Forcimi (fiktiv) i Lekut dhe kostot me të cilat përballohet Ekonomia Shqiptare
Interviste me Artan Gjergji,
C’mendim keni ndikimin e zhvleresimit te
euros ne ekonomine shqiptare pergjate viteve te fundit: pergjithesisht pozitiv,
apo negativ?
Ky nuk është një fenomen i lehtë për të dhënë një përgjigje shterruese. Në radhë të parë, duhet të kuptohet fenomeni i këtij zhvlerësimi, i cili duhet thënë që është vetëm në tregun e brendshëm shqiptar. Në radhë të dytë duhen zbuluar shkaqet, dhe më pas të analizohen pasojat.
1. Fenomeni i Rënies së Cmimit - Me fjalë të thjeshta, valutat janë një mall dhe si cdo mall tjetër, u nënshtrohen ligjësive të mekanizmit të tregut sa i përket cmimit. Oferta e madhe me një kërkesë elastike ul cmimin në treg dhe anasjelltas. Thënë kjo, ulja e cmimit të euros në tregun e brendshëm (valutat e tjera ndjekin të njëjtin trend sepse konvertohen me të njëjtin raport, duke ndjekur euron) tregon për një sasi të konsiderueshme të këtij malli në tregun e brendshëm. Përtej nevojave (kërkesës) që agjentët ekonomikë kanë në tregun vendas.
2. Shkaqet dhe Burimi: Nëse ky shtim i sasisë së valutës së huaj në qarkullim do të kishte ardhur fjala bie nga rritja e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, do të kishte qenë i shëndetshëm, pasi do të kishte lënë vlerë të shtuar në ekonomi dhe do të kishte ndikuar pozitivisht në rritjen e ekonomisë shqiptare. Problemi është se ky fenomen, është i dukshëm në ekonominë e vendit që prej vitit 2015 në mënyrë graduale.
Burimet e te ardhurave në valutë të huaj në cdo ekonomi
janë kryesisht nga:
a. investimet e huaja direkte (nuk ka rritje kaq
drastike ndër vite në Shqipëri), ose
b. remitancat në kanale zyrtare (ruajne të njëjtën
trajektore deri në 1 miliardë euro/vit), ose
c. ndihmat/borxhet shtetërore nga vende apo
organizma të huaja (ecuri normale), ose
d. eksportet (të mallrave kanë ardhur në rënie në
Shqipëri, ndërsa të shërbimeve dhe turizmit në rritje vetëm dy vitet e fundit)
e. të ardhura nga burime informale (pa paragjykuar ligjshmërinë e origjinës së tyre).
Nga të gjithë indikatorët e mësipërm, vetëm
indikatori i fundit është i pamatshëm, ndërkohë që për të tjerët ka statistika
zyrtare, lehtësisht të matshme.
3. Pasojat
Sa i përket ndikimeve pozitive dhe negative, kjo
ka lidhje direkt me vlerën e shtuar që lë në ekonomi cdo prurje valute. Thënë
thjeshtë, nëse sasitë e valutës së huaj blejnë mallra dhe shërbime të prodhuara
nga operatorë vendas, atëherë kanë ndikim pozitiv. Nëse blejnë masivisht mallra
dhe shërbime të prodhuara jashtë vendit, atëherë kanë efekt tranzitor dhe një
ndikim thuajse inekzistent (minimalist). Nëse përdorin burime jo zyrtare kanë
efekte negative, duke filluar nga evazioni fiskal, konkurrenca e pandershme e
deri tek kapja e shtetit, nga burime dhe agjentë me aktivtet kriminal. Sidomos
pastrimi i parave, në afatshkurtër ka ndikim në dukje (fiktiv) pozitiv, pasi
hap vende pune dhe rrit të ardhurat në buxhet, por në afatgjatë ka efekte
rrënuese për konominë e një vendi për shkak të fenomenit të kapjes së shtetit.
Nese do t'i ndanim ne "fitues"
dhe "humbes" prej ketij ndryshimi, si do t'i kategorizonit sektore te
ndryshem te ekonomise vendase? (Cilet sektore kane perfituar, e cilet po
ndikohen negativisht).
Forcimi i monedhës kombetare favorizon në masë të madhe importuesit (pasi me të njëjtën sasi valute të monedhës kombetarë blejnë më shumë valute të huaj dhe importojnë më shumë, por rëndon jashtë mase tek eksportuesit dhe tek prodhimi i brendshëm, për faktin e thjeshtë që eksportuesit, të ardhurat i kanë në valute të huaj, ndërkohë që pjesën më të madhe të shpenzimeve operacionale apo shpenzimeve për lëndët e para, i kanë në valutën kombëtare.
Sektori i tregtisë është sektori më i madh i importit, i cili fiton në marzhe të vogla si dhe nuk lë vlerë të shtuar në ekonomi. Ka një perceptim sikur sektori i ndërtimit fiton nga ky fenomen, por llogjika është e njëllojtë pasi shitjet kryesisht bëhen në valutë të huaj, ndërsa kostot janë në Lekë, por ky fenomen nuk ndihet shumë pasi amortizohet nga rritja e vazhdueshme e cmimeve të shitjes së pasurive të paluajtshme.
Sektorët më të prekur negativisht janë
eksportuesit e mallrave sepse produktet e tyre tashmë janë shumë të shtrenjta
për shkak të rritjes fiktive të kostove, duke mos i bërë ata më konkurrues në
rajon. Ndërkohë që edhe sektorët e eksportit të shërbimeve (sic janë shërbimet
e programimit, apo sektori i turizimit), edhe pse fillimisht patën një boom në
rritjen e kërkesës, tani kanë filluar të ndjejnë efektin negativ të binomit të
ardhura në valutë dhe kosto në lekë. Sidomos zërat nga sektori i turizmit po
shtohen përditë, sepse e shohin që po punojnë dhe po lodhen nga volumi i lartë
i punës, por pak vlerë e shtuar u ngelet në xhep sepse të ardhurat kanë në
trend rënës (kur këmbehen në lek), ndërkohë që shpenzimet i kanë statike (rasti
më i mirë), ose i kanë në rritje (mungesa e burimeve njerëzore).
A ka pasur renia e euros ndikim real te
konsumatoret?
Ndikimi i zhvlerësimit të euros në tregun e brendshëm ndikon këdo që burimin kryesor të të ardhurave e ka në valutë të huaj, por që ka shpenzime të mëdha në Lekë (qira, këst kredie). Pra një situatë e tillë e forcimit (fiktiv) përtej llogjikës ekonomike të monedhës kombëtare, ndikon negativisht këdo që duhet të mbajë mbi kurriz pikërisht koston e kursit të këmbimit në kahun e sipërpërmendur (të ardhura në euro dhe shpenzime në lëkë).
Kështu, një pjesë e konisderueshme e konsumatorëve në vend kanë varësi të madhe nga remitancat (kursimet e dërguara nga të afërmit), për të financuar plotësisht apo pjesërisht nevojën për të blerë mallra dhe shërbime në lekë në tregun e brendshëm. Po ashtu, të gjithë ata që kanë të ardhurave në euro, dhe përvec shpenizmeve të përditshme konsumatore kanë edhe shpenzime të tjera të mëdha si qira apo këst kredie, e ndjejnë më shmë këtë fenomen.
Anasjelltas, përfitojnë agjentët ekonomikë që kanë
të ardhura në leke, por kanë shpenzime (qira, këst kredie) në valutën euro.
Cilet faktore kane qene kyc ne
zhvleresimin e euros?
Sic e përmenda edhe më lart, asnjë nga indikatorët makro të ekonomisë nuk justifikon rritjen e sasisë së euros në ekonominë e vendit në dekadën e fundit, ndërkohë që ky fenomen deri diku mund të justifikohet me rritjen e eksportit të shërbimeve në sektorin e turizmit në 2 vitet e fundit. I vetmi burim i panjohur në këtë ekuacion nga ku mund të vijnë të ardhura të shumta në valutë të huaj nga jashtë, janë burimet jo-formale.
Nëse i referohemi të dhënave zyrtare nga Banka e
Shqipërisë dhe INSTAT, sektorët me rritjen më të fortë në ekonominë e vendit
(GDP) përgjatë viteve të fundit janë Sektori i Ndërtimit dhe ai i Turizmit. Edhe
pse sektori i turizmit e justifikon këtë nivel burim financimi nga të huajt që
vizitojnë Shqipërinë (dy vitet e fundit), sektori i ndërtimit as i justifikon
në fazën e ndërtimit, e as i justifikon në fazën e shitjeve.
Cili ka qene roli i Bankes Qendrore ne
kete situate te pazakonte?
Banka e Shqipërisë nuk ka rol direkt në administrimin e sasisë së ofertës monetare në valutë të huaj, pra nuk ka rol direkt në përcaktimin e vlerës së valutave, pasi në Shqipëri është regjimi i lirë i këmbimit valutor (free-float), edh epse rritja e fertës monetare në lekë ndikon kursin. Megjithatë, në kuader të politikës monetare dhe mekanizmave të ofertës monetare, BSH përdor instrumenta të caktuar zyrtarë për të injektuar ose tërhequr sasi valutash nga tregu me qëllim, shmangien e luhatjeve anormale në treg (njihet si Efekti Stinor), me qëllim ruajten e stabilitetit financiar në ekonominë e vendit. Po ashtu, BSH luan një rol licensues dhe mbikëqyrës për ndërmjetësit që ofrojnë shërbime të këmbimit valutor (ZKV-të), dhe pjesë e këtij aktiviteti është edhe lufta kundër fenomenit të pastrimit të parave.
Në këtë kuadër, BSH ka bërë të pamundurën për të luftuar e vetme fenomenin e rritjes (a)normale të ofertës në valutë të huaj në tregun e brendshëm, nëpërmjet blerjeve të programuara dhe atyre jashtë kalendarit, duke synuar amortizimin e efektit të vlerësimit jashtë normales të Lekut (zhvlerësimi i Euros) si dhe shmangien e panikut financiar që krijohet nga sensiviteti popullor që ka ky fenomen. Po ashtu, BSH ka rritur vigjilencën ndaj operatorëve Zyra të Këmbimit Valutor (ZKV), për të luftuar pastrimin e parave, dhe identifikuar agjentët ekonomikë që këmbejnë në sasi mbi vlerat e lejueshme me ligj E fundit por jo më pak e rëndësishmja, BSH ka udhëzuar bankat që të rrisin nivelin e sigurisë për kolateralet në sektorin e ndërtimit pasi (mes rreshtave) i druhen një korrigjimi drastik të cmimeve të pasurive të patundshme në të ardhmen (askush nuk e di se kur), dhe po marrin masa që ky fenomen i pashmangshëm të mos ndikojë sektorin bankar, pasi pasojat do ishin të pa-imagjinueshme.
A mjafton kjo? Absolutisht jo. Fenomeni i forcimit
fiktiv të Lekut është një fenomen që ka dalë përtej llogjikës së mekanizmit të
kërkesë ofertës apo doktrinës makro-ekonomike. Në gjykimin tim, tashmë është
një fenomen shume herë më i gjerë i lidhur ngushtësisht me fenomenin e
pastrimit të parave, evazionin fiskal dhe kapjen e shtetit. Për rrjedhojë është
një fenomen që duhet të përfshije mjaft institucione ligjzbatuese përvec BSH
sic janë Policia e Shtetit, Drejtoria e Pastrimit të Parave, Krimi Ekonomik,
Sherbimi Informativ i Shtetit e deri tek Prokuroria e Gjykata.
Në gjykimin tim modest, BSH duhej të kishte qenë
më e kujdesshme që në raportimet e dy viteve të fundit të mos “justifikonte”
(nëse është i besueshëm ky justifikim) forcimin e lekut nga sektori i
turizimit, tek ka heshtur zyrtarisht për 1 dekadë për të njëjtin fenomen.
Megjithatë, duhet thënë që Banka e Shqipërisë është lënë e vetme në luftën
kundër këtij vlerësimit fiktiv të lekut dhe zhvlerësimit të euros në tregun e
brendshëm në Shqipëri.
*Shenim: Mendimet jane te autorit dhe nuk
perfaqesojne mendimet e portaleve SEE News, apo FIP.AL





Comments
Post a Comment