Pse euro po bie në pikiatë?

Euro po arrin rekorde historike të zhvlerësimit karshi Lek-ut. Pa asnjë ngjarje domethënëse për të justifikuar këtë nivel shkëmbimi, argumentuar nga burime zyrtare me shtim turistësh, remitancash dhe investimesh të huaja direkte, shtatë shoqata të bizneseve prodhuese, eksportuese dhe ato të turizmit i janë drejtuar me një letër Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave.

 


Për to, falimentimi është në prag dhe rënia e euros në nivelet më të ulëta historike rrezikon kthimin në një ekonomi të pastër importuese, të ngjashme me atë të vitit 1992, nën efektet e “terapisë shock”.

Ndërkohë, rënia e vijueshme e euros, me 8,6% qysh nga prilli 2022 është shoqëruar me inflacion 7%, duke mos u reflektuar në rënien e çmimeve të produkteve e shërbimeve të importit, përkundrazi në rritjen e tyre. 

Ndërtimi nga ana tjetër po shënon çmime marramendëse, të krahasueshme me Dubain, duke mos justifikuar në asnjë rast as shtimin e apartamenteve të reja (3 herë më shumë se nevoja prej 2440 të tilla në vit) dhe as çmimin e tyre deri në 5000 euro/m2. Për më tepër financimi nga bankat nuk kalon 40%, duke lënë mbi qindra miliona euro apartamente të ekspozuara si të blera me para jashtë burimeve ligjore.

Në mesin e fushatës elektorale, në kulmin e ndërtimeve pa nevoja qyteti, me blerje, që nuk justifikojnë çmimet, kush po e forcon lekun artificialisht dhe çfarë pasojash ka për shqiptarët?

A është ky më një problem, që adresohet nga Qeveria, Banka e Shqipërisë me mekanizma frenues, apo nga agjensitë ligjzbatuese përfshi ato të pastrimit të parave, prokurorisë e policisë?

Dhe si të mos mjaftojë, rritja e pagave dhe bonusi i pensioneve shtyhen prej mospërfshirjes në seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë.

 


Si po përballojnë shqiptarët artificat e një tregu të dalë jashtë kontrolli prej informalitetit?

Shënim: Ky editorial u bë nga moderatorja Sonila Meco

 

Me tre ekspertë ekonomie:

Artan P. Gjergji

Pano Soko

Vjoldi Danaj

në Task Force👇

https://www.youtube.com/live/YIsv8CpwKjA?feature=share

Fotot nga Mjeshtri Feliks Bilani

Comments