Paraja dhe ekonomia. Si pritet të jetë viti 2025?

 nga Aurora Sulce, A2 EconoMIX


Aurora Sulce: Viti 2025 do të jetë sfidues për ekonominë. Gamës së problemeve të përherëshme të qytetarëve dhe bizneseve u shtohen edhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat ushtrojnë presion qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme mbi administratën. Zgjedhjet ndikojnë politikat e Qeverisë dhe rrjedhimisht edhe mënyrën se si zhvillohet ekonomia. Si pritet të jetë viti 2025 nga pikëpamja ekonomike?

Artan Gjergji: viti 2025, gjykoj se do të ruajë pak a shumë të njejtin trend rritjeje. Shqipëria është një vend në zhvillim, kështu që për rrjedhojë është e pritshme që ekonomia të jetë më një rritje pozitive, plus që edhe vetë konjukturat ekonomike por edhe rajoni, edhe struktura që ka ecuria e rritjes ekonomike që ka gjithë Bashkimi Europian ku ne jemi goxha të integruar sa i përket tregjeve dhe transaksioneve tregtare, është në një fazë rritjeje, ndërkohë që kjo shoqërohet edhe me një politikë monetare ekspansioniste, lehtësuese, të uljes së normave të interesit, cka përkthehet në një nxitje të zhvillimit ekonomik të vendeve të rajonit. Edhe Shqipëria nuk bën përjashtim nga kjo lloj tablloje, thjesht debati që bëhet është që nëse Shqipëria do arrijë të ruajë të njëjtën normë të rrijes ekonomike si në vitin 2024, apo do të jetë në nivele më modeste. Une mendoj se do të ketë rritje ekonomike, por me një trend rënës, me një konsolidim të normës së rritjes ekonomike. Edhe Banka Botërore është treguar konservatore me një parashikim prej rreth 3.2% të rritjes ekonomike për vitin 2025, ndërkohë që ka institucione të tjera përfshirë edhe Bankën e Shqipërisë që janë më optimiste. Unë mendoj që rritja ekonomike për vitin 2025 do të jetë pak më modeste se në vitin që lamë pas, për arsye se gjykoj se disa sektorë, të cilët në vitet e fundit janë motorrët që nxisin zhvillimin ekonomik të vendit tonë sic është turizimi dhe ndërtimi, mendoj që do të jenë në një fazë relativisht konsoliduese. Për rrjedhojë, edhe rritja që do të vijë nga këto sektorë do të jetë në nivele pak më modeste.  

Aurora Sulce: Politikat e Qeverisë si rritja e pagave, bonusi i pensionistëve apo edhe investimet në infrastrukturë, a janë në funksion të vitit elektoral ?

Artan Gjergji: tashmë është bërë e udhës që gjithmonë vitet elektorale, apo fundvitet para viteve elektorale, kanë një përqendrim të investimeve publike (forma indirekte) dhe shpenzimeve publike (forma direkte) në të gjitha format. Në gjykimin tim, po; janë të përqendruara me dashje në fund të vitit, pra një pjesë e madhe e investimeve publike janë të përqendruara në fund të vitit edhe për faktin operacional se mund të digjen (mos përdoren me buxhetin e vitit ekzistues), dhe lihen me dashje në 3 mujorin e fundit të vitit 2024 për shkak se vitin që vjen kemi zgjedhjet parlamentare. E njëjta gjë ndodh edhe me shpenzimet publike. Pjesa e bonusit të pensioneve normalisht ishte nje vlerë dyfish krahasuar me rutinën e viteve paraardhëse. Nuk mjafton kjo, por është premtuar nga Qeveria edhe një para-bonus tjetër në fillim të pranverës së vitit 2025, duke përforcuar bindjen që kjo është një politikë me fokus para-elektoral. 

Aurora Sulce:  Në vitin 2025 pritet një rritje ekonomike prej 3.9%, pak a shumë sa rritja e pritshme edhe për vitin aktual 2024. Sa reflektohet kjo në xhepat e qytetarëve me rritje të të ardhurave të disponueshme për ta?

Artan Gjergji: duhet të kuptojmë që, koncepti i rritjes ekonomike nuk përkthehet domosdoshmërisht në mirëqënie për qytetarët. Pra rritja ekonomike tregon që agjentët ekonomikë në një ekonomi të caktuar kanë prodhuar dhe kanë lënë vlerë të shtuar në ekonomi, por kjo jo domosdoshmërisht shpërndahet njëtrajtësisht tek qytetarët e vendit. Sepse kemi shpërndarje të ndryshme, sipas sektorëve, sipas shtresave, kështu që kjo jo domosdoshmërisht përkthehet në xhepat e qytatarëve. Megjthatë, duhet thënë që kur ekonomia është në një rritje pozitive, edhe efektet anësore janë pozitive për të gjithë qytetarët. Pra, ndoshta nuk është rritur mirëqenia jote individuale apo familjare, por ama është rritur mirëqenia e komunitetit sepse ndoshta rritja ekonomike është përkthyer në një investim publik. Fjala bie, ka një lulishte më shumë në lagje, ose një shkollë më të mirë për fëmijët e me radhë. Pra, jo domosdoshmërisht ky koncepti i rritjes ekonomike përkthehet në mikro-ekonomi në ato buxhetet familjare apo individuale. E mira është kjo, që rritja ekonomike të përkthehet në rritje të mirëqenies së qytetarëve, sepse në fund të fundit qëllimi kryesor i financës publike është pikërisht ky: të rrisë dhe maksimizojë dobishmërinë e individit (qytetarit). Por format që zgjedhin janë të ndryshme, sepse kjo cështje është edhe qasje doktrinale. E majta mendon që këtë lloj shpërndarjeje të të ardhurave në mënyrë efikase e bën Qeveria, sespe mendon që Qeveria është ajo që duhet të menaxhojë fondet dhe të dijë se ku do t’i shpërndajë ato. Ndërkohë që e djathta mendon të kundërtën, duke ulur taksat mendon që qytetarit i ngelen më shumë të ardhura në xhep dhe ato i menaxhon individi vetë shumë herë më mirë. 

Aurora Sulce: Për të mbetur tek sektorët. Ka një paradoks të madh. Kemi një rritje të sektorit të turizmit por një rënie të sektorit të bujqësisë. Si e shpjegoni ju këtë ?

Artan Gjergji: ky është një fenomen që ndodh rrallë për hir të së vërtetës dhe po ndodh edhe në ekonominë tonë aktualisht. Kjo vjen kryesisht për shkak të mos-zhvillimit të sektorëve prioritë të ekonomisë së vendit. Teorikisht Zhvillimi i turizimit sjell një efekt “spill-over” në ekonomi, ose efekte anësore pozitive sepse zgjeron komunitetin. Pra, nëse u rritet volumi i shitjeve strukturave akomoduese si hoteleve, bar-restoranteve, teorikisht duhet t’u rriten të ardhurat edhe të gjithë bizneseve që shërbejnë si hallka furnizuese (atyre që u shesin fruta perime, produkte te bulmetit, mishit etj.) duke dhënë një efekt pozitiv në efekt dallgësh në ekonomi (efekti spill-over) dhe kjo është në kushte normale. Pse nuk ndodh kjo në ekonominë shqiptare? Sepse për hir të së vërtetës, ne e kemi lënë si “fëmijë jetim” sektorin e bujqësisë, edhe pse ky ka qenë ndër sektorët më kontribues në GDP-në e vendit. Ka vite që pjesa e buxhetit që shkon për të mbështetur bujqësinë, lë shumë për të dëshiruar. Edhe aty ku vetë fermeri ka investuar me fonde të tija private apo kursimet familjare, janë përballur karshi një konkurrence shumë të fortë të produkteve bujqësore që vijnë nga rajoni. Shpesh na bëhet pyetja “Pse produktet bujqësore të rajonit kushtojnë më lirë”? Sepse politikat e vendeve të tyre janë subvencionuese për bujqësinë, duke u ulur kostot fermerëve maqedonas apo serbë dhe duke i bërë produktet e tyre bujqësore më konkurruese në tregun rajonal. Dhe cfarë ndodh? Edhe ai pak prodhim që ndodh brenda vendit, për hir të së vërtetës nuk arrin të gjejë treg ose kalbet nëpër magazina. Të gjendur përballë këtij realiteti, operatorët turistikë në Shqipëri shpesh herë zgjedhin produktet ushqimore të importit, sepse u duhet të plotësojnë kërkesë-ofertën në sektorin e tyre, pa menduar për efektet anësore që sjellin në ekonomi. Kjo është arsyeja pse ne na ndodh ky fenomen. Sepse ne nuk kemi nxitur të gjitha hallkat paralele. I japim prioriet një sektori të caktuar në një periudhë të caktuar, duke mos menduar fare për efektet anësore në sektorët e tjerë. 

Aurora Sulce: Cilat janë problemet kryesore të ekonomisë sipas jush ?

Artan Gjergji: Ekonomia jonë ka probleme karakteristike si cdo ekonomi në zhvilllim, por ne kemi edhe disa të tjera të ndryshme nga vendet e tjera. Ekonomia jonë ka probleme të përhershme afatgjatë, sic janë problemi i korrupsionit apo problemi i zbatueshmërisë së ligjit, apo problemet me pronat që ne i kemi pak më të theksuara se vendet e rajonit. Psh. problemin e pronës investitorët e huaj nuk e hasin në vendet e ish-Jugosllavisë, ndërkohë që tek ne e hasin në mënyrë të vazhdueshme. Korrupsioni është një plagë normalisht e madhe në ekonominë e vendeve të rajonit, ndërkohë që ne kemi edhe probleme të tjera. Unë gjykoj se disa nga problemet kryesore që i kemi specifike të ekonomisë sonë dhe që duhen parë me vëmendje janë mungesa e krahut të punës, i cili është një fenomen që po bëhet gjithnjë e më tëpër problematik. Pra ne po na largohet shtresa e mesme, e cila është edhe e edukuar. Pra, nëse dikur na largoheshin vetëm emigrantët ekonomikë të krahut të lirë të punës, tashmë nuk janë vetëm ata. Tashmë po largohen edhe ata që quhen “Disapora e Re” (term që po zë vend në ekonominë tonë), njerëz të mirëpaguar e mirëedukuar. Dhe ky përbën një problem akoma më të madh sepse nuk po zëvendësohet. Nuk është se në anën tjetër ka politika shtetërore ku të mendohet afatgjatë për zëvendësimin e këtij fenomeni. Kemi edhe probleme të tjera normalisht. Një ndër to është efekti i kursit të këmbimit në ekonomi, të cilin e shoh si mjaft problematik, pavarësisht se banka qendrore është përpjekur ta amortizojë efektin negativ që ky fenomen ka krijuar në ekonominë e vendit. Megjithatë nuk shoh një analizë serioze të faktorëve se nga na vjen ky efekt negativ i kursit të këmbimit dhe vlerësimit të monedhës kombëtare si dhe nuk shoh të merren masat e duhura. Une mendoj se tashmë ky nuk është një problem që vjen nga mekanizmi i tregut apo sic njihet ndryshe nga balanca mes kërkesë-ofertës për valutë, por është një fenomen negativ që i kalon caqet e tregut. Kalon në nivele ligjzbatuese, apo të luftës për pastrimin e parave. Këto duan me të vërtetë masa serioze sepse kjo do të na kthehet në një efekt të jashtëzakonshëm negativ për ekonominë e vendit. Një tjetër element problematik që unë shoh është në një farë mënyrë mbivlerësimi i disa sektorëve, që ka ardhur nga fenomeni i mbivlerësimit të cmimeve të aseteve përtej mesatares apo llogjikës së mekanzimit të tregut (në zhargonin popullor njihen si “flluska”). Këtu po flas kryesisht për sektorin e pasurive të patundshme, apo pse jo, edhe për sektorin e turzimit. Vërejmë një rritje drastike të investimeve në sektorin e turizmit për shkak të pritshmërive për një rritje të qëndruesheshme të këtij sektori të nxitur edhe nga propaganda mediatike e fluksit të turistëve që kanë hyrë cdo muaj në Shqipëri. Absolutisht kjo është pozitive, por nuk do të thotë që duhet të kemi një super alokim të fondeve apo aseteve të lira në një sektor të caktuar pa bërë asnjë analizë të mirëfilltë. Pyetja ime do të ishte, cfarë do të ndodhë më këto investime afatgjata kur pas 2-3 viteve Shqipëria të mos ketë më nga 10 milionë turistë në vit ? Pra ajo që dua të them është se duhet të ecim më këmbë në tokë dhe të shohim për politika ekonomike më të qëndrueshme dhe afatgjata.

Aurora Sulce: Cfarë masash duhen marrë sipas jush për të nxitur ekonominë ?

Artan Gjergji: Kjo nuk është një përgjigje shumë e thjeshtë. Megjithatë, unë hyj tek ata ekonomisë që mendojnë se liberalizimi i ekonomisë është i rëndësishëm. Jam mbështetës i politikave fiskale liberale me ulje taksash pasi mendoj se individët e menaxhojnë më mirë kapitalin e akumuluar në ekonomi. Ndërkohë që jam mbështetës i flaktë i de-regulimit në ekonomi, pasi mendoj se reduktimi i burokracive të të bërit biznes është një ndër elementët kyc dhe thelbësorë që i duhen ekonomisë sonë, sepse reduktojnë kostot, shmangin korrupsionin, nxisin konkurrencën etj. Këto janë elementë jashtë mase shumë të rëndësishëm që e bëjnë një ekonomi të vogël si kjo e jona, të jetë konkurrenciale. Digjitalizimi dhe investimi tek shërbimet digjitale në të ardhmen është një tjetër sfidë. Këtu mendoj se Qeveria është disa hapa përpara biznesit. Ky i fundit duhet të investohet më shumë në drejtim të ofrimit të shërbimeve digjitale karshi klientëve të tij pasi kjo e bën më konkurrencial edhe në rajon. Të mos harrojmë që të gjitha vendet e rajonit janë të përfshira në procesin e integrimit europian. Që do të thotë se hap pas hapi do të hiqen barrierat mbrojtëse dhe bizneset vendase do të ngelen të ekspozuara karshi një konkurrence shumë të fortë. Kështu që mendoj se në këtë aspekt, masa e madhe e biznesit shqiptar janë ende të papërgatitur për këto sfida ku duhet të fokusohen më shumë.  

Aurora Sulce: Të ardhurat e pakta janë problemi kryesor i shqiptarëve sot, por edhe premtimi më i madh që po bëjnë partitë politike në këtë vit elektoral. Përtej diskutimit të rritjes së pagave apo bonuseve për pensionistët, ajo që i duhet ekonomisë është një shtrat i qëndrueshëm mbi të cilin të rritet e të zhvillohet në afatgjatë. E për këtë, nuk mjaftojnë politikat e një mandati, por nevojitet një vullnet politik, i cili deri më tani fatkeqësisht ka munguar. 



Shënim: Pyetjet janë të njëjta për të gjithë ekspertët. Por përgjigjet e përfshira në emision nuk janë të plota për secilin, pasi drejtuesit e emisionit nuk kanë dashur të bien në përsëritje.



Comments