Korrupsioni dhe ndikimi i Krimit të Organizuar në ekonominë e Shqipërisë
Intervistë me Artan Gjergji, ekspert i tregjeve financiare
për Balkan Investigative
Reporting Network (BIRN)
Intervistoi: Edmond Hoxhaj, gazetar investigativ (BIRN)
1. BIRN, gazetari E.H: Situatën e korrupsionit dhe krimit të
organizuar në Shqipëri, fillesat dhe zhvillimi këtyre fenomeneve, si dhe
pasojat që kanë shkaktuar, po japin aktualisht dhe çfarë efektesh do kenë në të
ardhmen.
Artan Gjergji: Gjykoj
se krimi i organizuar ka ardhur duke rritur ndikimin e tij në ekonominë e
vendit gjithnjë e më tepër. Kjo vjen sa për shkak të rritjes së aktivitetit të
tij kriminal dhe përfitues në vendet e tjera që njihen si qendrat kryesore të
tregjeve dhe kriminalitetit të lartë, aq edhe për shkak të sofistikimit të
formave të biznesit në rrugë të paligjshme. Gjithashtu, krimi i organizuar e
rriti ndikimin për shkak të rritjes në numër të individëve dhe grupeve të
organizuara kriminale të mbështetura fort edhe nga lidhjet fisnore që anëtarët
e këtyre grupeve kanë me njëri tjetrin, duke rritur efikasitetin dhe
pathyeshmërinë e tyre karshi grupeve konkurrente por edhe organeve
ligjzbatuese. Të gjithë këto fenomene e kanë maturuar dhe sofistikuar krimin e
organizuar me origjinë nga Shqipëria, duke rritur në mënyrë graduale fuqinë e
tij në këto tregje, e për rrjedhojë duke rritur në mënyrë eksponenciale edhe të
ardhurat nga këto aktivitete kriminale.
Të përballur me
fenomenin e të ardhurave të jashtëzakonshme nga këto aktivitete, grupet
kriminale janë të vetëdijshme që “cash-i kthehet në një problem të madh”
sepse, nga njëra anë është e vështirë të përfshihet në transaksione ligjore dhe
financiare/bankare, ndërsa nga ana tjetër, transaksionet në kanalet zyrtare
lënë gjurmë të cilat mund të përbëjnë prova ligjore kundër tyre në proceset e
hetimit/gjurmimit apo dënimit nga organet ligjzbatuese. Për këtë arsye, është
domosdoshmëri për këto grupe që t’i alokojnë këto fonde cash, të fituara nga
aktivitete të paligjshme jashtë sistemit financiar.
Zgjidhja është e
thjeshtë. Transferimi drejt “vendeve ku dominon cash-i dhe korrupsioni”
dhe “zbatueshmëria e ligjit lë për të dëshiruar”, për shkak se
aty është më e lehtë të investohen (pa treguar burimin e origjinës) dhe të
pastrohen duke u ligjëruar nëpërmjet aktiviteteve të ligjshme dhe futur në
kanalet zyrtare të sektorit financiar. Format e transferimit të këtyre fondeve
nga vendet e origjinimit në drejtim të Shqipërisë, si dhe skemat e pastrimit të
parave në vendin tonë janë të larmishme, nga më të thjeshtat e deri tek më të
sofistikuarat.
Përmbledhtazi, kjo
është arsyeja kryesore pse me kalimin e viteve, kemi një fluks të jashtëzakonshëm
të hyrjes së valutës në ekonominë e vendit, duke patur një ndikim të
jashtëzakonshëm edhe në deformimin e ekulibrit të tregut të brendshëm valutor
në vend. Me fjalë të tjera, sasia enorme e valutave të huaja që kanë hyrë në
Shqipëri, ka sjellë një vlerësim fiktiv të monedhës kombëtare Lek në tregun
vendas, dhe zhvlerësimin e dukshëm të valutave të huaja (kryesisht euros) ndaj
Lekut, edhe pse ky fenomen nuk ndodh në tregjet ndërkombëtare. Aq e madhe ka
qenë kjo sasi dhe aq i fortë ka qenë ky ndikim sa, as Banka e Shqipërisë, e
cila është përpjekur me ndërhyrjet e saj balancuese në treg (blerje valute me
ose pa ankande të hapura), nuk ka arritur të amortizojë forcimin e Lek-ut në
vend. Përtej deklaratave publike të kujdesshme (justifikuese) nga institucionet
qeveritare apo rregullatorët financiarë për ndikim nga rritja e blerjeve të
pasurive të patundshme nga të huajt apo për rritje të të ardhurave nga turizmi,
të gjithë e dinë të vërtetën dhe ekspertët mendojnë se “Banka e
Shqipërisë është lënë e vetme në luftën kundër këtij fenomeni”.
2. BIRN, gazetari E.H: Si kanë ndikuar dhe po ndikojnë
korrupsioni dhe krimi organizuar në ekonominë shqiptare?
Artan Gjergji: Nëse në fillimet e tij, ndikimi i pastrimit të parave nga aktivtetet e
paligjshme kufizohej me konsumin luksoz të familjeve dhe familjarëve, apo me
investime të thjeshta (dyqan, bar-resorant, blerje shtëpish në hapërisa
simbolike), tashmë me kalimin e viteve, procesi i pastrimit të fondeve me
origjinë aktivitetet e paligjshme është rritur në vlera monetare dhe është
sofistikuar në metoda zbatimi. Tashmë paratë e krimit të organizuar:
a) janë burim i rëndësishëm i financimeve luksoze në projekte madhore infrastrukturore në vlera qindra miliona
euro (kryesisht në pasuri të patundshme, por jo vetëm). Aq i hapur është ky
aktivitet sa paradoksalisht Shqipëria është vendi i cudirave, pasi nëse një
individ tenton të depozitojë në një llogari bankare 10.001 euro, ka një proces
mjaft të imët dhe hetues të deklarimit të origjinës së këtyre parave (cka
frenon në hyrje pastrimin e parave nëpërmjet sistemit financiar), por
cuditërisht Tirana dhe qytetet e tjera të mëdha janë të mbushura me investime
infastrukturore qindra miliona euroshe, financuesit e të cilëve nuk janë
publikë (ka mungesë transparence), dhe për më tepër askush nuk u kërkon asnjë
informacion në lidhje me burimin e fondeve të financimit. Kuptohet që një pjesë
e investimit mbetet në informalitet jashtë kanaleve zyrtare (psh, shtrimi i
pllakave, duraluminet e dritareve, mobiljet punimet hidrauliko-eelktrike etj.),
por që gjithësesi, fenomeni është krejt i qartë dhe cuditërisht “jashtë vëmendjes”
së autoriteteve kompetente ligjzbatuese.
b) marrin pjesë në tendera publikë në vlera të mëdha duke pasur një ndikim të trefishtë si në
aspektin e pastrimit të parave, ashtu edhe në rritjen e korrupsionit me
administratën publike, por edhe duke krijuar një urë bashkuese të trafikut të
influencave mes krimit të organizuar dhe klasës politike.
c) kanë penetruar në sistemin financiar dhe bankar në mënyrë direkte dhe indirekte. Në
mënyrë direkte, sepse në të shumtën e herës përdorin sektorin e mikrofinancës
dhe bankat për të marrë kredi financuese për projektet e tyre të investimit, jo
se u duhen fondet, por sepse u duhet të kenë burime financimi legjitime në rast
të një hetimi pasuror nga organet ligjzbatuse. Në mënrë indirekte, sepse të
ardhurat që vijnë nga aktivitetet e investimeve, në të shumtën e rasteve janë
të rritura në mënyrë fiktive (nuk ka kontroll financiar tatimor efikas sa i
përket realitetit të bilanceve), me qëllim justifikimin zyrtar të parave që
janë fituar më parë në rrugë të paligjshme. Sistemi bankar e ka të pamundur për
të bërë filtrimin e këtyre të ardhurave që vijnë nëpër llogaritë bankare të
biznesit në mënyrë ligjërisht të justifikuara nëpërmjet (gjoja) aktivitetit të
suksesshëm të biznesit.
d) janë blerës ose kompromentues të sistemeve të pavarura (pushteti gjyqësor dhe pushteti mediatik)
edhe në rastet e hetimeve apo procedimeve nga organet ligjzbatuese, mundësitë
financiare dhe lidhjet e ngushta me klasën politike i kanë krijuar mundësinë
krimit të organizuar t’i shpëtojë ndëshkimitn ligjor për shkak të korrupsionit
të madh në sistemin gjyqësor, por edhe manipulimit të opinionit publik
nëpërmjet mediave të blera apo shkrimev/artikujve të sponsorizuar nga qëllime
të errëta. Fenomeni i korruptimit të gjyqësorit ka dalë në pah ndër vite kur
eksponentë të krimit të organizuar dalin të lirë disa herë për vepra të rënda
penale. Kjo kuptohet dhe bëhet publike në formë skandalesh mediatike vetëm në
rastet e vrasjeve nga organizmat rivale në krim, të cilat sa duket janë më
vigjilente se organet ligjzbatuese.
Të përfshirë kaq
ngushtë në marrëdhënien trekëndëshe “klasë
politike - sistem financiar – sistem gjyqësor” krimi i organizaur ka
ardhur gjithnjë duke rritur fuqinë e tij dhe madje përdorur trafikun e
influencave për të futur në të gjitha hallkat e administratës publike (përfshi
Parlamentin) edhe përfaqësues direktë të tij pavarësisht rekordeve kriminale.
Kjo i ka dhënë krimit të organizuar një ndikim direkt në vendimmarrjen e
administratës, duke e sofistikuar dhe ndërthurur akoma më shumë ndikimin dhe
trafikuan e influencave më klasën politike. Tashmë nuk janë më legjenda urbane shoqëritë
e ngushta të eksponentëve kriminale me politikanë të pushtetshëm, apo ndikimi i
krimit të organizuar në emërimet dhe shkarkimet e zyrtarëve të lartë të
administratës dhe organeve ligjzbatuese në nivele vendimmarrëse.
Arrestimet dhe
dënimet për korrupsion të zyrtarëve të lartë politikë së bashku me faktet e
reja të bëra publike si pasojë e punës së SPAK apo hetimeve me mbështetje të
fortë nga strukturat ndërkombëtare kanë vërtetuar katërcipërisht se ndikimi i krimit
të organizuar në administratën publike në dhjetëvjecarin e fundit kanë qenë në
nivelet e “Kapjes së Shtetit”. Kostot e një fenomeni të tillë në
një ekonomi të brishte dhe me institucione të pakonsoliduara të zbatueshmërisë
së ligjit, janë një gangrenë që shkakton kosto të jashtëzakonshme në një
zhvilim të shpejtë e të qëndrueshëm ekonomik. Kjo sjell një polarizim të madh
të shtresave të shoqërisë, duke zhdukur thuajse krejtësisht shtresën e mesme
dhe varfëruar dukshëm shtresat me të ardhura modeste.
3. BIRN, gazetari E.H: Si mund të reduktohet korrupsioni dhe
krimi i organizuar? Cilat janë mjetet dhe institucionet që aktualisht sot mund
të japin kontribut real për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në
Shqipëri?
Artan Gjergji: Duhet
të kuptohet që në fillim të herës që kjo luftë është një mision i vështirë apo thuajse
i pamundur, i cili kërkon kohë dhe kurajo (kryesisht politike). Megjithatë, në
një mënyrë të përmbledhur këto janë shtyllat kryesore që në gjykimin tim mund
të jene efikase ne drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të
parave:
a) Konsolidimi i institucioneve ligjzbatuese është kyqi i rritjes së efikasitetit të
zbatueshmërisë së ligjit duke rritur në mënyrë të ndjeshme edhe besueshmërinë e
besimit të publikut tek drejtësia. SPAK-u, dhe pjesërisht procesi i vetingut,
ka treguar më së miri që duhet shumë pak për t’ia arritur këtij qëllimi.
Mjafton vullneti i klasës politike,
b) Pastrimi dhe qarkullimi elitave politike me prioritet intelektualët është një element mjaft i rëndësishëm,
sepse përmirëson vullnetin politik për reforma të forta në favor të zhvillimit
dhe integrimit euroatlantik të vendit. Reforma zgjedhore që nxit qarkullimin e
elitave, shmang ndikimin e krimit të organizuar në zgjedhje dhe u jep prioritet
intelektualevë dhe njerëzve të mirëedukuar, të pa-korruptuar dhe me integritet
të lartë do ta përshpejtonte procesin,
c) De-rregulimi dhe reduktimi i barrierave administrative është një ndër fenomenet kryesore që
redukton nivelin e korrupsionit. Sa më shumë barriera dhe procese burokratike e
dokumentare të ketë një proces administrativ, aq më shumë rritet niveli i
korrupsionit, e për rrjedhojë kostoja në xhepat e individit dhe biznesit,
d) Digjitalizimi i shërbimeve është një element që redukton barrierat dhe shmang kontaktin njerëzor mes
punonjësve të administratës dhe taksapaguesve, duke automatizuar proceset
administrative, reduktuar kostot dhe kohën e invdividëve dhe bizneseve,
e) Digjitalizmi i pagesave dhe reduktimi i cash në ekonomi është një tjetër shtyllë rëndësishme, e cila duhet realizuar me
shpejtësi. Qeveria dhe Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me të gjithë
operatorët e tregut financiar duhet të punojnë fort dhe shpejt për të
digjitalizuar shërbimet financiare. Ky fenomen do të reduktonte në maksimum
përdorimin e cash-it, dhe për rrjedhojë do të reduktonte aktivitetin e
pastrimit të parave,
f) Lufta frontale kundër informalitetit financiar është një tjetër gur i rëndësishëm themeli në
luftën kundër pastrimit të parave dhe të gjitha fenomeneve që lidhen me krimin
e organizuar. Lufta kundër informalitetit mund të kryhet nëpërmjet:
-
zgjerimit
të bazës së deklarimit individual vjetor të të ardhurave (DIVA), i cili do të
mundësonte një kontroll më efikas mbi veprimet financiare të njësisë bazë në
ekonomi: individit. Ulja e këtij pragu në 100.000 lekë në muaj
për të ardhurat e vitit 2024, ishte një veprim shumë i mirë, që shpresojmë të
vijojë shumë shpejt me perfshirjen në deklarimin e DIVA të të gjithë qytetarëve
shqiptarë sipas praktikave më të mira ndërkombëtare. Një reformë e tillë do të
reduktonte në maksimum evazionin dhe pamundësontë përdorimin e aseteve nga
qytetarët të cilët nuk i justifikojnë këto veprime me të ardhura të mjaftueshme,
-
një
kontrolli më efikas të certifikimit të pasqyrave financiare të bizneseve do të
reduktonte në masë rritjen fiktive të ë ardhurave të bizneseve në pronësi të
eksponentëve të krimit të organizuar, duke i nxjerrë gradualisht ata nga tregu.
Shenim: Kjo interviste u realizua si pjese e nje shkrimi
investigativ te realizuar nga Balkan
Investigative Reportin Network (BIRN), dhe te publikuar ne daten 25.03.2025
ne faqen zyrtare te BIRN ne linkun: https://www.reporter.al/2025/03/25/anketa-spak-simbol-shprese-kunder-korrupsionit-te-gjitheperhapur-ne-shqiperi/
.
Comments
Post a Comment