Anetaresimi ne SEPA dhe ndikimi ne ekonomine e Shqiperise

Interviste nga Artan Gjergji
Ekspert i Tregjeve dhe Sherbimeve Financiare

 

Në pjesën e dytë të emisionit “Pro Business” në TV Klan, u diskutua ndikimi makroekonomik i anëtarësimit të Shqipërisë në SEPA (Zona e Unike e Pagesave në Euro) me ekspertin ekonomik, z. Artan Gjergji. Z. Gjergji e përshkroi anëtarësimin në SEPA si një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm, jo vetëm për integrimin e arkitekturës financiare shqiptare në atë europiane, por edhe për lehtësimin e transaksioneve të agjentëve ekonomikë.



Duke pasur parasysh që rreth 85% e tregtisë shqiptare është me vendet e Bashkimit Europian, ky facilitet do të reduktojë në masë kostot e transfertave për të gjithë.

 

Për Bizneset: Importuesit dhe eksportuesit që kryejnë transaksione me vlera të mëdha do të përjetojnë një ulje drastike të kostove në faturat dhe bilancet e tyre financiare, duke i bërë më konkurrues në tregun europian.


Për Individët: Një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë që marrin remitanca nga fëmijët ose familjarët në BE do të përfitojnë nga kostot shumë më të ulëta dhe simbole të transfertave.


Anëtarësimi në SEPA vlerësohet si një sinjal shumë pozitiv për investitorët e huaj. Fakti që bankat shqiptare tani operojnë sipas të njëjtave procedura dhe standarde si në BE, i jep atyre një nivel sigurie dhe e ul perceptimin e riskut kur vendosin të investojnë në Shqipëri.

Z. Gjergji theksoi se procesi i integrimit në SEPA do ta "shkundë" dhe vërë në lëvizje sektorin bankar shqiptar nga një "gjumë i dimrit". Me uljen e komisioneve, bankat do të përballen me një konkurrencë shumë më të fuqishme nga homologët europianë, pasi qytetarët shqiptarë do të kenë akses të lehtë dhe me kosto të ulët për të investuar në produkte financiare të ndryshme në të gjithë BE-në. Eksperti thotë se bankat duhet të përmirësojnë ofertën, të shtojnë produkte financiare më cilësore dhe konkurruese për të mbajtur depozitat dhe klientët, duke pasur parasysh potencialin e madh të tregut.

Nga një këndvështrim makro-ekonomik, heqja e barrierave në tregje dhe lehtësimi i lëvizjes së kapitalit konsiderohet një hap që përshpejton procesin e integrimit në BE. Rritja e konkurrencës dhe ulja e kostove të ndërmjetësimit financiar janë përfitime të drejtpërdrejta për të gjithë agjentët ekonomikë.

 

Ndiqni për më tepër emisionin e plotë në linkun e mëposhtëm:

https://www.youtube.com/watch?v=TL1g9jjYu7s

Comments