Kosto e Korrupsionit dhe Ndikimi që ka në Ekonomi
nga Aurora Sulce, A2 EkonoMIX
Aurora Sulce: Prej mëse tre dekadash Shqipëria përballet me luftën kundër korrupsionit, një sëmundje e ngritur në sistem që helmon cdo segment të shoqërisë dhe ekonomisë. Fatkeqesisht në të gjitha raportet e institucioneve vendase dhe ndërkombëtare ne përmendemi me nivelin e lartë të korrupsionit që vështirëson dhe shtrenjton jetën tonë. Vetëm pak kohë më parë, kreu i SPAK, Altin Dumani u shpall “Kampion i Antikorrupsionit” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, një mesazh i qartë nga partneri ndërkombëtar, se Shqipëra duhet të jetë e prerë dhe ashpër kundrejt këtij fenomeni që po mban peng zhvillimin e vendit. Në një shoqëri moderne dhe konsumatore gjithcka fillon e mbaron tek paraja. Por cfarë është korrupsioni në ekonomi?
Artan Gjergji: Korrupsioni është një kosto e fshehur dhe e heshtur për biznesin. Në pjesën më të madhe të kohës dhe të rasteve është një kosto e papërllogaritur nga biznesi, dhe kjo përbën një rrezik për shendetin financiar të këtij të fundit. I ngjan asaj sëmundjes së heshtur në trupin e një njeriu nga e cila, ai nuk di të mbrohet, nuk i di efektet e me radhë. E njëjta gjë ndodh edhe me biznesin, nëse nuk përllogarit këto kosto të heshtura e të padukshme.
Aurora Sulce: Por korrupsioni nuk është një koncept abstrakt, ai ka një kosto financiare e cila paguhet nga të gjithë dhe përfitohet nga një pakicë njerëzish me pushtet ose të lidhur me të. Po sa i kushton buxhetit të shtetit korrupsioni? Qendra studimore ALTAX ka përllogaritur në një raport të saj se kosto e korrupsonit përllogaritet në rreth 10% të shpenzimeve publike. Në vitin 2022, korrupsioni na ka kushtuar rreth 515 milionë euro, ndërkohë që në vitin 2023 kjo shifër është rritur me 60 milionë euro për të arritur në nivelin e 575 milionë eurove paralelisht me rritjen e shpenzimeve që ka bërë Qeveria.
Artan Gjergji: Sa më shumë ka kontakt direkt mes administratës publike dhe biznesit, sipërmarrjes apo individit aq më shumë rritet probabiliteti për korrupsion. Për rrjedhojë, një ndër instrumentat kryesorë që luftojnë korrupsionin mes agjentëve në një ekonomi të caktuar, është shkëputja e kësaj marrëdhënieje fizike direkte mes përfaqësuesve të shtetit (taksidarëve) me taksapaguesit.
Aurora Sulce: Shqipëria vazhdon të klasifikohet ndër vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit në botë. Në renditjen e Transparency International, në një klasifikim nga 0 në 100 pikë, ku zero pikë kanë vendet shumë të korruptuara dhe 100 pikë ato më pak të korruptuara, vendi ynë është vlerësuar me 27 pikë, me një përmirësim thuajse të papërfillshëm krahasuar me vitin 2022. Ndërkohë që ka qëndruar brenda të njëjtës zonë pikësh që nga viti 2013. Edhe në nivel botëror, Shqipëria renditet ndër vendet më problematike sa i përket korrupsionit duke u rënditur në vendin e 100-të me një përmirësim të lehtë vitet e fundit. Nga se mendoni se vjen ky fenomen?
Artan Gjergji: Padyshim që arsyeja kryesore është klasa politike, e cila me ose pa dashje ka dështuar të krijojë institucione të forta e profesionale. Në anën tjetër mungesa e drejtësisë së pavarur e të paanshme, i ka humbur shpresat tek agjentet ekonomikë apo individët për një strehë mbrojtëse finale kundrejt represionit korruptiv të institucioneve shtetërore. E fundit por jo më pak e rëndësishme, të detyruar apo përballur karshi këtij represioni, edhe vetë agjentët ekonomikë kanë humbur integritetin e tyre. Me fjalë të tjera, agjentëve ekonomikë në Shqipëri tashmë u mungon deri në një farë mase integriteti, pasi të përballur me represionin e organeve shtetërore, zgjedhin të heqin dorë më mirë nga integriteti i tyre, por me një kosto relativisht më të vogël financiare, për të shpëtuar nga një kosto relativisht më e madhe që vjen për shkak penaliteteve që imponon zbatimi selektiv i penaliteteve ligjore. Pra, është një marrëdhënie e dy-fishtë e mungesës së integritetit si në anën e autoriteteve shtetërore ashtu edhe nga vetë biznesi.
Aurora Sulce: Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson se vendet që mbledhin më shumë të ardhura perceptohen si më pak të korruptuara. Shqipëria është vendi i parafundit në rajon për mbledhjen e të ardhurave me vetëm 27.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ne lëmë pas vetëm Kosovën, ndërsa vendet që mbledhin më shumë të ardhura nga tatimet janë Serbia dhe Mali i Zi me mbi 36% të PPB-ve respektive. Pse ndodh kjo ?
Artan Gjergji: Kjo ndodh pikërisht për shkak se korrupsioni është një ndër pengasat kryesorë në vjeljen e të ardhurave. Sepse korrupsioni në vetvete është pagesë jashtë sistemit dhe kanaleve zyrtare. Pra me fjalë të tjera është një para (kosto) që del nga xhepi i biznesit dhe nuk hyn (arkëtohet) në xhepin e shtetit duke mos u përkthyer në të ardhura në Buxhetin e Shtetit. Sa më shumë luftohet korrupsioni, sa më shumë rritet transparenca, sa më shumë rriten shërbimet digjitale aq më shumë do të rritet edhe niveli i të ardhurave në buxhet. Për këtë arsye janë indikatorë të lidhur në mënyrë direkte me njëri-tjetrin.
Aurora Sulce: Korrupsioni konsiderohet si një gangrenë për të ardhmen e vendit pasi gërryen të tashmen. Në ekonomi impakti është i gjithanshëm dhe me pasoja në të gjitha nivelet. Por si ndikon korrupsioni ekonominë? Një nivel i lartë korrupsioni con në një keqmenaxhim të taksave duke bërë që fondet publike të mos shkojnë në sektorët bazë si arsimi dhe shëndetësia, por të shkojnë në duar të caktuara. Buxheti do të ketë gjithmonë nevojë për para dhe kjo do të cojë në rritje të nivelit të taksave. Këtë barrë bizneset do t’ua shkarkojnë qytetarëve me rritje të cmimeve për produktet dhe shërbimet në treg duke vënë në vështirësi pensionistët dhe konsumatorët.
Artan Gjergji: Nga statistikat empirike dhe studimet e akademike rezulton se organet tatimore janë institucionet që kanë më shumë kontakt me agjentët ekonomikë dhe biznesin. Nuk duhet të harrojmë që në Shqipëri rreth 95% e bizneseve në numër janë biznese të vogla e për rrjedhojë kontakti fizik me to është shumë herë më i madh. Administrata publike sidomos në disa shërbime sic janë prokurimet publike mund të jetë ndër vatrat e tjera ku korrupsioni shfaqet më tepër. E fundit por jo nga rëndësia, një vatër mjaft e madhe e korrupsionit konsiderohen organet ligjzbatuese si prokuroria e policia apo ato gjyqësore edhe pse vettingu ka përmirësuar dukshëm situatën në dy vitet e fundit.
Aurora Sulce: E vetëdijshme për nivelin e lartë të korrupsionit me pasoja për xhepat e qytetarëve dhe financat publike dhe ato të biznesit, Qeveria është zotuar për luftë ndaj këtij fenomeni. Në 10 vitet e fundit janë zhvilluar një sërë konferencash antikorrupsion. Fajtorët kryesorë që e helmojnë sistemin dhe e transmetojnë korrupsionin në nivelet më poshtë janë denoncuar publikisht gjithashtu. Disa plane masash janë shpallur, por korrupsioni vijon thuajse njësoj i shëndetshëm dhe i paprekur. Nën presionin e ndërkombëtarëve, duke parë shtrirjen e gjithanshme të korrupsionit por edhe për të treguar që Qeveria e ka seriozisht në luftën kundër këtij fenomeni Kryeministri Rama, ndryshoi Qeverinë dhe krijoi në Janar 2024 një Ministri Shteti të vencantë për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Pak muaj më vonë u bë gati Strategjia Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2024 – 2030 me masa se si do të luftohej ky fenomen. Lëvizje këto që ndodhin paralelisht me ofrimin e shërbimeve publike digjitale për të minimizuar kontaktet direkte mes qytetarëve, biznesit dhe nënpunësve të shtetit. Por a garantojnë këto masa luftën reale kundër korrupsionit dhe a mund të cojnë ato në një minimizim të këtij fenomeni? Cfarë sugjerojnë ekspertët që Qeveria nuk e ka bërë dhe duhet ta ndërmarrë sa më shpejt në mënyrë që ndikimi i korrupsionit në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare të tkurret?
Artan Gjergji: Rritja e transparencës, rritja e shërbimeve digjitale jo vetëm të administratës publike karshi biznesit, por edhe e vetë biznesi duhet të ofrojë më shumë shërbime digjitale karshi konsumatorëve të tyre. Gjithashtu e rëndësishme për reduktimin e fenomenit të korrupsionit është edhe rritja e integritetit të biznesit dhe rritjes së standardeve profesionale. Krijimin e organizmave që evokojnë standarde në profesione të caktuara sic është fjala bie Urdhri i Mjekëve, Urdhri i Farmacistëve, Dhoma Kombëtare e Avokatëve etj. do të ishte një gur i rëndësishëm kilometrik në luftimin e korrupsionit në ekonomi dhe shoqëri.
Shënim: Pyetjet janë të njëjta për të gjithë ekspertët, por përgjigjet e përfshira në emision nuk janë të plota pasi drejtuesit e emisionit nuk kanë dashur të bien në përsëritje.
Comments
Post a Comment