Parashikimet, problemet dhe sfidat e ekonomisë shqiptare për vitin 2025

 për POLITIKO

nga Artan Gjergji

Ekspert i Tregjeve Financiare

Viti që sapo lamë pas ishte një vit i vërtetë sfidash si në këndvështrimin e tregjeve ndërkombëtare, ashtu edhe në atë të tregut të brendshëm. Në arenën ndërkombëtare pati një vazhdimësi të problematikave që vinin nga vatra të nxehta luftërash apo konfliktesh si Ukrahina, Palestina, Siria apo edhe Koreja e Jugut (tendenca për një grusht shteti). Kjo pa lënë mënjanë zgjedhjet në SHBA dhe ndryshimin e pritshëm të qasjes ndaj tregjeve globale, duke përfshirë luftën e barrierave fiskale, tregun e makinave elektrike apo trendin e politikës monetare lehtësuese që ka përfshirë pothuaj të gjithë bankat qëndrore në botë.

Në tregun e brendshëm vlen të theksohet rritja e konsiderueshme e sektorit të turizmit së bashku me të gjithë dinamikat që sjell në investime apo mungesë të krahut të punës. Këtu nuk duhet lënë mënjanë as debati për politikat fiskale dhe përfshirjen në skemë të profesioneve të lira apo debatet për qëndrueshmërinë e skemës së detyrueshme të pensioneve. Vlen të theksohen hapat pozitivë që janë bërë në drejtim të konsolidimit fiskal, reduktimit të borxhit pubik apo progresit në procesin e integrimit europian. Megjithatë, nuk duhen harruar apo neglizhuar dritëhijet dhe akuzat politike e juridike në lidhje me keqpërdorimin e fondeve publike (spikasin kontratat koncesionare me inceneratorin në krye), pastrimin e parave apo tendencat në rritje të fenomenit të pastrimit të parave bazuar në rritjen drastike të cmimeve të pasurive të patundshme dhe në forcimin e monedhës kombëtare LEK. Kjo e fundit ka sjellë edhe një goditje thelbësore e tashmë të qëndrueshme të sektorit të eksporteve në vend duke pasur një ndikim negativ mbi ekonominë.

Sa i përket sektorëve prioritarë, parashikimeve, problemeve dhe sfidave që pritet të ketë ekonomia shqiptare për vitin 2025, gjykoj se një përmbledhje e përgjithshme do të ishte si vijon:


SEKTORËT PRIORITARË

Nuk pritet të ketë një ndryshim sa i përket sektorëve prioritarë që do të ketë ekonomia e Shqipërisë edhe për vitin në vazhdim. Kështu, pritshmëritë janë që përsëri sektorët kryesorë, të cilët do të mbajnë ritmin e nxitjes së rritjes ekonomike, do të jenë: 

- sektori i turizmit i mbështetur me agro-industrinë, 

- sektori i ndërtimit, 

- sektori i energjisë së rinovueshme dhe 

- sektori i teknologjisë dhe informacionit në të gjithë gamën e tij (duke filluar nga call-centers a deri tek programimet softwareike).

Pavarësisht mos-ndryshimit të sektorëve prioritarë, duhet thënë që pritet të ketë një konsolidim dhe ngadalësim të shpejtësisë së rritjes apo zvogëlim të peshave specifike që këto sektorë kanë aktualisht. Kështu, pritet një maturim apo konsolidim i sektorit të turizmit (renie e kurbës së masivitetit) dhe një fokusim apo diversifikim më cilësor i kërkesës drejt të gjithë komponentëve të turizimit detar, malor, kulturor e shëndetësor. Një tjetër sektor që pritet të pësojë një ngadalësim për shkak të saturimit të tregut është sektori i ndërtimit, i cili gjykohet nga të gjithë tashmë që ka arritur në pikun e tij. Edhe vetë Banka e Shqipërisë në projeksionet e saj, apo në kuadrin rregullativ që zbaton për bankat, ka marrë në konsideratë një risk të shtuar që mund të vijë nga një zhvlerësim i mundshëm i cmimeve në këtë sektor. Në anën tjetër, rritja e transparencës financiare dhe përpjekjet për luftimin e fenomenit të pastrimit të parave, apo lufta që po bën SPAK së bashku me organet ligjzbatuese kundër krimit të organizuar, pritet të stepin mjaft aktorë të rëndësishëm që janë aktivë në këtë sektor. Ndërkohë që trendi rritës i kapaciteteve prodhuese të energjisë së rinovueshme, së bashku me pozitën gjeografike që ka Shqipëria në rajon, pritet ta kthejë këtë sektor në forcën kryesore të rritjes ekonomike në dekadën e ardhshme. 


PROBLEMET

Ndër problemet më imediate më të cilat përballet ekonomia e vendit, mund të rendisim:

1. Mungesa e Krahut të Punës – sa vjen e bëhet një ndër kërcënimet me serioze afatmesme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare. Është për të ardhur keq që pak ose aspak po bëhet në këtë drejtim si nga Qeveria por edhe nga vetë biznesi. Rritja e njëanshme e pagave në administratën publike përvecse e pamenduar mirë si politikë publike, nuk është zgjidhje në vetvete. Krejt e kundërta, do të realizojë një spostim të krahut aktiv të punës nga privati tek shteti, duke përkeqësuar pozitat e këtij të fundit, ose duke i rritur fiktivisht kostot, dhe ekspozuar karshi rrezikut të falimentimit. Aktorët publikë dhe privatë duhet të ulen së bashku e të mendojnë për zgjidhje afatgjatë që ndikojnë pozitivisht tregun ne aspektin makro-ekonomik.

2. Efekti i Kursit të Këmbimit dhe ndikimi negativ mbi Eksportet – është një ndër plagët më të mëdha që ka ekonomia sot, pasi ky vlerësim i LEK-ut nuk vjen për shkak të mekanizmit të tregut apo balancës kërkesë-ofertë në tregtinë e jashtme, por një pjesë e konsiderueshme e këtij “bollëku” të valutës së huaj vjen nga burime të paqarta. Ky konkluzion vjen bazuar në indikatorët ekonomikë që janë publikë nga Banka e Shqipërisë apo INSTAT. Banka e Shqipërisë është lënë e vetme në luftën kundrejt këtij fenomeni, kur duhet që organet ligjzbatuese të jenë shumë herë më vigjilente për reduktimin dhe kufizimin e këtij fenomeni shkatërrues jo vetëm për fuqinë blerëse të qytetarëve (më shumë se gjysma kanë të ardhura nga remitancat) por edhe për sektorin e brishtë të eksporteve.

3. Korrigjimet e Mundshme te Cmimeve ne Sektore te Caktuar – janë një problem që nuk duhet neglizhuar dhe që agjentët ekonomikë duhe t’i marrin parasysh (në zhargonin publik quhen “flluska”). Kryesisht korrigjime të tilla priten në sektorët e pasurive të patundshme dhe të turizmit, ku janë përqendruar një sërë investimesh aktuale pa menduar për procesin e gjenerimit të të ardhurave, jo vetëm me skenarë optimistë por edhe pesimistë. Ndërkohë që nuk duhet harruar që lufta që po bën Drejtësia e Re me korrupsionin dhe krimin e organizuar e shoqëruar me një rritje të konfiskimeve të pasurive të patundshme mund të shkaktojë një ndikim të dukshëm në këto sektorë. 

4. Polarizimi i Shtresave të Shoqërisë – sa vjen e bëhet një problem masiv, i cili ndikon edhe në balancat makro-ekonomike. Politikat e gabuara fiskale në dekadën e fundit po japin efektin e tyre në largimin tashmë nga vendi të shtresës së mesme që kanë një punë të mirë e me paga të konsiderueshme. Ndërkohë që pjesa e mbetur shkon drejt ekstremiteteve me shtresa që ose varfërohen më shumë ose pasurohen më shumë. Gjykoj që Qeveria duhet të rishihkojë politikat fiskale në drejtim të një lehtësimi të tyre për individin si një formë nxitëse edhe për ruajtjen e fuqisë punëtore në vend.


SFIDAT E EKONOMISË

Sfidat Afatshkurtra dhe Afatmesme

Konsolidimi Fiskal – padyshim që reduktimi i burokracive fiskale, relaksimi i legjislacionit fiskal dhe politika mbështetëse fiskale që synojnë eficiencën në vend të penalizimit, do të japin rezultate të dukshme në drejtim të rritjes së të ardhurave buxhetore dhe konsolidimit fiskal. Megjithatë, nëse këto masa nuk do të shoqërohen me një disiplinim të shpenzimeve publike dhe përgjegjësi më të madhe tatimore, do të jenë të pa-efektshme.

Lufta Kundër Pastrimit të Parave dhe Krimit të Organizuar – tashmë është një fenomen që po kthehet në një kërcënim për ekonominë dhe sektorë të rëndësishëm të ekonomisë (kryesisht ndërtimit, por jo vetëm). Nëse nuk merren masa serioze për reduktimin e këtij fenomeni ekonomia rrezikon që të ekspozohet karshi riskut të fenomenit të kapjes së shtetit dhe përdorimit të tij nga qarqe të caktuara kriminale.

Tërheqja e Investimeve të Huaj Direkte (IHD) – është një sfidë që nuk duhet lënë pas dore. Këto investime duhet te kene natyrën e qarkullimit të kapitalit në Shqipëri dhe investimit në ekonomi më qëllim rritjen e punësimit dhe vlerës së shtuar brenda ekonomisë së vendit. Investimet në asete qarkulluese që nuk hapin fronte pune, si psh. letrat me vlerë apo pasuritë e patundshme, nuk krijojnë një ndikim shumë të madh në ekonomi. Aplikimi i politikave fiskale dhe ligjore nxitëse, është thelbësor në drejtim të tërheqjes së IHD-ve.  

Ekspozimi ndaj Konkurrencës rajonale si pasojë e Procesit të Integrimit – përbën një sfidë mjaft të afërt. Nuk duhet harruar se vendet e rajonit të cilat janë pjesë e të njëjtit proces, kanë industri të lehta e të rënda më të zhvilluara si pasojë e një ambjenti biznesi më favorizues për thithjen e IHD-ve apo edhe për shkak të një historie prodhimi të trashëguar. Kjo i bën ato të jenë më avantazhuese krahasuar me mallrat dhe produktet e prodhuara në vendin tonë. Si pasojë e heqjes së barrierave tregtare në kuadër të procesit të integrimit europian, mjaft biznese shqiptare do të përballen me një konkurrencë serioze me produkte të vendeve të rajonit. Për këtë arsye, duhet që ky rrezik të merret seriozisht në konsideratë dhe të merren masa për të reduktuar në maksimum kostot.

Aksesi në Financë – biznesi shqiptar ka më shumë se tre dekada që përdor si të vetmin burim financimi metodën e huamarrjes nga të afërmit apo institucionet financiare. Edhe pse ka pasur rritje në volumet e biznesit, duhet thënë që kufizimi vetëm në këtë alternativë financimi, e ka penguar biznesin vendas që të rritet me një shpejtësi më të madhe. Gjithashtu, ky lloj ambjenti financimi ka penguar edhe krijimin e zhvillimin e bizneseve të reja premtuese (startups). Sado situata ka filluar të ndryshojë në vitet e fundit dhe biznesi shqiptar ka filluar të mendojë edhe për alternativa të tjera financimi bazuar mbi kapitalin (equity finance, venture-capital, crowdfunding etj.), përsëri mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim. Padyshim që Qeveria duhet të bëjë pjesën e saj për mundësimin e kuadrit ligjor e rregullativ që mugon për investimet alternative.

Balanca mes Digjitalizimit dhe Sigurisë Kibernetike – digjitalizimi i shërbimeve është një sfidë reolucionare për cdo ekonomi në mbarë botën. Kjo përfshin si sektorin publik ashtu edhe atë privat. Ndërkohë që paralel me këtë zhvillim pozitiv, problemi i sigurisë kibernetike përbën një kërcënim. Përballë këstij kërcënimi ekonomia shqiptare është gjendur shpesh në vitet e fundit duke filluar që nga sektori publik me problematikat që u hasën nga sulmet e portalit të shërbimeve shtetërore E-Albania e deri tek hackerimi publikimi i të dhënave sensitive nga disa banka. Ky risk vazhdon të mbetet eminent edhe për shkak të pozitës gjeostrategjike që ka vendi ynë, ndaj përbën një sfidë mjaft të rënësishme për vendin dhe biznesin privat. 

Ndikimi nga Tregjet Ndërkombëtare – risqet e importuara nga tregjet ndërkombëtare gjithnjë e më tepër janë të prekshme për shkak të rritjes së nivelit të globalizimit dhe integrimit të tregjeve. Për rrjedhojë kriza luftërash, kriza financiare apo shëndetësore sa vijnë e bëhen më problematike dhe më lehtësisht të përhashme nëpër tregjet ndërkombëtare duke kapërcyer me shpejtësi dhe kontaminuar cdo treg të përfshirë ku përjashtim nuk bën as Shqipëria. 


Sfidat Afatgjata 

Padyshim që sfidat afatgjata të cilat kërkojnë një angazhim politik mjaft të gjatë që kapërcen 2 mandate, mbeten po ato që ekonomia shqiptare ka dekada me të cilat përballet si zbatueshmëria e ligjit, problemet e pronesisë, zgjidhja afatgjatë  problemit të pensioneve dhe qëndrueshmërisë së skemave, reduktimi i burokracive etj.


Shënim: Ky artikull është shkruar eksluzivikisht për portalin online POLITIKO. Shkrimin në burimin origjinal e gjeni në këtë link: Parashikimet, problemet dhe sfidat e ekonomisë shqiptare për vitin 2025 sipas ekspertit Artan Gjergji - E SHPJEGUAR 




Comments