e brishta të Ballkanit Perëndimor nga goditje të
panevojshme mokro-ekonomike me prapavija gjeo-politike të caktuara dhe jo-miqësore.
5. Europa është mirë që të shmangë sjelljen me dy-standarde - një tjetër element që dëshiroj të theksoj në këtë panel të nderuar, ka të bëjë me faktin që Europa e cila në shumë raste u bën presion vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë barrierë e investimeve me kapital nga Rusia apo Kina, për veten e tyre nuk janë aq bllokuese të këtyre fondeve. Mjafton që të përmendim investimet ruse në sektorin e gazit apo stacionet e naftës të kompanisë ruse Lukoil të shpërndara në Gjermani dhe Europën kontinentale; apo projektin e madh të hekurudhës nga Hamburgu në Pekin e Shangai, për të kuptuar që Bashkimi Europian duhet të jetë më koherent në sjelljen dhe veprimet e tij.
Në anën tjetër, kurrë nuk duhet harruar që një ndër shkaqet
kreysore që ka lehtësuar penetrimin e kaptialit rus dhe kinez është neglizhenca
apo mungesa e ineresit që ka treguar BE në problematikat ekonomike të Ballkanit
Perëndimor, e shprehur kjo edhe me nivelin mjaft të ulët të investimeve nga BE
në rajon. Kështu BE në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor të miratuar
nga Komisioni Europian në nëntor 2023, parashikon një fond prej rreth 6 miliardë
euro për rajonin, kur vetëm Kina ka planifikuar vite më parë më shumë se 32
miliardë euro investime. Diferenca është e qartë, ndërkohë që vendet e
Ballkanit Perandimor janë vende në rritje me një nevojë të jashtëzakonshme për
financim, por edhe të frustruara nga procesi i gjatë dhe i lodhshëm i integrimit
europian.
*Shënim – kjo kumtesë u mbajt në konferencën
ndërkombëtare me titull “The spheres of Influence and Challanges in the Western
Balkans: Threat from Russia”, të organizuar në 18 Nëntor 2024, në Tiranë nga
Konrad Adenauer Stiftung në bashkëpunim me Albanian Policy Center (APC)
Comments
Post a Comment